Paralajmërimeve të Donald Trumpit se një “ qytetërim i tërë do të zhduket” në Iran nëse vendi nuk pranon ultimatumin e SHBA-së, Republika Islamike iu përgjigj po me një kërcënim.
Forcat e Gardës Revolucionare deklaruan në televizionin shtetëror se sulmet e tyre hakmarrëse do të shtrihen përtej Lindjes së Mesme nëse SHBA-ja shkel vijat e kuqe të Teheranit.
“Shteteve të Bashkuara do t`ia mohojmë naftën dhe gazin për vite të tëra”, pohuan drejtues të tyre.
Ish-drejtori për Iranin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Nate Swanson, aktualisht bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, u shpreh për REL lidhur me krizën në rritje, përcjellë bindjen e tij se “mendon që kjo po bëhet kryesisht për arsye psikologjike, për të përfituar lëshime nga Irani dhe për të nxitur një formë marrëveshjeje.
“Nuk mund ta them përfundimisht nëse SHBA-ja mund t’i godasë të gjitha ato objektiva në një afat aq të shkurtër kohor, por infrastruktura e Iranit është shumë e decentralizuar. Ekzistojnë dhjetëra sisteme të ndara energjie, nyje transporti dhe rrjete të tjera kritike. Ideja e neutralizimit të çdo ure ose nyje kyç brenda pak orësh, duket e pabesueshme”, shprehet ai.
Deri tani, politika e presionit maksimal nuk e ka ndryshuar në thelb vendimmarrjen iraniane dhe nuk e ka detyruar Teheranin për t’u dorëzuar. Edhe një përshkallëzim i tillë nuk duket se do të ndryshojë llogaritjen e tyre, por, në fund, ky është një vendim që i takon udhëheqjes iraniane, pohoi eksperti.

