Prej dy ditësh, njësia administrative Skënderbegas në Gramsh po përballet me disa vatra zjarri që po përhapen me shpejtësi, duke rrezikuar jo vetëm sipërfaqe të mëdha pyjore, por edhe banesa e infrastrukturë.
Për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur përkeqësimin e saj, autoritetet lokale dhe qendrore janë angazhuar maksimalisht në terren.

Prefekti i Qarkut Elbasan, z. Ilir Bejtja, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile, z. Haki Çako, Kryetarin e Bashkisë Gramsh, z. Besian Ajazi, Gjeneralin e Forcës Tokësore, Ilir Xhebexhia, si dhe përgjegjësin e Emergjencave Civile pranë Prefekturës, z. Edvin Gjata, zhvilluan sot një takim koordinues me përfaqësues të strukturave të mbrojtjes civile dhe forcave zjarrfikëse.

Në fokus të diskutimeve ishte hartimi i një plani të përbashkët veprimi për izolimin e plotë të flakëve dhe rikthimin e normalitetit në zonë.
Forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga efektivë të ushtrisë dhe vullnetarë, po punojnë për të hapur breza mbrojtës dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara.

Sipas autoriteteve, prioritet mbetet mbrojtja e jetës së banorëve dhe pasurive të tyre, ndërsa apelohet për kujdes të shtuar nga qytetarët për të mos nxitur vatra të reja.
Situata mbetet e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe temperaturave të larta, por strukturat shtetërore po garantojnë të gjithë kapacitetet e nevojshme për ta vënë nën kontroll.
albaniaexpress.al

