TIRANË, 3 prill/Albania Express News / Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se opozita kurrë nuk ka kërkuar për asnjë sekondë dhe askund që të ndalet procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se “Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë denigruese shpifjesh në raport me sjelljen e opozitës ndaj anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian”.
“Nuk po i hyj rekordeve të tjera të errëta të Edi Ramës për të vonuar integrimin që meritat të mos i merrte Partia Demokratike, e cila kreu reforma rekord për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO, por më duhet të theksoj vetëm një rast të freskët sesi Edi Rama minoi besimin e vendeve anëtare tek Shqipëria. Ky është rasti famëkeq i Belinda Ballukut”, tha Bardhi.
Kjo, sipas tij, “është e vetmja e vërtetë pse sot ne kemi vende anëtare që nuk kanë besim tek qeveria e Shqipërisë”.
Ndërkohë Bardhi sqaroi se opozita ka kërkuar të njëjtat standarde që kërkon Bashkimi Europian.
“Të gjithë të jenë të barabartë para ligjit; zgjedhje të lira dhe të ndershme;
ekonomi pa oligarkë; tendera pa paracaktim; përdorim eficient dhe jo vjedhje të fondeve të BE”, tha Bardhi, duke shtuar se këto nuk janë kërkesa të opozitës, por janë kushtet e Europës për anëtarësim.
“300 milionë euro nga IPARD nuk i hoqi opozita. I pezulloi Bashkimi Europian, pasi u zbuluan abuzime të rënda me fondet nga qeveria e Edi Ramës. Dhe sot, hezitimet e disa vendeve anëtare nuk kanë të bëjnë me opozitën, por me pyetjet që ngre vetë Europa për korrupsionin, për presionin ndaj drejtësisë dhe për mbrojtjen politike që i bëhet njerëzve të pushtetit në urdhër të kryeministrit”, tha Bardhi.
Bardhi theksoi se anëtarësimi në BE nuk zgjidhet duke shpallur armiq të jashtëm dhe të brendshëm.
“Opozita ka të njëjtin qëndrim si studentët që pyetën sot Edi Ramën për integrimin dhe, në vend të një shtetari, panë një avokat të korrupsionit. Shansi real që ne të rikthejmë besimin e vendeve anëtare është një qeveri e pakorruptuar, që vendos të parin interesin e qytetarëve dhe jo pushtetin personal”, tha Bardhi.

