Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon pas incidentit në konferencë: Përjashtimi i gazetares Ambrozia Meta nga Edi Rama, cënim i aksesit dhe thirrje për solidaritet mes gazetarëve

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Polemika dhe përjashtimi i reporteres Meta nga konferenca për shtyp e Kryeministrit Rama është një ndodhi politizimi. Solidariteti mes gazetarëve një komponent i munguar

Tiranë më 13.03.2026

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë distancohet nga modele konferencash për shtyp si ajo e zhvilluar sot nga kryeministri i vendit zoti Edi Rama me reporterë kryesisht të mediave televizive, në sallën e konferencave të Kryeministrisë.
Polemika verbale e kryeministrit me reporteren Ambrozia Meta, e ripërsëritur edhe më herët në të njëjtën mënyrë, zhvleftëson qëllimin dhe shmang mundësinë për përgjigje konkrete për çështje shqetësuese me të cilat përballet vendi dhe përgjegjësitë që mbart qeverisësi.
Këmbëngulja e reporteres duke replikuar përmes një dialogu proliks me kryeministrin, u përdor prej tij për të shmangur edhe përgjigjet konkrete, por edhe përgjigjet e kolegëve në pritje. Nga ana tjetër, masa përjashtuese që kryeministri në kuadër të kësaj situate, dha ndaj reporteres, është një vendim pengues dhe cënim i aksesit dhe i lirisë për komunikim me reporterët, pamvarësisht angazhimit ose jo të tyre.
Nervozizmi dhe sidomos masa përjashtuese nga ana e kryeministrit ndaj reporteres Meta dhe ndonjë tjetri, shënon rastin e përsëritur të mospërmbajtjes së tij ndaj këmbënguljes së reporteres për përgjigje specifike.
Nisur nga parimet deontologjike, UGSH shpreh rezervën për tonet e komunikimit mes reporteres dhe kryeministrit, kur bëhet fjalë për normat e Kodit të Etikës sipas praktikave klasike në konferenca për shtyp.
UGSH dënon vendimin përjashtues të kryeministrit ndaj gazetarëve, të cilët këmbëngulin për përgjigje specifike dhe transparencë.
UGSH i drejtohet Kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë politikë me thirrjen se përdorimi i konferencave për shtyp si foltore për politizim të marrëdhënies verbale mes tyre dhe pronarëve të medave, shpesh vlen si alibi marrëdhëniesh të fshehta dhe kompromentuese, si gjurmë intimidimesh dhe flirtimesh të korruptuara mes dy pushteteve.
Vënia nën kësi breshërish verbale e reporterëve të mediave, shkakton dëme serioze dhe pasoja politizimi dhe stigmatizimesh politike.
UGSH nisur prej këtij rasti e gjen të udhës t’u drejtohet kolegëve gazetarë me apelin për më shumë solidaritet me kolegët dhe respektim të parimeve etike.
Ne vërejmë me shqetësim se kohët e fundit në mediat tona dhe sidomos brenda komunitetit të gazetarëve është rikthyer një frymë e papranueshme fragmentarizimi, diversiteti të panevojshëm pozicionimesh politike si dhe diferencë e theksuar mes gazetarisë profesioniste dhe asaj të angazhimeve pranë kaheve politike.

Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...