Belshi në telajo,Kolonia e V-të e piktorëve promovon “Perlën karstike të Mesdheut” përmes artit të peizazhit

NGA FATMIR POPJA

BELSH ,18 prill 2026/Albania Express News/ Bashkia e Belshit në Qarkun e Elbasanit u kthye këtë javë në një qendër të rëndësishme arti dhe promovimi turistik, duke mirëpritur edicionin e pestë të Kolonisë së Piktorëve, një aktivitet që po konsolidohet si traditë në shërbim të kulturës dhe zhvillimit lokal.

Për disa ditë me radhë, rreth 20 piktorë të njohur nga e gjithë Shqipëria u vendosën në zonën e Dumresë, ku natyra e rrallë dhe peizazhet unike u shndërruan në burim frymëzimi për krijime artistike mbresëlënëse. Qëllimi i kësaj kolonie ishte promovimi i potencialit turistik të Belshit dhe zonave përreth përmes fuqisë së artit pamor.

Shumë prej artistëve vizitonin për herë të parë këtë zonë, e njohur për dhjetëra liqenet karstike dhe bukuritë natyrore që e kanë pagëzuar Belshin si “Perla Karstike e Mesdheut”. Peizazhet ujore, drita natyrore dhe qetësia karakteristike e Dumresë u reflektuan në telajo përmes ngjyrave dhe formave që mbartin identitetin e kësaj treve.

Kulmi i këtij aktiviteti erdhi në fundjavë, kur në një platformë prej druri mbi liqenin e qytetit të Belshit u çel ekspozita përmbyllëse me punimet e realizuara gjatë ditëve të kolonisë. Ekspozita, e hapur për publikun, tërhoqi vëmendjen e vizitorëve dhe dashamirësve të artit, duke krijuar një ndërthurje të bukur mes natyrës dhe krijimtarisë.

Në prononcimet për mediat, disa nga piktorët e njohur  pjesmarrës në këtë edicion të Kolonisë së Piktorëve ,Sadik Kasa, Buron Kaceli, Nikolin Ivanaj, Pashk Pervathi dhe Edison Hysa e cilësuan këtë edicion si një nga më të suksesshmit dhe më frymëzuesit në të gjitha drejtimet. Sipas tyre, çdo ditë pune në Belsh ishte një përvojë e veçantë, që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre artistike.

“Është një nga kolonitë më të bukura ku kemi marrë pjesë. Natyrë e jashtëzakonshme, organizim i shkëlqyer,mikpritje që na la pa fjalë dhe një energji që të shtyn të krijosh pa ndalur”, u shprehën ata, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla për promovimin e artit dhe turizmit.

Belshi, i cili prej vitesh ka marrë një hov të ndjeshëm në zhvillimin turistik, po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj. Përveç natyrës, tashmë edhe arti po luan një rol kyç në rritjen e profilit të tij.

Ky edicion pason kolonitë e mëparshme të zhvilluara në Bogë, Shëngjin (dy edicione) dhe Iballë të Pukës, duke krijuar një rrjet të qëndrueshëm aktivitetesh artistike në zona me potencial të lartë turistik.Ashtu si në çdo edicion, edhe këtë herë organizimi i Kolonisë së Piktorëve u bë i mundur falë mbështetjes së sipërmarrësit të njohur Dede Maluta, i cili vijon të japë një kontribut të rëndësishëm në nxitjen e artit dhe promovimin e vlerave shqiptare.

Kolonia e Piktorëve në Belsh nuk ishte vetëm një aktivitet artistik, por një dëshmi e qartë se kur arti dhe natyra bashkohen, krijojnë jo vetëm vepra të bukura, por edhe histori suksesi për zhvillimin e qëndrueshëm të një zone sikurse është Belshi i cili prej vitesh është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të preferuar jo vetëm nga vendasit por sidomos nga të huajt.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME