Dinamo City vijon përgatitjet anti-AF Elbasani, më shumë alternativa dhe përforcime në sulm për Dajën
Dinamo City po vijon me përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat, e planifikuar të luhet të shtunën në stadiumin “Air Albania”. Pushimi i Kombëtareve ka ardhur në kohën e duhur për skuadrën e drejtuar nga trajneri Daja, duke qenë se Dinamo City ka pasur mundësinë që të ketë rikthime të rëndësishme dhe me shumë peshë në skuadër.
KOMBËTARJA- Ditën e djeshme, është rikthyer në Tiranë edhe Naser Aliji, i cili ka mbyllur grumbullimin e tij me Shqipërinë, ku për fatin e tij të keq, nuk pati asnjë minutë. Megjithatë, ky mund të jetë edhe një lajm i mirë për stafin teknik duke qenë se mbrojtësi është në gjendje të mirë fizike dhe gati për ndeshjen e së shtunës, ndërkohë që edhe ngarkesën e ka marrë në mënyrë të plotë me kuqezinjtë. Me klubin është bashkuar edhe Ilir Bozhiqi. Trajneri i portierëve ka përfunduar misionin e tij me portierët e Kombëtares dhe tashmë do të nisë nga puna për të përgatitur portierët e Dinamo City për pjesën e mbetur të kampionatit, që pritet të jetë një luftë për skuadrën blu.
RIKUPERIMET- Pushimi i Kombëtares i ka shërbyer jo pak Dinamo City , për të pasur një grup të plotë për javët në vijim. Kështu, Daja ka pasur me grupin Ledio Beqjen dhe Eridon Qardakun, të cilët kanë përfituar nga pushimi dhe tashmë janë gati për ndeshjen me AF Elbasanin. Në ditët e fundit, Dinamo City ka pasur edhe një rikthim shumë të rëndësishëm në sulm dhe bëhet fjalë për sulmuesin Saliu Guindo. Shtatlarti nga Mali është vënë në dispozicion të skuadrës dhe ka nisur përgatitjet me grupin duke dhënë sinjale se është gati për takimin e së shtunës ndaj AF Elbasanit, sfidë e cila mund të përcaktojë shumë për objektivin e Dinamo City për këtë sezon, ku “Final 4” dhe Kupa e Shqipërisë janë padyshim dy frontet në të cilat synojnë sukses.
MUNGESAT- Dinamo City nuk do të ketë mungesa për shkak kartonësh në sfidën ndaj AF Elbasanit, megjithatë Klevi Qefalija ende nuk ka lënë pas dëmtimin. Mesfushori do të jetë mungesa e madhe e Dinamo City për takimin e fundjavës, edhe pse skuadra blu ka alternativa të shumta sidomos në repartin e mesfushës, ku të shumtë janë emrat që mund të zëvendësojnë mesfushorin që po vuan një dëmtim prej rreth 3 javësh.
TË RREZIKUARIT – Megjithëse Dinamo City ndaj Elbasanit nuk do të ketë mungesa, janë plot 6 lojtarë që rrezikojnë të mungojnë nëse ndëshkohen me kartonë të verdhë, ndërkohë që është edhe Ilir Daja në listën e të rrezikuarve. Nga 6 lojtarët që rrezikojnë, janë thuajse të gjithë titullarë të Ilir Dajës dhe në kampin blu, shpresohet që kartonët të jenë me pikatore në këtë pikë të kampionatit, duke qenë se çdo lojtar është me rëndësi për të qenë me skuadrën.

