Nga Etleva Rrapa
Ditë e fundit , një delegacion nga Toskana zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, me synimin për të hapur horizonte të reja bashkëpunimi dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme mes dy vendeve përmes politikave të reja të integrimit dhe zhvillimit të përbashkët.
Takimi zyrtar u zhvillua të pak ditë më parë , në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët Erion Malaj dhe Briseida Cakërri, së bashku me stafin mediatik dhe administrativ, paraqitën një panoramë të një Shqipërie në zhvillim të vazhdueshëm, me një qasje dinamike ndaj politikave territoriale dhe perspektivave të reja të bashkëpunimit.

Delegacioni përbëhej nga Maurizio Bruschi, Asesor për Turizmin dhe Promovimin e Territorit në Bashkinë e Serravalle Pistoiese, Nicola Bruni, Komandant i Policisë Vendore të kësaj bashkie, Stefano Paolo Ciampi, President i Komitetit të Panairit të Casalguidi, Andrea Andreotti, Sekretar Provincial i Partisë Socialiste, Massimo Pieri, Koordinator Kombëtar i Sportit për +Europa, Paolo Bresci, Nënkryetar i Shoqatës INTEGRITY, si dhe Etleva Rrapa, Presidente e Shoqatës INTEGRITY dhe promotore e politikave të integrimit mes dy popujve.
Gjatë vizitës, delegacioni solli një vlerësim mjaft pozitiv për rolin dhe integrimin e komunitetit shqiptar në Toskanë, duke nënvizuar ndikimin e tij në ekonomi dhe në zhvillimin e territorit.

Një nga ndalesat kryesore ishte qyteti i Lushnjës, ku të shtunën, më 14 mars, kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa prezantoi qytetin si një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit në Ballkan, me produkte cilësore të pranishme jo vetëm në tregun europian dhe atë amerikan, por edhe në Japoni e Australi. Sipas delegacionit, Lushnja do të përfaqësojë një risi në Panairin e Casalguidi në muajin shtator, duke hapur rrugën për projekte të reja të përbashkëta.
Ndalesa e fundit ishte në agroturizmin “Paja” në Belsh, i drejtuar nga Gëzim Paja, ku delegacioni u njoh nga afër me potencialin lokal në turizëm, mikpritje dhe promovimin e traditës.
Në një prononcim të tij, Maurizio Bruschi u shpreh se delegacioni është pritur në qytete të ndryshme të Shqipërisë me miqësi të madhe dhe frymë të lartë bashkëpunimi. Ai bëri të ditur se, shumë shpejt, disa produkte nga zonat e vizituara do të prezantohen përmes INTEGRITY më 25 prill në aktivitetin “Serravalle DeGusto”, ndërsa në shtator do të mirëpritet një delegacion shqiptar në Panairin e Casalguidi. Bruschi theksoi gjithashtu se roli i Etleva Rrapës ka qenë vendimtar në ndërtimin e një ure të fortë komunikimi dhe bashkëpunimi mes dy popujve.

Përgjatë itinerarit që përfshiu Tiranën, Lushnjën, Beratin, Belshin dhe Durrësin, delegacioni toskan pati mundësinë të njihte nga afër realitete të reja, të përjetonte bukurinë e jetës vendase dhe të kuptonte thellësisht domethënien e mikpritjes shqiptare. Përshtypje të veçantë la edhe vlerësimi i brezit të ri, roli i spikatur i grave në të gjithë sektorët, si dhe energjia për të punuar dhe për të përmirësuar jetën e çdo individi.
Vizita u shoqërua jo vetëm nga takime institucionale e sociale, por edhe nga ngjyrat, shijet dhe aromat e pranverës, duke i dhënë këtij udhëtimi një dimension të veçantë njerëzor dhe kulturor.
Në përfundim, Maurizio Bruschi theksoi se objektivi i Shoqatës INTEGRITY për të qenë e pranishme me ide të reja në arenën ndërkombëtare mund të konsiderohet i realizuar, ndërsa nënvizoi se ky është vetëm fillimi i një rruge të re, të ndërtuar mbi mirëkuptimin, respektin dhe lidhjet e hershme mes dy popujve.

