TIRANË, 4 prill /Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama bën me dije vijimin e investimeve në qytetin e Vlorës përmes zgjerimit të shëtitores bregdetare “Lungomare 4”, në zonën e Plazhit të Vjetër.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë projekt si një tjetër investim të rëndësishëm për qytetin turistik, i cili synon të shtrijë standardet moderne të infrastrukturës dhe të japë një impuls të ri zhvillimit urban.
Kreu i qeverisë theksoi se ndërhyrja do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e hapësirave publike dhe në rritjen e cilësisë së jetesës për qytetarët, si dhe në forcimin e potencialit turistik të Vlorës.

