Vatra zjarri në fillim të pranverës/ Flakë në masivin e mbrojtur të Xhyrës, alarm për pasuritë natyrore në Librazhd

Me ardhjen e pranverës dhe rritjen e temperaturave, në disa zona të vendit kanë nisur të shfaqen vatra zjarri në sipërfaqe pyjore, duke ngritur shqetësime serioze për dëmtimin e mjedisit dhe rrezikun ndaj komuniteteve lokale. Një prej rasteve më problematike është regjistruar sot paradite në Bashkinë e Librazhdit, ku një vatër e fuqishme zjarri është identifikuar në masivin pyjor të shpallur zonë e mbrojtur në fshatin Xhyrë, Njësia Administrative Hotolisht.

Sipas të dhënave nga terreni, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej të paktën një hektari në një zonë me pyje ahu në Malin e Xhyrës , e njohur për vlerat e tyre të rralla natyrore dhe biodiversitetin e pasur. Ky masiv konsiderohet si një nga “perlat” e zonave malore të Librazhdit duke tërhequr çdo vit dhjetëra turistë vendas dhe të huaj, veçanërisht adhurues të turizmit të aventurës.

Dyshimet paraprake hedhin dritë mbi mundësinë e një zjarrvënieje të qëllimshme. Banorët e zonës, të cilët historikisht janë kujdesur me fanatizëm për mbrojtjen e pyjeve, e shohin këtë ngjarje si një akt të papranueshëm, që rrezikon seriozisht një pasuri të përbashkët natyrore. Në vitet e fundit, zhvillimi i turizmit dhe rritja e interesit për investime në këtë zonë kanë sjellë një vëmendje më të madhe, por njëkohësisht edhe rreziqe të shtuara nga ndërhyrje të paligjshme apo veprime të qëllimshme dëmtuese.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat e shërbimit zjarrfikës, të cilat po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Terreni i vështirë malor dhe mungesa e aksesit për mjetet zjarrfikëse e kanë bërë operacionin më të komplikuar, duke detyruar efektivët të punojnë në kushte të vështira dhe kryesisht me mjete rrethanore.

Megjithatë, sipas shefit të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Librazhd, situata aktualisht është nën kontroll të plotë dhe nuk paraqet rrezik për përhapje të mëtejshme të flakëve në sipërfaqe më të gjera.

Ndërkohë, pas evidentimit të disa vatrave zjarri në territorin e bashkisë gjatë ditëve të fundit, kryetari i Bashkisë Librazhd Mariglen Disha ka reaguar me një thirrje publike drejtuar të gjithë banorëve kudo ndodhen , duke kërkuar prej tyre kujdes maksimal në këtë periudhë dhe gjithmonë . Ai ka theksuar se një pjesë e zjarreve kanë rezultuar të shkaktuara nga pakujdesia, ndërsa ka paralajmëruar për pasojat e rënda që mund të sjellin këto incidente.

“Zjarret në natyrë përbëjnë një rrezik serioz jo vetëm për pyjet dhe pasuritë natyrore, por edhe për banesat, jetën e njerëzve dhe faunën. I bëjmë thirrje çdo qytetari të shmangë ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura apo zona të pyllëzuara,” është apeli i kryebashkiakut të Librazhdit .

Ndërkohë autoritetet vendore dhe strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të dyshimtë që mund të çojë në zjarrvënie të qëllimshme, në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i mëtejshëm i këtyre pasurive të pazëvendësueshme natyrore.Nga ana tjetër i është kërkuar policisë të hetojë çdo rast që ka të bëjë me rastet
e identifikimit të zjarreve dhe të çojë para ligjit shkaktarët e tyre .

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME