Një atmosferë e rrallë emocionesh përfshiu sot qytetin e Koplikut, ku sporti dhe krenaria lokale u bashkuan në një ceremoni madhështore, ndryshe nga çdo spektakël i zakonshëm në fushën e blertë apo në ringun e boksit. Salla u duk e vogël përballë interesimit të jashtëzakonshëm të qytetarëve, të cilët mbushën çdo hapësirë për të qenë pjesë e këtij momenti historik.

Me një vendim unanim të Këshillit Bashkiak, Bashkia Malësi e Madhe, nën drejtimin e kryetarit Tonin Marinaj, nderoi me titullin prestigjioz “Qytetar Nderi” tre prej figurave më të shquara të sportit shqiptar: futbollistët e Kombëtares Mario Mitaj dhe Armando Broja, si dhe kampionin e botës në boks Jurgen Uldedaj.
Ky vlerësim vjen si një shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në sport dhe për mënyrën se si ata kanë ngritur lart emrin e Malësisë së Madhe dhe të gjithë Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Ceremonia u kthye në një festë të vërtetë, ku duartrokitjet dhe emocionet nuk munguan asnjë moment. Të pranishmit përjetuan krenari të veçantë për këta djem, që me talentin, përkushtimin dhe sukseset e tyre janë kthyer në modele frymëzimi për të rinjtë.
Një falënderim i veçantë shkoi edhe për organizatorët, të cilët vlerësuan kontributin mediatik në promovimin e sportistëve shqiptarë.

Në fund, mes emocionesh dhe ovacionesh të gjata, mesazhi ishte i qartë: Mitaj, Broja dhe Uldedaj nuk janë vetëm krenaria e Malësisë së Madhe, por ambasadorë të denjë të gjithë shqiptarisë në botë.


