Reporterë të përlotur në protestën e opozitës, UGSH: Akt i dënueshëm dhe përgjegjësi direkte e Policisë së Shtetit

 

Tiranë, 24 janar 2026

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër pas pamjeve tronditëse të publikuara në mbyllje të protestës kombëtare të opozitës, të zhvilluar mbrëmjen e sotme në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Në sekuencat filmike dhe fotografike të shpërndara nga mediat, shihen qartë reporterë dhe operatorë kamerash të përlotur, me vështirësi në frymëmarrje, teksa ushtronin detyrën e tyre profesionale.

Sipas dëshmive të vetë gazetarëve në terren, gjendja e rënduar shëndetësore është shkaktuar nga përdorimi i tymueseve lotsjellëse nga Policia e Shtetit, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit. Ajo që e bën episodin edhe më të rëndë, sipas UGSH-së, është fakti se përdorimi i këtyre mjeteve ka ndodhur pikërisht në zonat ku ishin pozicionuar punonjësit e mediave për të raportuar protestën.

UGSH e cilëson këtë veprim si një akt të papranueshëm dhe denoncon publikisht lëndimet e shkaktuara ndaj reporterëve, operatorëve dhe punonjësve të tjerë të mediave, të cilët ndodheshin në protestë vetëm për shkak të detyrës. Sipas Unionit, Policia e Shtetit ka shfaqur sjellje injoruese ndaj gazetarëve dhe ka dhunuar hapur të drejtën e tyre për të raportuar lirshëm, duke i shndërruar në “reporterë që lotojnë për shkak të detyrës”.

Në reagimin zyrtar, UGSH u bën thirrje të gjithë gazetarëve të prekur që të denoncojnë çdo rast të dhunës apo lëndimit dhe të dokumentojnë çdo episod, përmes publikimit të imazheve dhe identifikimit të përgjegjësve, qofshin urdhërdhënës apo zbatues në terren.

Njëkohësisht, Unioni kërkon reagimin e menjëhershëm të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias dhe liritë themelore, duke theksuar se episode të tilla janë të papranueshme në një shoqëri demokratike dhe përbëjnë një kërcënim serioz ndaj lirisë së shprehjes dhe informimit.

“Cënimi i shëndetit dhe i integritetit të gazetarëve është kryer nga mjete dhe veprime të pakontrolluara të individëve nën uniformë”, thuhet në deklaratën e UGSH-së, e cila kërkon që rasti të hetohet pa vonesë dhe përgjegjësit të vihen përpara përgjegjësisë ligjore.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

MLS/Myrto Uzuni spektakolar, sulmuesi kuqezi shënon super gol në sfidën e radhës së Austin

Myrto Uzuni shfaqet spektakolar në fushën e lojës. Sulmuesi...

Topalli nxjerr foton me Pjetër Arbnorin: Nga letra e tij prej burgu te fushata dhe drejtimi i Kuvendit

Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka publikuar një foto...

Skenar i ngjashëm me Venezuelën? Trump reagon për herë të parë pas dështimit të negociatave me Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump ka postuar në lidhje me...

Bisedimet SHBA-Iran pa rezultat/ Vance pas nisjes nga Islamabadi: Ne e bëmë të qartë se cilat janë vijat tona të kuqe

Përpjekja diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nuk...