Pesë burra dhe një qytet ,Durrësi në një fotografi të vitit 1989 ,në prag të një epoke të re

Pesë burra dhe një qytet ,Durrësi në një fotografi të vitit 1989 ,në prag të një epoke të re

Nga BUJAR QESJA

Ka fotografi që nuk janë thjeshtë kujtime. Ato janë copëza historie që mbajnë brenda një kohë, një frymë dhe mbi të gjitha njerëzit që i dhanë krenari qytetit të tyre. Një e tillë është kjo foto e fiksuar më 31 dhjetor 1989, para godinës së atëhershme të Komitetit Ekzekutiv të kp të rrethit të Durrës, sot Bashkia e qytetit.

Kanë kaluar 37 vite nga ajo ditë. Koha ka bërë rrjedhën e saj. Disa prej këtyre burrave nuk jetojnë, por në këtë fotografi ata mbeten të qëndrueshëm, të qetë, me atë seriozitet të butë, që shoqëronte brezin e tyre.

Janë pesë burra të mençur të Durrësit, përfaqësues të profesioneve dhe përgjegjësive të një kohe, por mbi të gjitha përfaqësues të qytetarisë durrsake.

Janë fiksuar këtu: Fadil Kërtusha, Arqile Qerimi, Agron Fishta, Luan Babameto dhe Lutfi Shehu.

Historia brenda fotografisë

Fadil Kërtusha, inxhinier dhe novator i njohur. I angazhuar me detyrën e kryeinxhinierit në Uzinën Elektromekanike. Por këtu drejtonte zyrën Tekniko-Shkencore të Komitetit Ekzekutiv. Ishte nga ata specialistë, që besonin tek përparimi teknik dhe tek puna e përkushtuar. I respektuar për seriozitetin dhe profesionalizmin e tij.

Arqile Qerimi, ekonomist i fortë dhe drejtues i financës së Komitetit Ekzekutiv. Pjesë e familjes së njohur qytetare Qerimi në Durrës, që ka dhënë figura të respektuara në fusha të ndryshme të jetës qytetare. Në këtë familje gjejmë emra si stomatologu Pirro Qerimi, mjeku otorinolaringolog Anastas Qerimi dhe mësuesi i spikatur i anglishtes Mihal Qerimi. Arqilea njihej për korrektësinë dhe seriozitetin në administrimin e financave.

Agron Fishta, inxhinier dhe drejtues teknik. Për t’u përmëndur është, funksioni i drejtorit në Kantierin Detar. Në pamje mban detyrën e nënkryetarit të Komitetit Ekzekutiv. Përfaqësonte atë brez specialistësh, që lidhën zhvillimin industrial dhe teknik të qytetit me organizimin e jetës administrative.

Luan Babameto, në atë kohë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të kp të rrethit të Durrësit. Profil me reputacion të veçantë. Babameto kishte mbajtur më parë edhe detyra të rëndësishme kombëtare, si ministër i Komunikacionit dhe drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave Shqiptare. Njihej si drejtues me përvojë dhe autoritet, i respektuar për maturinë, qetësinë dhe mënyrën e drejtimit.

Lutfi Shehu, kolonel dhe kuadër i lartë i ushtrisë, i diplomuar në akademi ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Në atë periudhë shërbente si shef i Mbrojtjes Civile të Durrësit. Është nga ata njerëz, që e njohin qytetin në çdo detaj, madje edhe vendstrehimet e ndërtuara për kohë lufte, shumë prej të cilave, për fat të keq, nuk ekzistojnë më.

Qytetaria mbi kohët

Kjo fotografi nuk është një foto politike, në kuptimin e ngushtë të fjalës. Është një fotografi e funksioneve dhe e përgjegjësive. Në të shohim inxhinierë, një ekonomist dhe një ushtarak, njerëz të profesioneve të ndryshme, që shërbenin në administrimin dhe organizimin e jetës së qytetit.

Por mbi të gjitha ajo tregon një tipar që ka shoqëruar gjithmonë Durrësin: qytetarinë.

Durrsakët, pavarësisht sistemeve politike dhe kohëve që kanë kaluar, kanë ditur të ruajnë respektin për njëri tjetrin. Në këtë qytet njerëzit vlerësohen për ndihmesën, për karakterin dhe për profilin e tyre njerëzor. Miqësia, dashamirësia dhe njerzillëku, shpesh kanë qenë më të forta se ndarjet e kohës.

Mall për tu prekur

Kjo foto mbetet dëshmi e një brezi burrash, që i shërbyen qytetit të tyre me përkushtim dhe pa interesa, me ndershmëri dhe pa kushte. Disa prej tyre nuk jetojnë më, por kujtimi mbetet në respektin e durrsakëve dhe në historinë e qytetit.
Sepse ndonjëherë një fotografi është më shumë se një imazh.

Ajo është një histori.
Një kohë.

Dhe mbi të gjitha, është kujtimi i njerëzve që e deshën dhe e nderuan qytetin e tyre.

Në foto, nga e majta: Fadil Kërtusha (nuk jeton), Arqile Qerimi( nuk jeton), Agron Fishta, Luan Babameto ( nuk jeton), Lutfi Shehu.
Durrës, 31 dhjetor 1989.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Fundi? Agjensia e lajmeve Axios: Ndërmjetësit e Iranit bëjnë përpjekjen e fundit për armëpushim 45-ditor

Sipas raportimit të Axios, bisedimet përfshijnë një grup ndërmjetësuesish...

Kriza e fshehur nis tani

  Nga Klevis Elezi ,Politolog Rritja e çmimeve të naftës nuk...

Mediat: SHBA-ja dhe Irani diskutojnë për armëpushimin 45-ditor, shanse të vogla për marrëveshje brenda 48 orëve

Negociatat prapa skenave për një armëpushim të mundshëm 45-ditor...