Tempulli i Afërditës në Liqenin e Seferanit

 

Nga Et’hem Ruka

Shekuj e shekuj më parë, mbi një kodër në zemër të Dumresë, lulëzonte qyteti ilir i Gradishtës. Brenda mureve të tij ndodheshin shtëpitë e banorëve, punishtet e zejtarëve dhe vendet ku prodhohej vaji i ullirit dhe vera. Në portën kryesore të qytetit valëvitej një flamur, në qendër të të cilit ishte vizatuar një zambak uji, simbol i liqeneve dhe i bukurisë së kësaj krahine.

Pamja përtej mureve të qytetit ishte mbresëlënëse. Prej andej mund të shikoje gjithë Dumrenë me kodrat e saj të buta, si edhe liqenet e shumta, të cilat në buzëmbrëmje shndrisnin si pasqyra të përflakura nga rrezet e diellit që perëndonte.

Diku në qendër të qytetit ngrihej një ndërtesë dykatëshe, e rrethuar me mure të larta, ku banonte prijësi i qytetit, i cili i përkiste fisit të Parthinëve. Ai ishte një burrë i urtë dhe i mençur, që gëzonte respektin dhe besimin e qytetarëve të tij. Vendimet për administrimin e jetës së përditshme i merrte së bashku me këshillin e pleqve, duke dëgjuar mendimin e më të urtëve të qytetit. Por në çaste rreziku apo lufte, ai ishte i pari që jepte kushtrimin, dhe menjëherë i madh e i vogël rrëmbenin armët për të mbrojtur vatanin dhe nderin e tyre.

Por jeta e qytetit nuk ishte vetëm punë dhe luftë. Njerëzit ndienin edhe nevojën e thellë për t’u falur dhe për të kërkuar mbrojtjen e hyjnive të tyre. Ata besonin në fuqitë e natyrës dhe në perënditë që sundonin botën dhe fatin e njerëzve. Qytetarët e Gradishtës kishin zgjedhur t’i drejtonin lutjet e tyre Afërditës, hyjneshës së dashurisë, bukurisë dhe pjellorisë, të cilën e nderonin me përkushtim dhe respekt të thellë.

Sipas gojëdhënave të vjetra, Afërdita, kjo hyjneshë mitike me bukuri të rrallë, ishte bijë e ujit, sepse lindi nga shkuma e detit. Që në çastin kur vuri këmbë në tokë, ajo magjepsi jo vetëm njerëzit, por edhe vetë hyjnitë e Olimpit. Bukurisë dhe fuqisë së saj nuk mund t’i rezistonte askush.

Në kultura të ndryshme të botës së lashtë, hyjnesha e dashurisë dhe e bukurisë njihej me emra të ndryshëm. Tek grekët ajo quhej Afroditë, te ilirët Afërdita, ndërsa tek romakët njihej si Venera. Në qytetërimet më të vjetra të Lindjes së Afërt ajo kishte forma të ngjashme: tek sumerianët përmendej si Inanna, tek fenikasit si Astarte, ndërsa në kulturën etruske quhej Turani. Këto hyjni, megjithëse me emra të ndryshëm, përfaqësonin pothuajse të njëjtat ide: dashurinë, bukurinë, pjellorinë dhe fuqinë krijuese të jetës.

Dikur Këshilli i pleqve të Gradishtës kishte vendosur që vendi i adhurimit për kultin e Afërditës të ngrihej buzë liqenit të Seferanit, shumë pranë mureve të qytetit.

U mblodhën gjithë mjeshtart e zonës dhe një ditë i dhanë jetë tempullit të shenjtë.

Një mur i ulët në formë harku rrethonte një shesh të shtruar me pllaka guri. Pas murit u ndertuan disa shkalle guri si në amfiteatrët antike ku mund te uleshin njerëzit. Në qendër të tij ngrihej një piedestal, mbi të cilin ishte vendosur skulptura e Afërditës. Pamja e saj mahnitëse dukej sikur rrezatonte një dritë të shenjtë mbi liqenin, qytetin dhe gjithë krahinën përreth.
Përpara skulpturës qëndronte altari prej guri, ku njerëzit sillnin flijime dhe linin dhurata në shenjë nderimi dhe lutjeje. Katër a pesë shkallë zbrisnin ngadalë drejt ujërave të liqenit, sikur tempulli vetë të dëshironte të afrohej me ujin për t’u freskuar dhe për të shuar etjen. Uji i qetë pasqyronte monumentin dhe altarin, duke i dhënë gjithë hapësirës një ndjenjë të thellë shenjtërie dhe paqeje.

Në pranverë, kur zambakët e ujit i jepnin liqenit një pamje edhe më të pazakontë, dukej sikur vetë natyra kishte gjetur mënyrën e saj për të nderuar hyjneshën e bukurisë, Afërditën. Sipërfaqja e ujit mbulohej me petalet e bardha e të verdha të zambakëve, të cilat lëkundeshin lehtë mbi valët e qeta, duke u shkrirë me pasqyrimin e tempullit të shenjtë. Në atë çast liqeni dukej si një pasqyrë e, ku bukuria e natyrës dhe madhështia e hyjneshës bashkoheshin në një pamje të rrallë dhe magjepsëse.

Tashmë banorët e Gradishtës dhe të zonës përreth kishin një vend të shenjtë ku mund të drejtonin lutjet e tyre. Ata i luteshin hyjneshës për martesa të lumtura, për lindjen e shumë fëmijëve dhe për gratë që nuk mund të bëheshin nëna. Por jo vetëm kaq. Ata i kërkonin Afërditës bukuri dhe shëndet për fëmijët e tyre, mbrojtje gjatë udhëtimeve të largëta, harmoni në marrëdhëniet familjare, si edhe fat e begati në jetën e përditshme.

Shumë prej tyre besonin se lutjet e bëra dëgjoheshin dhe nuk mbeteshin kurrë pa përgjigje. Me shpresën se dëshirat e tyre do të përmbusheshin, njerëzit linin dhurata përpara skulpturës së Afërditës. Aty vendosnin lule dhe kurora të freskëta, parfume me vajra aromatikë, enë qeramike dhe skulpturina të vogla në formë figurash.

Çdo ditë në tempull vinin njerëz të ndryshëm, duke e kthyer bregun e liqenit në një vend të gjallë pelegrinazhi. Vinin nuse që nuk shkonin mirë me vjehrrat e kunatat dhe kërkonin paqe në familje. Në buzëmbrëmje shfaqeshin nuse të reja që luteshin për të mbetur shtatzëna. Vinin gra që kishin mosmarrëveshje me burrat dhe kërkonin harmoni në jetën e tyre. Disa luteshin për të lindur djem, sepse kishin vetëm vajza, ndërsa të tjera kërkonin shëndet, bukuri dhe fat për foshnjat e tyre që po rriteshin.Njerëzit vinin të ngarkuar dhe largoheshin me shpirt të lehtësuar.

Por në ditët e para të pranverës, atëherë kur zambakët e ujit çelnin mbi sipërfaqen e qetë të liqenit, ai shndërrohej në një vend feste për gjithë zonën. Banorët vishnin rrobat më të mira, merrnin me vete ushqime dhe dhurata, dhe mblidheshin pranë tempullit. Luteshin para skulpturës së Afërditës, vendosnin dhuratat e tyre mbi altar dhe më pas uleshin me familjet në barin përreth liqenit, duke ndarë ushqimin dhe gëzimin e ditës së shenjtë.

Kjo traditë vazhdoi për shumë shekuj. Por një ditë ndodhi diçka e papritur. Shkëmbi që shërbente si taban i liqenit filloi të shkrifërohej. Ujërat nisën të zgjeroheshin dhe liqeni u bë gjithnjë e më i thellë. Kjo nuk ndodhi brenda një dite, por ngadalë, vit pas viti. Në fillim uji mbuloi shkallët e tempullit, më pas sheshin e shtruar me pllaka guri. Me kalimin e viteve u zhduk edhe altari, skulptura e Afërditës dhe muri rrethues. Tempulli nuk u shkatërrua. Ai thjesht u përpinë nga ujërat, sikur vetë liqeni ta kishte marrë në mbrojtje në thellësinë e tij.

Edhe kur gjithçka ishte zhdukur nën ujë, njerëzit vazhdonin të vinin në breg të liqenit. Ata bënin lutjet e tyre dhe hidhnin dhurata qeramike në ujë, duke besuar se Afërdita ende i dëgjonte.

Me kalimin e kohës, tempulli filloi të harrohej. Historia e tij u kthye në gojëdhënë dhe legjendë që përcillej nga një brez në tjetrin. Por ndonjëherë rastësia bashkon kohët.

Në vitet 1970, kur në këtë zonë ra një thatësirë e madhe, niveli i ujit u ul dhe liqeni filloi të tkurrej. Fëmijët që notonin në ujë vunë re në fundin e liqenit disa objekte të çuditshme prej qeramike. Ato ishin dhuratat që paraardhësit e tyre kishin hedhur dikur në ujë, në shenjë lutjeje dhe falënderimi.

Lajmi u përhap shpejt dhe tërhoqi vëmendjen e studiuesve. Një ekspeditë arkeologësh, e pajisur me mjete zhytjeje, zbuloi në fundin e liqenit shumë artefakte qeramike dhe objekte të tjera të lashta, të cilat edhe sot ruhen në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.
Tempulli ende qëndron i fshehur nën ujërat e liqenit. Por pranë brigjeve të tij është vendosur sërish skulptura e Afërditës, si një kujtesë e gjallë e lashtësisë.

Kështu, njerëzit e sotëm kanë mundësi të takohen me historinë dhe me besimet e të parëve të tyre. Në nderim të kësaj trashëgimie dhe të kujtimit të paraardhësve, liqeni është shpallur zonë e mbrojtur dhe banorët e Belshit organizojnë çdo vit Festivalin e Afërditës.

Ruajtja dhe ripërtëritja e traditave të lashta është një mënyrë për të forcuar kujtesën historike dhe identitetin kulturor të kësaj treve.

PS: Falenderoj mikun tim te vjeter Xhemal Maton i cili me nxiti te shkruaj kete rrefenje. Ai ka qene pjese e ekspedites qe beri kerkime nen uje ne liqenin e Seferanit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...