Athinë – Në një takim festiv të organizuar në Athinë, drejtues dhe aktivistë të strukturave të Partisë Socialiste në Greqi kanë përkujtuar 20-vjetorin e krijimit të organizimit të kësaj force politike në shtetin helen. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, i cili vlerësoi kontributin ndër vite të diasporës shqiptare në forcimin e strukturave të partisë dhe në mbështetjen e saj në sfidat elektorale.

Gjatë fjalës së tij, Balla shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin e Partisë Socialiste në Greqi përgjatë dy dekadave, duke theksuar se puna e strukturave në diasporë ka qenë vendimtare në mobilizimin e komunitetit shqiptar. Ai u ndal veçanërisht te rezultatet e arritura në zgjedhjet e fundit, duke e cilësuar Greqinë si një nga shembujt më të mirë të organizimit të qëndrueshëm të partisë jashtë vendit.

Sipas tij, ky përvjetor nuk është vetëm një moment reflektimi për rrugëtimin 20-vjeçar, por edhe një pikënisje për një fazë të re të zgjerimit të organizimit politik të socialistëve në diasporë. Balla njoftoi se duke nisur nga dita e nesërme do të çelet një proces i ri anëtarësimesh në strukturat e Partisë Socialiste në Greqi, me synimin për të rritur pjesëmarrjen e shqiptarëve të këtij vendi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029.

Në këtë kuadër, ai theksoi se Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila këtë vit shënon edhe 35-vjetorin e krijimit të saj, synon të zgjerojë më tej organizimin politik në diasporë, në çdo vend ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë.
“Mirënjohje për diasporën shqiptare që ka qenë gjithmonë një mbështetje e fortë për Shqipërinë dhe për Partinë Socialiste”, u shpreh Balla, duke nënvizuar rëndësinë e rolit të emigrantëve në proceset demokratike dhe në zhvillimin e vendit.

Takimi në Athinë u zhvillua në një atmosferë festive, ku u vlerësua kontributi i drejtuesve dhe aktivistëve që prej dy dekadash kanë mbajtur gjallë strukturat e Partisë Socialiste në Greqi, duke e kthyer diasporën në një faktor të rëndësishëm në jetën politike shqiptare.


