Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria po punon për reformën e pensioneve për të krijuar më tepër hapësira për secilën kategori.
Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me pensionistë të njësisë nr. 2 në Tiranë, ku foli për rritjen ekonomike, politikat sociale, si dhe reformën e pensioneve.
Ndryshimet në skemën e pensioneve, sipas tij, synojnë të krijojnë hapësirë tjetër për të gjithë ata që duan të kursejnë më shumë për të pasur një pension më të lartë, ku shteti do të japë kontributin e vet.
“Po ashtu do të rishikojmë edhe skemën aktuale për pensionistët e vetëpunësuar dhe për ata të që vazhdojnë të punojnë, pasi ka dhe aty hapësirë për të bërë disa disa rregullime, të cilat përsëri shkojnë në favor të pensionistëve”, tha Rama.
Ndërkohë, sipas tij, është diskutuar edhe mbështetja për invalidët. “Për momentin kanë një kanë një diferencim, por e vërteta është se nuk mund të lihen mbrapa atyre që nuk ka punuar asnjëherë, për shkak të aftësive. Do ta korrigjojmë dhe këtë”, shtoi Rama.
Duke u ndalur te pensionet, Rama theksoi se bonuset e përvitshme dhe rritja e pensioneve vit pas viti do të vijojë sipas kategorive për t’u 5-fishuar deri në vitin 2030.
“Tanimë jemi në një fazë tjetër. Ne e kemi pasur shumë problem faktin që nuk arrinim dot t’i rrisnim pensionet, faktin që ndërkohë që filluan të rriten pagat e filluan të vihen në vijë edhe investime pas një periudhe shumë të vështirë kur na u desh të lanim shumë borxhe, përsëri kur vinte puna tek pensionet dhe kishim të pamundur dhe ndesheshim në mënyrë të vazhdueshme me këtë stres nga ana e pensionistëve që realisht e kanë më të vështirë se të tjerët”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ndër vite është bërë vetëm indeksimi i pensioneve, sepse ekonomia nuk ishte në gjendje të na mbështeste një plan real rritjeje.
“Më në fund erdhi momenti kur ekonomia na e krijoi këtë mundësi dhe për këtë arsye duke filluar nga janari i këtij viti juve merrni pensione më të larta”, tha Rama.
“Lajmi i mirë sot është që kemi kaluar në një tjetër nivel në aspektin e Prodhimit të Përgjithshëm. E kemi marrë vendin me nën 10 miliardë euro në total dhe sot jemi në afro 27 miliardë. E kemi marrë vendin me të ardhura për frymë nën 3 mijë euro në vit, sot jemi mbi 11 mijë euro dhe vetëm nga 2024 në 2025-ën të ardhurat për frymë janë rritur me mbi 1 mijë euro në vit. Kjo do të thotë se jemi në kushtet kur edhe rritja ekonomike e qëndrueshme na ndihmon të adresojmë shumë çështje që duheshin adresuar, por s’mund të adresoheshin”, shtoi ai.
Po ashtu, Rama theksoi se vendi vizitohej nga vetë 2 milionë turistë, ndërkohë që sot jemi tek 12 milionë turistë-vizitorë me pasaporta të huaja.

