Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, parti opozitare janë takuar sot për të diskutuar çështjen e presidentit të vendit. • Pas takimit, Kurti dhe Abdixhiku kanë deklaruar se do vazhdojnë diskutimet, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja. • Kurti ka thënë se disa pika të takimit do të mbesin konfidenciale, pa treguar se në çfarë drejtimi është diskutuar për pozitën e presidentit. • Ndërsa, Abdixhiku ka thënë pas takimit se palët po përpiqen të arrijnë deri te një zgjidhje. • I pyetur nëse LDK-ja pati emra konkretë për pozitën e presidentit, ai tha se palët nuk kanë arritur ende në atë fazë. • Takimi është zhvilluar pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. • Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e ka marrë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, ashtu siç parashihet me Kushtetutë. • Më 5 mars, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Kurtit, parti në pushtet, i ka propozuar dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. • Në mungesë kuoromi, procesi ka mbetur në gjysmë. • Një ditë më pas, ish-presidentja Osmani ka prezantuar një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. • Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim. • Më pas, LVV-ja e çoi dekretin e Osmanit në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar jokushtetues. • Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh. • Çështja e presidentit është kthyer në temën kryesore të diskutimit në skenën politike të Kosovës, pasi ka muaj që nuk arrihet një marrëveshje. • Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, është zhvilluar në një atmosferë konstruktive, me fokus kryesor zgjedhjen e presidentit të ri. Kurti bëri të ditur se diskutimet kanë zgjatur rreth dy orë dhe janë përqendruar në situatën e re politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Patëm takim afro dy orë. Diskutuam për situatën e re politike pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila na mundësoi të mblidhemi në Kuvend dhe të vazhdojmë me seanca plenare”, tha Kurti.
Ai theksoi se koha për zgjedhjen e presidentit është e kufizuar dhe kërkon angazhim maksimal.
“Na kanë mbetur edhe tri javë deri tek zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimizojmë përpjekjet”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, qëllimi i përbashkët është shmangia e zgjedhjeve të reja dhe se është e vështirë të pritet një rezultat ndryshe nga zgjedhjet eventuale.
“Jemi të përcaktuar për t’i shmangur zgjedhjet e reja, sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Me fjalë të tjera është vështirë të paramendojmë një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat e programet tona me po të njëjtat zotime, ku kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë se nuk mund të jetë shumë ndryshe Ne nuk e kemi më sfidë numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë, por është sfidë tejet gjigante që një parti ti ketë 80 deputetë dhe të mund ta zgjedh vetë presidentin”, tha Kurti.
Kurti u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje në ditët në vijim.
“Vazhdoj të jem optimist se me takime e bisedime të tilla mund të arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund ta them se e kemi sot”, u shpreh ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi me kryeministrin Albin Kurti është zhvilluar në frymë diskutimi për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët lidhur me zgjedhjen e presidentit. Pas takimit, Abdixhiku theksoi se LDK-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se pushteti nuk duhet të përqendrohet në një parti të vetme.
“LDK vazhdon të besojë që të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike. Për çështje tjera kemi dakordim për konfidencialitet mes palëve”, tha Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se aktualisht nuk ka ende marrëveshje konkrete, por po vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje përmes dialogut.
“Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët konsensuale me takime dhe do ta ndjekim këtë rrugë sa herë të mundemi për të shmangur zgjedhjet”, u shpreh ai para mediave.
Abdixhiku shtoi se diskutimet deri tani janë fokusuar në parimet bazë të procesit, e jo në emra konkretë.
“Njëherë duhet të merremi rreth parimeve të procesit, pra a duhet të kemi një situatë ku të gjitha pozicionet institucionale i takojnë një partie politike, e më pas nëse jo, si do të duket kjo marrëveshje. Ende nuk kemi diskutime konkrete për pozicione. Diskutuam për natyrën dhe modalitetet e kësaj zgjidhjeje, nuk kemi emra konkret, nuk kemi arritur në atë fazë”, tha kreu i LDK-së.
Kreu i LDK-së paralajmëroi se nëse nuk ka progres në javët në vijim, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Po përpiqemi për zgjidhje derisa ka takime. Nëse nuk bëjmë asgjë për tri javët e ardhshme, zgjedhjet i kemi të pashmangshme”, tha ai.



