Vijon puna për pastrimin dhe mirëmbajtjen e çdo zone në qytetin e Himarës, në kuadër të përmirësimit të standardeve të higjienës dhe imazhit urban.
Një ndër pikat problematike, zona e ish-stacionit elektrik, ishte kthyer prej kohësh në një vend grumbullimi të mbetjeve të ndryshme, duke përfshirë materiale inerte, mbetje shtëpiake dhe mbetje bimore të përdorura nga aktivitetet tregtare. Kjo situatë kishte krijuar një panoramë të papranueshme si në aspektin vizual, ashtu edhe në atë higjieno-sanitar.

Ndërhyrja e ndërmarrjes së Shërbimeve Publike ka bërë të mundur pastrimin e plotë të hapësirës. Me angazhimin e punëtorëve dhe përdorimin e mjeteve përkatëse, mbetjet u larguan dhe zona u sistemua, duke i dhënë një tjetër pamje.
Gjithashtu, në këtë hapësirë janë vendosur dhe rinovuar koshat e mbetjeve urbane, duke e kthyer atë në një pikë të autorizuar nga bashkia për depozitimin e kontrolluar të mbetjeve.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se Policia Bashkiake do të monitorojë vazhdimisht zonën, për të parandaluar hedhjen e mbetjeve jashtë vendeve të përcaktuara dhe për të garantuar ruajtjen e pastërtisë.
Ky aksion vjen në funksion të një qyteti më të pastër dhe një oferte turistike më cilësore për vizitorët e shumtë që zgjedhin Himarën.


