Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se projekti i Portit të Ri në Porto Romano, në Durrës do të ndërtohet, duke e konsideruar atë një nyje strategjike dhe logjistike të Korridorit VIII, e cila do të ndryshojë dimensionin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit.
Gjatë një konference për shtyp, Rama theksoi se kompania e cila kishte kaluar të gjitha fazat e konkursit dhe duhej të bënte ofertimin final është tërhequr në momentin e fundit, duke iu referuar krizës së çmimeve dhe lidhjes së ofertës financiare me tavanin të vendosur nga studimi i kompanisë Royal Haskoning, e specializuar në projekte porte dhe aeroporte, si dhe me kërkesat e procedurës së hapur të organizuar nga qeveria shqiptare.
“Në momentin e fundit kompania që ka kaluar të gjitha fazat dhe duhet të bënte ofertimin e fundit është tërhequr, duke iu referuar situatës së krizës dhe duke qenë se oferta financiare do të ishte e lidhur me tavanin që ka vendosur studimi i bërë nga kompania më e madhe e botës për ndërtimet e porteve dhe aeroporteve, infrastruktura Royal Haskoning dhe me tavanin e vendosur nga kërkesa në procedurë në hapur organizuar nga qeveria shqiptare”, deklaroi Rama.
Kryeministri duke iu referuar disa qëndrimeve në medie për presion ndaj kompanisë, tha se nuk kishte të dhëna se kompania është ndodhur nën presion.
“Nuk kemi arsye të shikojmë pas ndonjë gjë tjetër, ne, vet. Nuk kemi të dhëna që kompania është ndodhur nën ndonjë presion”, vuri në dukje ai.
Rama po ashtu deklaroi se nuk ka pasur presion nga SHBA apo BE ndaj qeverisë, lidhur me këtë projekt.
“I gjithë procesi është zhvilluar nën presion. por jo nën presionin e SHBA, siç thuhet pa asnjë argument sepse nuk ka pasur absolutisht presion, apo asnjë shqetësim të shprehur as nga SHBA, as nga BE, as nga askush. Por ka pasur presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë natyrisht të painteresuar që ai port të jetë një histori suksesi”, deklaroi Rama.
Rama u shpreh se ka forca të interesuara të mos ecte përpara projekti i portit të ri.
“Keni parasysh që nga “A”, kur disa thonë: po, çfarë duhet një port i ri, ne kemi portin tone, atë kënetën në zemër të Durrësit, dhe e lidhnin idenë e portit të ri me shitjen e atdheut në duart e arabëve, në fakt, e vërteta është që përtej injorancës, që gjithmonë faktor në mënyrën si trajtohen çështjet këtu pavarësisht nga rëndësia madhore që mund të kenë që në krye të herës ka pasur forca të interesuara të mos ecte përpara projekti i portit të ri”, theksoi Kryeministri.
Rama shpjegoi edhe se pse.
“Për një arsye që cilido që do ta kuptojë e kupton pa ndonjë mundim të madh: Porti ekzistues nuk ka asnjë kapacitet për të qenë nyja strategjike dhe logjistike e Korridorit VIII. Është në të gjitha aspektet, edhe sikur ta marrësh dhe ta zbukurosh, i papërshtatshëm për të qenë nyje logjistike e Korridorit të VIII. Këtë nuk e them unë, por të gjitha analizat e bëra dhe të gjitha proceset e ndjekura, dhe këtë e thotë realiteti i thjeshtë. Porti është në mes të qytetit. Pa llogaritur kapacitetet e portit ekzistues që janë krejt të papërshtatshme për të mbajtur gjithë peshën e Korridorit VIII”, u shpreh Rama.
Së dyti, Kreu i Ekzekutivit renditi faktin se porti i ri, si nyje lidhëse e Korridorit VIII është një port që e çon Shqipërinë në një nivel krejt tjetër.
“Jo vetëm Shqipërinë, por edhe shqiptarët në një nivel krejt tjetër sepse është një nyje e lidhur me dy nyje të tjera strategjike: portin e Thatë të Prishtinës dhe porti i Thatë i Shkupit. Porti i Thatë i Shkupit parashikohej të ndërtohej në Strugë dhe qeveria e re e ka parë të arsyeshme ta spostojë në Shkup. Ky spostim mund të mjaftojë logjikon për të kuptuar se këtu kemi të bëjmë edhe me një përmbajtje të rëndësishme interesash kombëtare strategjike. Tani, nëse ju mendoni se të gjithë mezi po presin që shqiptarët të bëhen më të fortë, mund ta mendoni gabim, por ju siguroj që jo”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se një sërë vendesh nuk e mirëpresin ndërtimin e Porto Romanos.
“Dhe kjo nuk ka lidhje me armiqësi të natyrës gjeopolitike, vetëm, ka lidhje me interesa tregtare të vendeve”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se as ata që i kanë të lidhura interesat me rrugët e trafikut nuk e mirëpresin.
“Nëse ju mendoni se porti i ri është një port që ata të cilët kanë interesa të lidhura me rrugët e trafikut mezi po e presin, mendoni gabim. Përkundrazi, nuk kanë asnjë arsye të presin”, deklaroi ai.
Kryeministri theksoi se korridori i VIII është pjesë e rrjetit europian të transportit.
“Dhe ka edhe një fakt tjetër që e kam shpjeguar më parë: vet korridori i tetë është pjesë e rrjetit europian të transportit, jo se e themi ne. Sepse mund të kemi edhe korridorin Durrës-Prishtinë, është pjesë e korridorit, por nuk është në hartën e rrjetit europian të transportit që gjendet në zyrat e Komisionit Europian në Bruksel. Që do të thotë se statusi i një korridori të rrjetit europian të transportit është tjetër nga statusi i një korridori që mund të jetë në mes të Europës, por nuk është në atë rrjet, duke filluar që nga financimi”, bëri të ditur Rama.
Sipas tij, korridoret që nuk janë në atë hartë nuk financohen.
“Mund t’i ndërtojmë vetë, siç ne do të ndërtojmë së bashku me qeverinë e Kosovës hekurudhën Durrës-Prishtinë, dhe kemi folur me Kryeministrin në Prishtinë herën e fundit për dy mundësi financimi të cilat do t’i eksplorojmë së bashku. Por ama nuk ka asnjë shans që të kemi akses në fondet europiane për aksin Durrës-Prishtinë, sepse nuk është”, tha Rama.
Kreu i Ekzekutivit deklaroi se Korridori VIII u fut ne rrjetin europian pas një luftë disa vjeçare të qeverisë së drejtuar prej tij për të hequr bllokimin që i ishte bërë.
“Tani, ky korridor 8, në të cilin disa bëjnë lodra fjalësh dhe nuk kuptojnë fare për çfarë flasin, ndërkohë që disa të tjerë as nuk duan ta dinë fare sepse e dinë për çfarë bëhet fjalë, është futur në rrjetin europian të transportit. Këtu në Tiranë, në Samitin e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, pasi unë dhe qeveria ime kemi luftuar jo pak vite për të hequr bllokimin që ishte bërë. Ishte i bllokuar”, u shpreh ai.
Rama tha se bllokimet janë çështje zhvillimi ekonomik, sigurie, kapacitetesh konkuruese në një hapësirë ekonomike dhe tregtare që është shumë e vështirë.
“Tani pse vendet e BE-së e kishin bllokuar korridorin e 8-të? Çfarë sipas logjikës së injorantëve që bërtasin në rrugët e pazarit mediatik, këto janë muhabete rrugësh. Po jo, nuk janë muhabete rrugësh. Janë çështje zhvillimi ekonomik, sigurie, kapacitetesh konkuruese në një hapësirë ekonomike dhe tregtare që është shumë e vështirë. Ne vijmë nga një varfëri ekstreme dhe duam të bëhemi pjesë e një shteti që praktikisht zotëron një pasuri shumë të madhe”, theksoi Rama.
Kryeministri nënvizoi se pas futjes së korridorit të 8 në rrjetin europian të transporteve, korridori 8 u fut edhe në rrjetin e lëvizjes së sigurt të NATO-s
“Projekti ynë i portit të kombinuar tregtar dhe ushtarak është në tryezën e NATO-s dhe ka kaluar të gjitha nivelet teknike të NATO-s si një domosdoshmëri. Tani si mendoni ju mund të bëni një bazë ushtarake që të shfrytëzohej nga NATO aty në atë pellgun e Portit të Durrësit? Jo, nuk mund të bëhej. Mund të ishte porti aktual nyja për të cilën po flas? Jo, nuk mund të ishte.
Kryeministri vuri në dukje se pikërisht për seriozitetin e madh që kishte projekti u angazhua kompania më e madhe në botë, reputacionin e së cilës patjetër që mund ta bëjnë copë “tenxheret” mediatike shqiptare, por nuk e ve në diskutim askush.
“Kompania Royal Haskoning ka përgatitur të gjithë termat e referencës dhe ka supervizuar garën. Gara është organizuar dy herë dhe në të dy herët ka pasur interes të madh. Çështja ka qenë: herën e parë që kriteret kanë qenë shumë të forta dhe kriteret e forta nuk lejojnë as kompani që i plotësojnë kushtet, por nuk i përgatisin gjërat në kohë si duhet për atë garë. Nuk kualifikohesh dot. Dhe herën e parë gara është anuluar”, shtoi Rama.
Ai tha se tenderi i dytë u anulua për shkak të situatës së krijuar.
“Këtë herë ndodh kjo koicidencë fatkeqe. Dhe e përsëris, kompania ka shkruar se tërhiqej me argumentin e krizës së çmimeve. Praktikisht nëse gjërat nuk kthehen në normalitet bëhet e vështirë ndërtimi i portit me atë financim që është vendosur aty. Nuk kemi fare informacion që ka pasur ndonjë komponent tjetër që ka ndikuar në tërheqjen e kompanisë”, deklaroi Rama.
Por, ai siguroi se porti do të ndërtohet brenda kohës së parashikuara dhe se për këtë po ndërtoheshin mekanizmat e nevojshëm.
“Dua tu jap mesazh të gjithë atyre që kanë ndërtuar portin dhe që fërkojnë duart dhe mendojnë se s’do të ndodhë, e kanë gabim, sepse thjeshtë kanë hapur një rrugë tjetër që nuk mund ta bllokojnë dhe nuk do ta ndalin dot. Madje, në të njëjtën periudhë kohe, të parashikuar, ne do të bëjmë hapin që kemi qenë në pamundësi për ta bërë deri tani. Kaq për këtë, nuk kthehem më shumë sepse jemi duke përgatitur hapin tjetër. Momenti kur të jemi gati ta hedhim, do ta bëjmë publik. Por është e sigurt se të gjithë ata që kanë menduar se do të nënshtrojnë qeverinë e Republikës së Shqipërisë, qofshin forca të brendshme apo të jashtme Do të mbeten me gisht që do të dëshirojnë të zgjedhin të tjerët në gojë”, deklaroi Rama.

