Elbasani i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të zhvillohet sot ndaj Partizanit për Kupë, në “Elbasan Arena”. Një duel që në kampin elbasanas vlerësohet maksimalisht dhe që shihet si një mundësi e mirë për të hedhur një hap përpara në këtë kompeticion. Në daljen e tij para mediave, trajneri Ivan Gvozdenoviç është shprehur optimist për këtë përballje delikate. Ai nuk e fsheh ambicien e verdhebluve për të avancuar më tej dhe pret që gjithçka të mbyllet pas dy ndeshjeve, edhe pse e para në Elbasan është e rëndësishme. “Normalisht është një ndeshje e fortë dhe interesante. Për ne çdo gjë është në rregull dhe jemi gati. Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme, edhe pse dihet që tashmë nuk ka më avantazh goli në fushë kundërshtare. Ne do të përpiqemi ta fitojmë këtë ndeshje, ashtu si edhe Partizani, sepse të dyja ekipet kanë ambicie për të shkuar më larg në Kupë. E luajmë ndeshjen e parë në Elbasan, por mendojmë për të dyja takimet, sepse duam të kalojmë turin. Me pak fjalë, gjithçka është e hapur”, u shpreh fillimisht trajneri i Elbasanit.
ROTACIONI – Duke qenë se në fundjavë verdheblutë kanë një ndeshje direkte për vendin e parë ndaj Vllaznisë në Shkodër, është aluduar edhe për mundësinë e një rotacioni në formacion. Megjithatë, Gvozdenoviç ka theksuar se fokusi është vetëm te përballja me Partizanin dhe se do të hedhë në fushë lojtarët më të mirë që ka në dispozicion. “Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, që është ajo me Partizanin. Fokusimi ynë është sesi të marrim një rezultat pozitiv dhe do të luajmë me skuadrën më të mirë, atë që ne si staf e konsiderojmë të duhur. Me pak fjalë, jemi të përqendruar vetëm te Kupa dhe ndeshja me Partizanin. Pas kësaj ndeshjeje do të mendojmë për Vllazninë në kampionat”, saktësoi tekniku serb i verdhebluve.
ECURIA – Kampionati ka hyrë tashmë në fazën e tij më vendimtare, por trajneri elbasanas shprehet i kënaqur me gjendjen aktuale të skuadrës. Ai preferon t’i shohë të gjitha ndeshjet javë pas jave, duke mos bërë aspak llogari. “Deri tani jemi mirë dhe gjërat i kemi bërë si duhet. Janë ende edhe 13 ndeshje për t’u luajtur dhe gjithçka mbetet e hapur. Ne jemi të përqendruar javë pas jave. E dimë që kjo është një fazë delikate, por po punojmë për të vazhduar në rrugën e duhur. Deri tani jemi të kënaqur me rezultatet dhe jam shumë krenar për djemtë”, mbylli prononcimin e tij trajneri i Elbasanit. Ndeshja mes Elbasanit dhe Partizanit do të luhet sot në orën 16:30 në “Elbasan Arena”. Klubi u ka bërë thirrje tifozëve për mbështetje masive, ndërsa biletat janë nxjerrë në shitje me çmime që variojnë nga 200 deri në 2 mijë lekë të rinj.

