Zbulimi i studiuesit: Kush ishte pronari i vërtetë i vilës në Bllok ku jetoi Enver Hoxha

Një fakt historik pak i njohur për publikun është bërë së fundmi i ditur nga studiuesi dhe historiani Kastriot Dervishi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale hedh dritë mbi pronësinë e vilës së njohur ku për vite me radhë banoi diktatori komunist Enver Hoxha.

Sipas Dervishit, pronari i vërtetë i kësaj shtëpie ishte Qemal Hasan Biçakçiu (1920–1988), me origjinë nga Elbasani dhe banues në Tiranë. Në fillim të vitit 1945, në këtë banesë u vendos fillimisht një nga figurat kryesore të regjimit komunist, Koçi Xoxe, ndërsa pas vitit 1948 aty do të banonte edhe vetë Enver Hoxha.

Historia e pronarit të shtëpisë lidhet drejtpërdrejt me goditjen e parë që regjimi komunist ndërmori ndaj kundërshtarëve politikë. Më 23 janar 1946, Biçakçiu u arrestua në kuadër të procesit ndaj opozitës së parë antikomuniste, ku u përfshinë edhe emra të njohur të kohës si Qenan Dibra, Sami Çeribashi dhe Musine Kokalari.

Pas këtij procesi, ai u dënua me 30 vite heqje lirie. Biçakçiu vuajti për vite burgimin, derisa u lirua më 2 mars të vitit 1960.

Studiuesi Dervishi thekson gjithashtu se edhe shtojca e vilës nr. 31, e ndërtuar në vitin 1973, u ngrit në truallin që ishte pronë e Qemal Hasan Biçakçiut. Ky fakt, sipas tij, tregon se një nga rezidencat më të njohura të udhëheqjes komuniste u ndërtua dhe u përdor mbi një pronë që i përkiste një qytetari të dënuar nga vetë regjimi.

Ky detaj historik hedh dritë mbi një tjetër aspekt të periudhës së diktaturës në Shqipëri, ku pronat private shpesh u konfiskuan dhe u përdorën nga drejtuesit e regjimit komunist.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME