Karrigia e përjetshme e drejtorëve

Nga Xhensil Shkëmbi

Në këtë debatin që ka lindur midis kryeministrit dhe disa gazetarëve, unë nuk dua të hyj, as ta komentoj, edhe për efekt “vogëlsie” në atë çka përfaqësoj por ajo që patjetër mund të komentoj dhe është pikë e rëndësishme e asaj që duhet të diskutohet, është arroganca e pushtetarëve në Shqipëri, të cilët për shkak të viteve të gjata në karrige, nuk u kërcet as per llogariedhenie, as për gazetarë e as për qytetarë.

Fakti është se teksa qeveria Rama ka rreth 13 vite në pushtet, ministrat në shumicën e rasteve janë ndryshuar, krejt ndryshe rezulton me drejtorët nëpër bashkitë e vendit, e aq më tepër me drejtorët rajonalë.

Në Korçë ka të tillë që janë ulur në karrige dhe prej 13 vitesh nuk kanë lëvizur. Do thonë disa, deri sa e bën punën mirë, le të qëndrojë. Mbase qëndron e kjo, por çfarë mund të japë një njeri kur rri 13 vite në një vend pune? A e ka ende më frymëzimin, pasionin, energjinë për të bërë diçka të re, diçka më të mirë? Nga ana tjetër, mendoni ju se ai drejtori bëhet merak se e merr gazetari në telefon dhe interesohet për një çështje të caktuar? Absolutisht JO. Deri sa ato vende janë politike, atë nuk e lëviz as presioni mediatik, as përgjegjësia qytetare por kryetari i partisë apo i pari i qarkut. E deri sa me atë e ka mirë, aq i duhet, e nuk është se i bën shumë për punën në terren.

Më ka ndodhur edhe vet diçka e tillë, kur në përmbytjen e fundit në juglindje, një nga përgjegjësit e asaj situate nuk hapte as telefonin për të dhënë informacion për situatën (as mua, as të tjerëve) e jo më pas të vendosej para përgjegjësisë. Unë mund të flas e me emra se nuk ma ndien shumë, por kjo nuk është çështja e emrave. Ky është fenomeni që duhet diskutuar.

Prandaj nuk mund të lihet një njeri në një karrige të përjetshme, për vet faktin se uji qelbet po ndenji në vend. Teksa nëpër bashkitë e Shqipërisë ka drejtorë e zyrtarë që atë karrige e kanë “privatizuar”, patjeter që do ketë qytetarë të pakënaqur, të cilët as në dera nuk presin dot për të qarë hallin e tyre.

E kjo nuk është çështje që merr zgjidhje më një lëvizje politike, por me një ligj të caktuar. Unë mendoj se në Shqipëri duhet të ketë një ligj të posaçëm që privon një individ të qëndrojë në krye të një drejtorie të administratës publike për më tepër se 4-5 vite. Në këtë lloj forme do të kishte më tepër produktivitet edhe vet brenda administratës shtetërore por e më pak zhgënjim nga qytetarët.

Mbase këta të fundit, do mund të hapnin derën për të qarë hallin, pa frikën se ai që është drejtor, është se di të bëjë mirë llogaritë e fushatës dhe zgjedhjeve të ardhshme…

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME