“Inceneratori fantazmë” përfundon në gjykatë – opozita padit Bashkinë e Elbasanit për miliona lekë pagesa pa shërbim
Një tjetër përplasje e fortë politike dhe ligjore ka shpërthyer në Elbasan, këtë herë rreth kontratës së menaxhimit të mbetjeve, e cila sipas opozitës po i kushton qytetarëve miliona lekë për një shërbim që nuk kryhet.
Pak ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi kontratën e re njëvjeçare me shoqërinë publike “Eco-Elb”, vetëm me votat e maxhorancës, duke injoruar kundërshtitë e forta të këshilltarëve opozitarë. Edhe në këtë marrëveshje të re, bashkia do të vijojë të paguajë 2600 lekë për çdo ton mbetje të depozituar në landfill, ndonëse inceneratori – komponenti kryesor i trajtimit – rezulton jashtë funksionit prej vitesh.
Që prej vitit 2022, kur “Eco-Elb” mori në administrim landfillin dhe inceneratorin problematik nga kompania koncesionare “Albtek Energy”, bashkitë e qarkut kanë vijuar pagesat për një paketë shërbimesh që përfshinte edhe incenerimin. Por, sipas opozitës, ky proces nuk është realizuar asnjëherë, duke ngritur dyshime të forta për abuzim financiar dhe keqmenaxhim të fondeve publike.
Edhe pse në vitin 2025 termi “incenerim” u hoq nga kontrata, tarifa mbeti e pandryshuar, çka ka shtuar akuzat për një barrë të padrejtë mbi qytetarët.
Në këtë klimë tensioni, këshilltarja e Partisë Demokratike në Elbasan, Bianka Çopja, ka ndërmarrë një hap të fortë ligjor duke paditur Bashkinë në Gjykatën Administrative të Tiranës. Padia, e depozituar më 25 mars 2026 dhe e shortuar për shqyrtim nga gjyqtari Hazbi Balliu, synon të ndalojë atë që opozita e cilëson si “pagesa abuzive për një incenerator që nuk ekziston realisht”.
Çopja kërkon nga gjykata të shpallë të pavlefshme kontratat e viteve 2022 e në vijim për pjesën e incenerimit dhe trajtimit të mbetjeve, të detyrojë bashkinë të bëjë transparencë të plotë për dëmin financiar, si dhe të ndërpresë menjëherë pagesat për shërbime të pakryera. Një tjetër kërkesë kyçe është nisja e procedurave për rikuperimin e fondeve publike të paguara padrejtësisht.
Madje, duke e cilësuar situatën emergjente, ajo i ka kërkuar gjykatës edhe pezullimin e menjëhershëm të pagesave ndaj “Eco-Elb” deri në një vendim përfundimtar.
Në padi, këshilltarja demokrate akuzon Bashkinë e drejtuar nga Gledian Llatja për “zero transparencë”, duke pretenduar se kërkesat e vazhdueshme për informacion mbi financat dhe funksionimin e impiantit janë injoruar sistematikisht. Sipas saj, asnjëherë nuk është dhënë një përgjigje zyrtare mbi shpenzimet dhe gjendjen reale të landfillit.
Situata rëndohet edhe më tej nga shqetësimet e banorëve pranë zonës së depozitimit, të cilët ankohen për ndotje dhe erë të rëndë, ndërsa përmenden edhe raste të përsëritura zjarresh për shkak të tejmbushjes së landfillit.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, Çopja shkon edhe më tej, duke e cilësuar impiantin si një “incenerator fantazmë” dhe duke pretenduar se ndezjet sporadike janë përdorur për të krijuar një imazh të rremë funksionimi. Sipas saj, mbetjet janë grumbulluar përtej kapaciteteve, ndërsa materiale të riciklueshme dyshohet se janë shitur në mënyrë private.
Tashmë, sytë janë nga Gjykata Administrative, vendimi i së cilës mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si menaxhohen dhe financohen mbetjet në Elbasan – dhe ndoshta të hapë një tjetër kapitull në debatin e gjatë për inceneratorët në Shqipëri. / KAPITALI /

