Zbardhen vendimet e Qeverisë, ndryshon ligji për tatimin mbi të ardhurat. Projekt 100 milionë euro për “Portën e Alpeve”, dyfishohet honorari për programin pas shkollës

Qeveria ka miratuar sot disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat me synim rritjen e drejtësisë sociale dhe nxitjen e lidhjes me diasporën.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha në përfundim të mbledhjes se projektligji parashikon që të gjithë shtetasit shqiptarë apo rezidentët në Shqipëri, të cilët gjenerojnë të ardhura në vende të ndryshme të botës, do t’i kenë këto të ardhura të përjashtuara nga tatimi në vend.
Sipas saj ky ndryshim synon të tërheqë më shumë shqiptarë të diasporës për të jetuar dhe investuar në Shqipëri.

Ibrahimaj theksoi se kjo nismë i shërben veçanërisht pensionistëve që kanë përfituar pension në vende të tjera dhe zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke kontribuar në zhvillimin e të ashtuquajturës “ekonomi e argjendtë”.
Gjatë mbledhjes është miratuar edhe një projekt infrastrukturor për qarkun e Shkodrës.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi u shpreh se projekti quhet “Porta e Alpeve” dhe është i financuar në vlerën 50 milionë euro me Bankën Evropiane të Investimeve dhe 50 milionë euro nga buxheti i shtetit.
“Pra, kemi një vlerë totale prej 100 milionë euro për projektin ‘Porta e Alpeve’ në Shkodër, për projekte infrastrukturore të natyrave të veçanta. Programi dhe marrëveshja kanë disa komponentë. I pari ka të bëjë me rehabilitimin e shesheve urbane, rikonstruksionin e bulevardeve dhe krijimin e qendrave multifunksionale, duke u dhënë më shumë hapësira qytetarëve të të gjithë qarkut”, tha ai.
Në të njëjtën kohë Qeveria ka miratuar dy akte të cilat përfshijnë pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në misionet ushtarake ndërkombëtare dhe zhvillimin e industrisë ushtarake në vend.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi gjithashtu se në mbledhje u miratuan VKM-të për autorizimin e shoqërisë KAYO për të negociuar për të lidhur marrëveshje me dy kompani.
“Së pari për krijimin e mjeteve lundruese në Republikën e Shqipërisë dhe mjeteve fluturuese pa pilot, pra dronë ushtarak. Është për t’u veçuar fakti se këto dy vendime të Këshillit të Ministrave janë domethënëse. Është hera e parë mbas kaq kohësh që në Republikën e Shqipërisë po krijohet substrati për krijimin e mjeteve lundruese në Republikë dhe kjo është diçka që na bën të ndihemi krenarë. Jemi shumë afër dhe finalizimit të marrëveshjeve, tani me këtë autorizim që jep Këshilli i Ministrave me palën ndërkombëtare që do të vijë në Shqipëri të cilën e kemi diskutuar dhe me mbledhjen e përbashkët të qeverive në Romë”, shpjegoi ministri.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua vendimi për dyfishimin e honorareve të mësuesve që do të qëndrojnë me nxënësit pas orarit të shkollës, në kuadër të programeve edukative.
“Sot një miratuam një vendim të Qeverisë që mbështet një dëshirë të madhe të prindërve që koha që fëmijët kalojnë në shkollë të jetë përtej orarit të detyrueshëm dhe të zihet edhe me shumë aktivitete të tjera që nuk janë më pak të rëndësishme. Janë programe që i edukojnë, siç është artizanati dhe puna me dorë. Kjo pjesë e programit duhet të mbështetet edhe financiarisht. Kjo është arsyeja pse Këshilli i Ministrave vendosi që të dyfishojë honorarin me të cilin shpërblehen orët jashtë mësimit të detyruar në shifrën 10 mijë lekë të vjetra për orë, më parë ishte 5 mijë”, tha ministrja Kumbaro.
Ndërsa ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo bëri të ditur miratimin e vendimeve për zonat prioritare dhe programin me bashkitë për parkimet.
“Një lajm i rëndësishëm për bashkitë është programi kombëtar i parkimeve që do të prekë sidomos zonat urbane dhe bashkitë e prekura nga flukset turistike. Është një program që do të evidentojë ndërtimin e parkimeve të reja. Këto mund të bëhen edhe në bashkëpunim me sektorin privat. Sot kemi kaluar edhe 4 bashki të tjera sa i përket zonave prioritare”, tha Demo.
Ministrat për mediat:
10:59 Projekti “Porta e Alpeve” në Shkodër, ministri Karakaçi: Korridor që lidh Aplet me bregdetin e Adriatikut, siguron sezon turistik nga dimri në verë
Pas mbledhjes së Qeverisë mëngjesin e ditës së sotme, ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi njoftoi miratimin e projektit “Porta e Alpeve”.
Karakaçi tha se ky projekt do të krijojë për herë të parë një korridor që lidh Alpet me bregdetin e Adriatikut, duke siguruar kështu një sezon turistik nga dimri në verë.
10:41 Rritja e çmimeve të karburanteve dhe perimeve, Ibrahimaj: Do subvencionojmë të gjitha shtresat në nevojë dhe me të ardhura të ulëta
Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj komentoi rritjen e çmimeve si pasojë e luftës në Iran dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.
Ajo theksoi se ka pasur rritje çmimi të karburanteve dhe perimeve, ndërsa theksoi se do të subvencionohen të gjitha shtresat në nevojë me të ardhura të ulëta.
10:35 A do ta lirojë Shqipëria bazën e Kuçovës nëse e kërkon SHBA? Ministri Nufi: Nëse vjen një kërkesë e tillë…
Në daljen e ministrave përpara medias, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi u ndal te baza e Kuçovës.
Ai u shpreh se nëse SHBA do të kërkojë ta përdorë këtë bazë, atëherë Shqipëria do ta vlerësojë kërkesën.
10:33 Taksat te karburanti, Ibrahimaj: Kush konsumon më shumë, paguan më shumë. Çmimet nën monitorim të vazhdueshëm
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj foli dhe për çmimin e naftës ku ditën e djeshme u ul me 10 lekë pas mbledhjes së Bordit të Transparencës.
Ajo u pyet nga gazetarët në lidhje me taksën te karburanti, ku tha se kush konsumon më shumë, paguan më shumë. Sakaq ministrja theksoi se çmimet janë nën monitorim të vazhdueshëm.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME