Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë me dije se programi IPARD III nuk është hapur ende për aplikime, pasi aktualisht ndodhet në një fazë të rëndësishme teknike që lidhet me rishikimin e procedurave dhe përfundimin e procesit të akreditimit në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Europian.
Në një njoftim për shtyp, ministria sqaron se paralelisht po finalizohet edhe marrëveshja e financimit me Komisionin Europian, një hap i domosdoshëm për të garantuar funksionimin e plotë të programit dhe shpërndarjen e fondeve në përputhje me standardet europiane.
Sipas njoftimit zyrtar, procesi aktual përfshin verifikimin dhe forcimin e sistemeve të menaxhimit, kontrollit dhe monitorimit financiar. Qëllimi kryesor është garantimi i transparencës dhe përdorimi sa më efektiv i fondeve, duke respektuar të gjitha kërkesat dhe standardet e Bashkimit Europian.
Institucionet shqiptare përgjegjëse, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Komisionit Europian, po vijojnë punën teknike dhe administrative për të përmbyllur sa më shpejt procesin e akreditimit. Ministria thekson se programi do të hapet për aplikime menjëherë pas përfundimit të këtyre procedurave.
Programi IPARD III për periudhën 2021–2027 konsiderohet një instrument i rëndësishëm financiar për mbështetjen e investimeve në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimin e zonave rurale në Shqipëri. Ai synon të ndihmojë fermerët, agrobizneset dhe komunitetet rurale për modernizimin e aktivitetit të tyre, duke afruar standardet e sektorit me ato të Bashkimit Europian.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se do të informojë zyrtarisht publikun dhe të gjitha subjektet e interesuara sapo të përfundojë procesi i akreditimit dhe programi IPARD III të hapet zyrtarisht për aplikime.

