ELBASAN, 29 mars 2026 – Procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike në Elbasan është përfshirë nga akuza të forta dhe tensione të hapura politike, pasi një nga figurat më të njohura të së djathtës lokale, akademikja Doris Madhi, ka denoncuar publikisht përjashtimin e saj nga lista e anëtarësisë.
Drejtuese e grupit të këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak, Madhi e cilëson këtë veprim si një akt arbitrar dhe në shkelje të hapur të statutit të Partisë Demokratike, duke ngritur dyshime serioze mbi integritetin e procesit zgjedhor në degën e Elbasanit.
Sipas saj, ndonëse prej afro tetë vitesh është pjesë aktive e PD-së dhe një zë i spikatur në strukturat lokale, emri i saj është hequr nga listat pa asnjë njoftim ligjor dhe jashtë çdo afati procedural.
“Vendimet merren në mënyrë arbitrare dhe jashtë çdo rregulli. Ky proces nuk është më demokratik,” është shprehur Madhi, duke paralajmëruar se rasti i saj nuk është i izoluar.
Akuzat e saj shkojnë drejtpërdrejt ndaj deputetit të PD Blendi Himçi, të cilin ajo e konsideron përgjegjës për situatën e krijuar në degën e PD-së Elbasan. Sipas Madhit, ndërhyrjet politike dhe vendimmarrja e motivuar nga interesa personale po deformojnë garën dhe po përjashtojnë figura të rëndësishme nga procesi.
Ajo thekson se çdo procedurë për pezullim apo përjashtim anëtarësie duhet të ndjekë rregulla të qarta statutore, të cilat, sipas saj, janë shpërfillur plotësisht në këtë rast, duke e bërë të gjithë procesin të kontestueshëm.
Pavarësisht zhvillimeve, Madhi deklaron se nuk do të tërhiqet nga angazhimi i saj politik dhe do të vijojë të përfaqësojë qytetarët në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, duke e cilësuar këtë betejë si një çështje parimesh dhe demokracie të brendshme.
Ndërkohë, deri më tani mungon një reagim zyrtar nga deputeti Blendi Himçi apo strukturat qendrore të Partisë Demokratike, çka e shton edhe më tej mjegullën mbi këtë situatë.
Me procesin zgjedhor në zhvillim dhe akuzat që po rëndojnë klimën politike, dega e PD-së në Elbasan duket se po përballet me një nga momentet më të vështira, ku transparenca dhe legjitimiteti i garës janë vënë seriozisht në pikëpyetje.

