Turizmi natyror në zonën e Librazhdit po njeh një rritje të ndjeshme, ndërsa gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj po zgjedhin të eksplorojnë bukuritë e rralla të Parku Kombëtar Shebenik. Ky park, një nga thesaret më të veçanta natyrore të Shqipërisë, po kthehet gradualisht në një destinacion të rëndësishëm për turizmin e aventurës dhe atë të natyrës.

Sipas drejtuesit të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Elbasan, interesimi për këtë park është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa çdo sezon sjell më shumë turistë të apasionuar pas natyrës së paprekur.
Peizazhet spektakolare malore, pyjet e dendura dhe të pastra, si dhe liqenet akullnajore që fshihen mes majave të larta, krijojnë një panoramë mbresëlënëse për çdo vizitor.
Qetësia dhe ajri i pastër i zonës e bëjnë parkun një vend ideal për ecje malore, aventurë dhe relaks larg zhurmës së qyteteve.
Gjatë kësaj jave, një grup turistësh nga vende të ndryshme të botës vizituan zonën piktoreske të Fushë Studën, një nga perlat natyrore të parkut. Ata patën mundësinë të shijojnë nga afër bukurinë e liqeneve akullnajore dhe të natyrës përreth, duke mbetur të mahnitur nga peizazhet që ofron kjo zonë.

Vizitorët u shprehën të impresionuar nga natyra e paprekur dhe mikpritja e zonës, duke e cilësuar këtë destinacion si një nga surprizat më të bukura të udhëtimit të tyre në Shqipëri.
Ekspertët e turizmit theksojnë se zhvillimi i turizmit malor në zonat e Librazhd, veçanërisht në territoret e parkut, po krijon një potencial të madh për ekonominë lokale dhe për promovimin e Shqipërisë si destinacion natyror në hartën ndërkombëtare të turizmit.
Me bukuritë e tij të rralla dhe biodiversitetin e pasur, Parku Kombëtar “Shebenik” po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një magnet për turistët që kërkojnë të zbulojnë natyrën autentike shqiptare.

