NGA FATMIR POPJA
Bashkia e Belshit e ka kthyer traditë që çdo vit gjatë verës të organizojë aktivitete të shumta me qëllim promovimin e bukurive të shumta natyrore, pjesë e të cilave janë edhe 84 liqene karstike të zonës së Dumresë.
Një ndër aktivitetet dhe eventet superpromovuese të mrekullive natyrore të kësaj zone është edhe Festa “Nimfa e Liqeneve” që do zhvillohet mbrëmjen e 25 Gushtit.
Do të jetë një super koncert me “Yjet e muzikës shqiptare”, Eli Fara, Eranda Libohova,Irma Libohova,Rovena Ibrahimi,Vojsava Aliaj,Denisa Gjezo,Mariglen Hazizaj,Eglantina Toska, Ervin Bushati,Valbona Mema, Stivi Boka,Blerina Braka, Aurel Thellimi etj.
Nëpërmjet kësaj Feste tradicionale dhe aktiviteteve të tjera të larmishme që zhvillohen gjatë verës në destinacionet e shumta turistike të kësaj bashkie promovohen më së miri dhe në forma nga më mbresëlënëset edhe kultura, traditat, kulinaria ,produktet bio , muzika, këngët , vallet e kostumet popullore karakteristike të bashkisë së Belshit.
Nëpërmjet këtyre promovimeve kjo bashki synon që të nxitet dhe fuqizohet sa më shumë industria e turizmit në të gjithë zonën e Dumresë.
Kjo bashki është ndër të paktat në vendin tonë që gjatë viteve të fundit ka patur një zhvillim të vrullshëm të industrisë së turizmit duke i tejkaluar të gjitha pritshmëritë.
Kjo është arritur edhe falë investimeve të shumta të kryera si nga pushteti vendor edhe privatët në të gjitha drejtimet si në zonën urbane edhe në zonat rurale.
Aktualisht në Bashkinë e Belshit ,Agroturizmi dhe bujtinat me shërbimet e tyre mjaft cilësore janë duke u shtuar kohë pas kohe.
Mikpritja e shkëlqyer që ofrojnë këto biznese të shoqëruara me ushqime bio dhe me çmime të arësyeshme kanë bërë që me qindra e mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe një numër mjaft i madh turistësh të huaj nga të gjitha kontinentet të zgjedhin të vizitojnë Belshin ,sidomos gjatë fundjavave.
Të gjitha këto e kanë kthyer këtë zonë në një nga destinacionet turistike më të preferuar.
Kryebashkiaku i Belshit ,Arif Tafani ndihet krenar që kjo zonë gjatë viteve të fundit ka një zhvillim impresionues të industrisë së turizmit dhe e ardhmja e kësaj dege të ekonomisë sipas tij do ketë zhvillime mjaft pozitive.
Në zonën e Dumresë jo vetëm industria e turizmit por edhe bujqësia po ndikojnë në fuqizimin e ekonomisë lokale të kësaj zone e cila duhet promovuar parreshtur për të thithur edhe më shumë turistë pasi Belshi dhe e gjithë zona e Dumresë ka potenciale të shumta jo vetëm në fushën e turizmit por edhe në fusha të tjera.