“Operacioni më i madh policor në burgje” :300 forca ‘zbarkojnë’ në Peqin, kontroll total në çdo qeli dhe perimetër

Nga Fatmir Popja

PEQIN ,18 prill 2026/Albania Express News/Një operacion i paprecedentë është zhvilluar këtë të shtunë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku rreth 300 forca të Policisë së Burgjeve kanë ushtruar një kontroll blic në të gjithë ambientet e institucionit, në atë që konsiderohet si ndërhyrja më e madhe e realizuar ndonjëherë në sistemin penitenciar shqiptar.

Aksioni sipas burimeve për Albania Express News ka nisur rreth orës 09:00 të mëngjesit të kësaj fundjave dhe po vijon ende, ndërsa në terren janë angazhuar dhjetëra mjete operacionale dhe një numër i lartë efektivësh të Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Forcat speciale kanë “zbarkuar” në mënyrë të befasishme në institucion, duke ushtruar kontrolle të imtësishme në çdo qeli, sektor dhe hapësirë të brendshme e të jashtme.

Operacioni është shtrirë në të gjithë perimetrin e burgut, ku janë përdorur mjete të specializuara kontrolli, si dhe qen antidrogë për të identifikuar çdo send të ndaluar apo aktivitet të paligjshëm. Sipas burimeve jo zyrtare, gjatë kontrolleve janë konstatuar dhe sekuestruar sende të paligjshme, për të cilat pritet një njoftim zyrtar në vijim nga autoritetet përkatëse.

Burgu i Peqinit, një nga institucionet më të populluara dhe me nivel të lartë sigurie në vend, kohët e fundit ka pritur transferimin e disa emrave të njohur të botës së krimit, çka ka rritur ndjeshëm vëmendjen dhe nevojën për kontrolle të rrepta.

Ky operacion masiv më i madhi i kryer ndonjëherë në burgjet e Shqipërisë vjen në kuadër të një strategjie të re për forcimin e rendit dhe disiplinës në burgje, duke synuar goditjen e çdo tentative për futjen dhe qarkullimin e sendeve të ndaluara, si dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Burime pranë sistemit penitenciar bëjnë me dije se aksione të tilla pritet të shtrihen edhe në burgje të tjera në vend, duke sinjalizuar një qasje më të ashpër dhe të koordinuar nga autoritetet.

Deri në këto momente nuk ka ende një reagim zyrtar mbi bilancin paraprak të operacionit, por përmasat dhe intensiteti i këtij kontrolli tregojnë qartë vendosmërinë e strukturave shtetërore për të rikthyer kontrollin e plotë në institucionet e vuajtjes së dënimit.Në përfundim të operacionit të kontrollit në çdo qeli pritet një komunikatë zyrtare për detaje të imtësishme të rezultateve të kontrollit të ushtruar dhe qëllimit të këtij kontrolli sidomos në qelitë e të dënuarve për krime të rënda .

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME