Zëvendësministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot drejtoreshën e re të Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa.
Në takimin e organizuar me stafin e Institutit të Ndërtimit, Balluku i uroi suksese Shkrepës në këtë detyrë dhe sfidë të re.
“Me një karrierë të spikatur si arkitekte, profesionalizmi, përkushtimi dhe përvoja e saj janë një garanci e fortë për drejtimin dhe zhvillimin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm, si edhe për forcimin e rolit të tij në shërbim të industrisë së ndërtimit në vend”, tha Balluku.
Instituti i Ndërtimit ka për qëllim kryerjen e veprimtarive kërkimore, shkencore, aplikative, zhvillimore, studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimit, si dhe kryerja e veprimtarisë shkencore e teknologjike për të tretë të tilla si oponenca, ekspertiza, kurse kualifikimi, vlerësime konformiteti dhe kontrolle për produktet e ndërtimit, që lidhen me sigurinë e jetës.

