Ndahet nga jeta piktori i njohur Skënder Kamberi, mesazhe prekëse nga Aleksandër Çipa dhe Agim Sulaj

Bota e artit shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta të piktorit të njohur Skënder Kamberi, një prej figurave më të spikatura të artit figurativ në vend. Lajmi është përcjellë me emocione të forta edhe nga analisti dhe kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ai ndan kujtime personale dhe vlerësime të veçanta për artistin.

Çipa kujton Kamberin si një figurë të pranishme që në fëmijërinë e tij në Himarë, duke e përshkruar si një “mjeshtër imponues”, jo vetëm për talentin, por edhe për vetëdijen artistike që e karakterizonte. Ai rikthen në vëmendje edhe periudhën e viteve të shkollimit në Gjirokastër, ku vizitat e Kamberit në shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri” në vitet ’80 përbënin ngjarje të rëndësishme për komunitetin artistik dhe studentor.

Në të njëjtin reagim, Çipa sjell edhe mesazhin e ndjerë të piktorit të njohur Agim Sulaj, i cili e cilëson Kamberin si “Vrana Konti i shkollës vlonjate të artit të pikturës”, duke e përcjellë me një ilustrim simbolik të frymëzuar nga kjo figurë, të realizuar që në vitin 1986 në Galerinë e Arteve të Vlorës.

Sipas Çipës, fakti që një artist përcillet me art nga kolegët e tij, është një dëshmi e vlerave të larta që ai ka lënë pas, duke theksuar se në këto momente dhimbjeje, arti bëhet një dritë shprese që ruan dhe përjetëson emrat e mëdhenj të kulturës kombëtare.

“Lamtumirë mjeshtri unik i artit tonë figurativ”, shkruan Çipa në fund të mesazhit të tij, duke e përshkruar Skënder Kamberin si një ndër figurat e rralla që do të mbetet e paharruar në historinë e artit shqiptar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME