Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në zonën turistike të Ujëvarës së Sotirës, në fshatin Dardhë, në kufirin mes qarqeve Berat dhe Elbasan, ku një 53-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike.
Viktima është identifikuar si Robert Cangolli, banues në Durrës, i cili ushtronte profesionin e shoferit dhe kishte transportuar një grup turistësh të huaj drejt kësaj pike të njohur natyrore. Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 13:00, gjatë kohës që po shoqëronte turistët në zonë, ai është rrëzuar aksidentalisht nga një terren i thepisur shkëmbor.
Për shkak të dëmtimeve të marra nga rrëzimi, 53-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje, duke mos mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda. Ngjarja ka tronditur jo vetëm turistët e pranishëm, por edhe banorët e zonës, duke rikthyer vëmendjen te siguria në pikat turistike malore.
Trupi i pajetë i viktimës është transportuar drejt morgut të Spitalit Rajonal të Beratit, ku pritet t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë, të cilat po kryejnë kqyrjen e zonës dhe po vijojnë me veprimet hetimore paraprake për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

