Protestës kombëtare të Partisë Demokratike, e cila do të mbahet sot në orën 17:00 përpara Kryeministrisë, pritet t’i bashkohen edhe qytetarë të shumtë nga të shtatë bashkitë e Qarkut të Elbasanit.
Sipas burimeve zyrtare nga strukturat lokale të PD-së, pjesa më e madhe e protestuesve që do të udhëtojnë drejt Tiranës janë nga Bashkia e Elbasanit. Sekretari i Degës së PD Elbasan, z. Sokol Shkëlzeni, ka bërë me dije se nga komunikimi me strukturat e partisë pritet që të paktën 1 200 qytetarë nga qyteti dhe zonat rurale të Elbasanit t’i bashkohen protestës, duke iu përgjigjur thirrjes së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, për pjesëmarrje sa më masive.
Ndërkohë, nga bashkitë e tjera të qarkut, si Librazhdi, Prrenjasi, Gramshi, Cërriku dhe Peqini, pjesëmarrja e pritshme varion nga 50 deri në 100 persona për secilën bashki. Në total, bazuar në konfirmimet e marra nga degët përkatëse, nga Qarku i Elbasanit pritet të marrin pjesë rreth 1 500 protestues.
Partia Demokratike zhvillon sot protestën e dytë kombëtare përpara Kryeministrisë, ku do të kërkojë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe, sipas saj, ndalimin e ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë, konkretisht në çështjen e njohur si rasti “Balluku”.
Gjatë protestës janë parashikuar fjalime të drejtuesve politikë dhe përfaqësuesve të opozitës. Burime nga PD bëjnë me dije se nuk është planifikuar qëndrimi i zgjatur në shesh, megjithatë strukturat opozitare po shqyrtojnë mundësinë e organizimit të protestave të qëndrueshme në vijim, në varësi të zhvillimeve politike dhe reagimit qytetar.
Autoritetet e rendit kanë njoftuar se do të jenë në gatishmëri për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurinë publike, ndërkohë që në të gjitha akset rrugore që përshkojnë qytetet e Qarkut Elbasan nga mesdita ka kontrolle të shtuara në rrugë nga policia.

