Braçe: Fushata për qumësht të kontaminuar me aflatoksinë dëmtoi blegtorët

TIRANË, 9 prill/Albania Express News / Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në një interpelancë sot në Kuvend me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla kërkoi përgjigje mbi situatën e krijuar me blegtorët, pas konstatimit për mostra qumështi të kontaminuar me aflatoksinë.

Në fillim të fjalës së tij, Braçe ndau mesazhe të blegtorëve të qarkut Fier, të cilët i kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin për bllokimin e grumbullimit të qumështit nga kompanitë e mëdha përpunuese.

Braçe informoi se blegtorëve nuk u është mbledhur prodhimi nga kompanitë përpunuese me argumentimin se është i kontaminuar me aflatoksinë.

Gjatë kësaj periudhe, ai informoi se personalisht i është drejtuar të gjitha institucioneve përgjegjëse duke nisur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit edhe deri te Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), ku rezulton se gjithsej janë analizuar vetëm 5 mostra nga të cilat vetëm dy kanë qenë të kontaminuara.

Ndërkohë Braçe theksoi se rezulton vetëm 200 ton misër i kontaminuar me aflatoksinë dhe kjo sasi nuk është shpërndarë në këto zona.

“E gjithë kjo fushatë kundër qumështit të blegtorëve dhe që favorizon fabrikat rezulton vetëm me 2 mostra aflatoksinë. Tani nuk ka më asnjë gjë të tillë”, tha Braçe.

Në interpelancë me ministrin, Braçe kërkoi se përse e gjitha kjo fushatë vuri përpara blegtorët duke i detyruara ata që ta derdhnin qumështin në kanal.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME