Lehtësi për detyrimet vendore në Elbasan, Bashkia njofton qytetarët dhe bizneset për përfitimet nga ligji i ri

Drejtoria e Taksave, Tarifave Vendore dhe Tregjeve pranë Bashkisë Elbasan ka bërë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë tatimpaguesit, lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore të pagueshme në doganë”.

Ky ligj u krijon mundësi qytetarëve dhe bizneseve që të lehtësojnë dhe të mbyllin detyrimet e prapambetura vendore përmes fshirjeve dhe reduktimeve të konsiderueshme.
Sipas njoftimit, fshihen plotësisht të gjitha detyrimet e papaguara që i përkasin periudhave tatimore deri më 31 dhjetor 2014, të përcaktuara sipas ligjit për sistemin e taksave vendore.
Ndërkohë, për periudhën 2015–2019 parashikohen dy skema lehtësuese.
Tatimpaguesit përfitojnë fshirjen e 50% të detyrimit, nëse pjesa tjetër paguhet e plotë brenda 30 qershorit 2026.

Ose fshirjen e 25% të detyrimit, nëse 75% e mbetur paguhet brenda 31 dhjetorit 2026.
Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatvonesat për këto periudha fshihen plotësisht.

Po ashtu, për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024, do të fshihen të gjitha gjobat dhe kamatvonesat, me kusht që detyrimi kryesor të paguhet brenda fundit të vitit 2026.

Megjithatë, ligji nuk parashikon përfitime për subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore apo doganore, si dhe për ata që janë aktualisht në proces gjyqësor apo hetimi për këto çështje.

Efektet e këtij ligji shtrihen për periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa zbatimi i tij do të nisë pas publikimit të udhëzimit përkatës.

Për më shumë informacion, qytetarët dhe bizneset mund të drejtohen pranë sporteleve të Drejtorisë së Taksave, Tarifave Vendore dhe Tregjeve në Bashkinë Elbasan.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME