Reshjet e shiut kanë shtuar intensitetin gjatë orëve të mëngjesit në disa zona të Qarkut të Elbasanit, duke sjellë problematika konkrete në disa bashki. Sipas informacionit zyrtar, situata më e ndjeshme paraqitet në Bashkinë Belsh, ku përveç dy rasteve të raportuara më herët, është konstatuar prani uji edhe në disa banesa të tjera, ndërsa disa shtëpi të tjera ndodhen në rrezik. Në akset rrugore të kësaj bashkie janë shënuar rënie inertesh, të cilat janë pastruar, duke bërë që aktualisht qarkullimi të jetë normal.

Problematicë është raportuar edhe në Bashkinë Cërrik, konkretisht në Njësinë Administrative Shalës, ku disa banesa rrezikohen si pasojë e bllokimit të një kanali kullues dhe prurjeve të mëdha të ujit. Bashkia Cërrik është njoftuar për të marrë masat e nevojshme dhe për të ndërhyrë në kohë.
Në Bashkinë Elbasan, situata paraqitet më e rënduar në zonën e Uzinës 12 të ish-Kombinatit Metalurgjik, ku janë përmbytur 5 banesa. Shkak për këtë situatë është bërë bllokimi i kanalit kullues si pasojë e punimeve që po kryhen nga firma “Salillari” në kuadër të projektit të Koridorit 8. Sipas njoftimit zyrtar, mjetet e firmës janë nisur drejt zonës për të ndërhyrë dhe për të normalizuar situatën.

Ndërkohë, në Njësinë Administrative Gjergjan dhe në vijim në fushën e Muriqanit, janë evidentuar përmbytje të tokave bujqësore, si pasojë e bllokimit të kanalit KK3. Për këtë problematikë është njoftuar Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Korçë, për marrjen e masave të nevojshme.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Elbasan vijon të jetë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, në koordinim me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të raportojnë çdo problematikë që mund të paraqitet si pasojë e kushteve atmosferike.

