Një zë që vjen nga diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rikthyer në vëmendje një çështje me rëndësi për historinë sportive dhe identitetin e qytetit të Elbasanit. Një emër i njohur e elitës intelektuale elbasanase, Kadri Hyshmeri ka bërë një thirrje publike drejtuar institucioneve shtetërore dhe vendore në Shqipëri për të nderuar siç duhet figurat emblematike të futbollit vendas, veçanërisht legjendën Mihal Gjika.
Në sugjerimin e tij, Hyshmeri ,tashmë pjesë e Diasporës shqiptare né Amerikë propozon vendosjen e një shtatoreje në qendër të qytetit të Elbasanit për ish futbollistin e famshëm Mihal Gjika, duke e përjetësuar atë në një simbol të përhershëm të sportit dhe krenarisë qytetare. Ai shkon më tej, duke kërkuar që kjo shtatore të përfshijë edhe një tjetër figurë të shquar të familjes, Dhimitër Gjikën, duke i paraqitur të dy me kostum sportiv si përfaqësues të një epoke të artë të futbollit elbasanas.

“Një nderim i tillë nuk është thjesht për vëllezërit Gjika, por për vetë qytetin e Elbasanit”, thekson Hyshmeri, duke nënvizuar kontributin e jashtëzakonshëm që kjo familje i ka dhënë sportit shqiptar ndër vite.
Ai gjithashtu ngre çështjen e trajtimit financiar dhe institucional të figurave të sportit, duke sugjeruar që sportistë të tillë me merita të padiskutueshme duhet të përfitojnë pensione të posaçme, në përputhje me kontributin e tyre, njësoj si kategori të tjera që aktualisht përfitojnë privilegje të tilla.

Në argumentimin e tij, Hyshmeri sjell në vëmendje faktin se familja Gjika ka nxjerrë katër vëllezër futbollistë që kanë lënë gjurmë në historinë e “Labinotit” dhe futbollit shqiptar: Mihal Gjika (Lakja), kapiteni legjendar i ekipit të Labinotit , Dhimitër Gjika (Mita), Petrit Gjika (Titi) dhe Spiro Gjika (Pila).
Në fund të reagimit të tij, ai i drejtohet konkretisht Komisionit të Vlerësimit të Personaliteteve pranë Këshillit Bashkiak të Elbasanit, si dhe kryetarit të këtij këshilli, duke i ftuar që ta marrin në konsideratë këtë propozim si një detyrim moral dhe qytetar ndaj figurave që kanë nderuar qytetin.
Ky apel nga diaspora rikthen në fokus nevojën për vlerësimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sportive, duke i dhënë vendin që meritojnë emrave që kanë bërë histori.


