Gvozdenoviç para Bylisit: “Duam maksimumin në shtëpi”

Në prag të sfidës së sotme ndaj Bylis, në kampin e Elbasanit vlerësohet maksimalisht çdo detaj. Verdheblutë ndodhen në një moment delikat të sezonit, ku diferencat në renditje janë të ngushta dhe çdo pikë mund të rezultojë vendimtare në objektivat finalë. Përballja në shtëpi shihet si një mundësi e mirë për të marrë tre pikë të plota, por njëkohësisht edhe si një test karakteri për skuadrën. Në konferencën para ndeshjes, trajneri Ivan Gvozdenoviç ka analizuar gjendjen e ekipit, kundërshtarin dhe momentin aktual të sezonit. Elbasani vjen në këtë përballje pas një jave përgatitjesh intensive, me fokus te rikuperimi fizik dhe përqendrimi maksimal në aspektin taktik. Ndeshja konsiderohet e rëndësishme jo vetëm për pikët, por edhe për vazhdimësinë e rezultateve në një fazë ku presioni rritet ndjeshëm. “Si çdo javë, edhe sot kemi një tjetër ndeshje të rëndësishme për ne. Kemi nevojë për pikët dhe do të bëjmë maksimumin në fushë për t’ia dalë mbanë, në mënyrë që të dalim me tri pikë nga kjo përballje. Për më tepër, luajmë në fushën tonë dhe duam të dalim me maksimumin”, u shpreh fillimisht kreu i pankinës elbasanase.

VËSHTIRËSITË – Statistikat e këtij sezoni tregojnë se Bylisi është e vetmja skuadër që i ka shënuar tre gola Elbasanit në një ndeshje, një fakt që e bën këtë duel edhe më të veçantë. Humbja 3-2 në fazën e kaluar ka shërbyer si një kambanë alarmi për verdheblutë, të cilët kërkojnë të mos përsërisin të njëjtat gabime. “Nuk kemi merak, sepse nuk shohim atë që ka ndodhur mbrapa, por vetëm atë që na pret përpara. Patjetër, Bylisi fitoi 3-2 fazën e kaluar dhe e merituan, sepse ne nuk ishim mirë në atë ndeshje. Tani mendojmë vetëm sesi të luajmë mirë dhe të marrim pikët”, u shpreh Gvozdenoviç. Kampionati ka treguar se diferencat në renditje shpesh nuk reflektohen në fushë. Ndeshjet ndaj skuadrave të fundit të tabelës kanë rezultuar të komplikuara për shumë ekipe, ndaj përqendrimi dhe serioziteti janë thelbësorë. “Çdo javë është e fortë, këtë e ka treguar kampionati, edhe kur luajnë ekipet e kreut me ato të fundit të tabelës. Kështu do të jetë edhe ndaj Bylisit, një ndeshje e fortë, por ne jemi gati për ta përballuar me sukses”, theksoi tekniku i Elbasanit.

FORMA – Elbasani ndodhet në një moment vendimtar të sezonit, ku çdo ndeshje merr peshë të dyfishtë. Objektivat janë të qarta dhe skuadra kërkon të ruajë ritmin deri në fund, pa u shpërqendruar nga llogaritë afatgjata. “Deri tani jemi në maksimum, por ndoshta kemi edhe pak hapësirë për të bërë më shumë. E kam thënë edhe më herët që ne shohim vetëm javë pas jave, edhe pse tani jemi në fazën kulminante të sezonit. Ndoshta nuk jemi në maksimumin e mundshëm, por unë jam i kënaqur dhe krenar me skuadrën”, përfundoi Gvozdenoviç. Me këtë mesazh besimi dhe realizmi, trajneri verdheblu kërkon që skuadra të tregojë pjekuri dhe vazhdimësi, duke e trajtuar sfidën ndaj Bylisit si një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e këtij sezoni.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME