Deputeti socialist, Erion Braçe tha në Kuvend se në Shqipëri “pastrohen paratë e pista nga mëngjesi në mbrëmje”, por sipas tij, ky është fenomen edhe në vendet fqinje.
Braçe tha se mbështet kërkesën e opozitës për ta luftuar këtë fenomen, ndërsa parlamenti duhet të ushtrojë kontrolle në punën e institucioneve përkatëse.
“Edhe Vatikani ishte në listën gri për pastrimin e parave të pista. Nuk e bën dot këtë debat, sill sa të duash fakte dhe argumente, është e vështirë. Është e kotë, thuaj sa të duash janë angazhuar një mori me institucione, lexo sa të duash rreshta që thotë kemi dalë nga lista gri, prapë është e kotë, ju vazhdoni ta bëni këtë gjë. Po, në Shqipëri pastrohen para të pista nga mëngjesi në mbrëmje. As se mohon dot kërkush, por ka akte që ligji ka ngarkuar të merren me këtë fenomen. Ka kallëzime për pastrimin e parave edhe në sektorin e ndërtimit. Ka akte të qarta për këtë fenomen. Infiltrojnë edhe në sektorin e ndërtimit para të pista, kjo është e qartë. A duhet të ushtrojë parlamenti kontrolle mbi këto institucione? Po, për t’i detyruar t’i shkojnë deri në fund këtij fenomeni. Nuk ka asnjë të keqe edhe kur e kërkon opozita në mënyrë të qartë. Është fenomen që ekziston kudo, ja ku e keni dhe Italinë. A luftohet ky fenomen? Po. Ne ishim në listën gri se kishim masa të pamjaftueshme, kemi dalë nga ajo listë, por duhet të shkojmë më tej. Ky është proces që duhet të angazhojë të gjitha agjencitë ligjzbatuese. E gjej të drejtë edhe kërkesën e opozitës. Të gjitha institucionet duhet të kenë raport për punën e bërë. Po kjo histori nuk shkon” – tha Braçe.
Teksa Braçe përmendi rastin e vendeve fqinje, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, replikoi ashpër nga foltorja.
“Del Rama dhe thotë nuk është problem korrupsioni se po rritet ekonomia. Po rritet për ju, por mbi 1 mln shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria. Korrupsion ka kudo, ju nuk flisni dot për sundim të ligjit. Jeni bërë palë me të korruptuarit. Tallja më e madhe është t’i thuash shqiptarëve edhe në Zvicër pastrohen paratë, ky është mashtrim i madh. Problem janë përmasat. Edhe nga Italia ikin, po nuk është 1/3 e popullsisë në 10 vjet” – u shpreh Shehaj i revoltuar.
Braçe mori sërish fjalën për të replikuar mbi Shehajn, ku tha se fjala e tij është keqkuptuar. Braçe përsëriti se në Shqipëri pastrohen paratë, por nuk është vendi i vetëm.
“Unë nuk thashë që ka pastrim parash në Itali dhe kjo justifikon pastrimin në Shqipëri, nuk thashë këtë, përkundrazi. Ne dolëm nga lista gri e vendeve që nuk kishin masa të mjaftueshme. Abuzimi i zotërisë që foli tani, është përtej logjike. E dëgjoi mirë atë që thashë pak më herët. Abuzim i madh është t’i thuash këtij vendi që paratë pastrohen vetëm në Shqipëri. Po e përsëris, pastrimi i parave duhet luftuar me të gjitha ato që ka parashikuar ligji. Po këtu gjërat kalojnë në absurd”
Braçe reagoi i revoltuar nga vendi teksa Shehaj replikoi mbi deputetin socialist. Nuk mungoi as replika e Taulant Ballës, i cili iu drejtua Shehajt: “Shiko se mos je vetë ndonjë subjekt i pastrimit të parave në Itali”
“Zotëria ia ka marrë dorën të bëhet personazh duke bërtitur. Ajo që duket e padrejtë, thuhet për një vendim të Gjykatës së Lartë. Kolegjet e Bashkuara janë në nivelin e Gjykatës Kushtetuese kur unifikojnë vendimet. Jam njohur se vendimi i sotëm është historik, për çdo anëtar të Kuvendit që e di që roli është: prokuroria kërkon masë shtrënguese arrest me burg duhet të krijojë prova, jo vetëm dyshim të arsyeshëm. Kaq. Zotërisë zhurmues, shiko se mos je vetë ndonjë subjekt i pastrimit të parave nga një prokurori në Itali” – tha Balla.
Shehaj kërkoi sërish të merrte fjalën, por kërkesa e tij nuk u pranua nga kryeparlamentari Niko Peleshi. “Po bëri një akuzë shumë të rëndë” – tha Shehaj.
“Kjo tregon që kemi të bëjmë me një vendim të porositur. Sapo u tha, është e regjistruar. U tha se është një vendim historik, por janë mbledhur me porositë e Ramës, pasi ai përmendi problemin e paraburgimeve. Urdhëroi në mënyrë skandaloze, duke treguar se ka kapur Gjykatën e Lartë, dhe që të merret një masë për të nxjerrë nga burgu shokët e tyre. Kjo ka ndodhur hapur, nuk mund të mohohet, është e pafalshme. Sapo gënjeve Taulant, sepse gjykata nuk ka bërë asnjë njoftim” – shtoi kreu i Partisë Mundësia.

