Me një vizitë simbolike në Spitalin Rajonal të Elbasanit, deputeti Adi Qose ka nisur ditën e parë të Vitit të Ri 2026, duke uruar prindërit dhe beben e parë të këtij viti në qytet, një djalë i quajtur Devran.
Gjatë vizitës në maternitet, deputeti u informua mbi gjendjen shëndetësore të nënës dhe foshnjës, e cila paraqitet e mirë, ndërsa familjes iu urua mbarësi dhe gëzim. Me këtë rast u dorëzua edhe bonusi i bebes, si një mbështetje për familjet e reja.

Vizita e deputetit përkoi me një moment të veçantë për Qarkun e Elbasanit, pasi në orët e fundit të vitit 2025 gjashtë familje u bekuan me ardhjen në jetë të bebeve. Dy prej tyre lindën në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ndërsa katër foshnja të tjera në bashkitë Gramsh, Librazhd, Belsh dhe Cërrik.
Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Elbasanit, Zheni Gjergji, ka vlerësuar këtë moment përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar ardhjen në jetë të foshnjave si dhuratën më të bukur të fundvitit dhe një shenjë shprese për të ardhmen.

Sipas burimeve spitalore, një numër i tillë lindjesh brenda pak orësh në ditën e fundit të vitit është një ngjarje e rrallë për qarkun, duke e bërë pritjen e Vitit të Ri 2026 edhe më domethënëse për familjet elbasanase.


