Rubrika “Gratë që Frymëzojnë” i kushtohet grave shqiptare që me jetën, punën dhe integritetin e tyre kanë ndikuar realisht në shoqëri, duke ndërtuar modele frymëzuese për brezat që vijnë. Në këtë intervistë ekskluzive, “Albania Express News” ndalet tek një figurë emblematike e arsimit të lartë shqiptar: Prof. Asoc. Dr. Albana Boriçi (Begani). Pedagoge e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ,Kryeqendra e Veriut të Shqipërisë, ajo përfaqëson profilin e gruas akademike moderne.
E formuar ndërkombëtarisht, e angazhuar institucionalisht dhe thellësisht e lidhur me zhvillimin e territorit ku jeton dhe punon. Me mbi dy dekada përvojë në auditorë, role drejtuese të rëndësishme, dhjetëra publikime shkencore dhe një angazhim të vazhdueshëm në projekte ndërkombëtare, Prof. Boriçi ka qenë dhe mbetet një zë i respektuar në debatin për cilësinë e arsimit të lartë, zhvillimin ekonomik dhe rolin e universitetit në shoqëri.
Në këtë intervistë për “Albania Express News “, ajo flet jo vetëm si akademike dhe drejtuese, por edhe si grua, nënë dhe qytetare, duke ndarë reflektime personale dhe profesionale mbi jetën, universitetet shqiptare dhe të ardhmen e Shkodrës ku jeton e punon dhe të gjithë Veriut të Shqipërisë që e njeh në detaje në çdo aspekt.

INTERVISTË EKSKLUZIVE nga Fatmir Popja
Si e kujtoni fëmijërinë tuaj dhe cilat janë vlerat që ju ka transmetuar familja ku u linde dhe rrite?
Fëmijërinë time e kujtoj si një periudhë të qetë dhe të lumtur. E rritur në një familje shkodrane, rrethuar nga dashuria e prindërve, gjyshërve dhe të afërmve, kuptova herët se asgjë nuk është më e rëndësishme sesa ngrohtësia, siguria dhe forca që të jep ajo. Në këtë mjedis mësova edhe vlerën e dijes. Me dy prindër intelektualë, nënën mësuese dhe babain inxhinier, u rrita mes librave dhe bisedave që të shtynin të mendoje. Familja më transmetoi bindjen se të mësuarit i vazhdueshëm, puna e ndershme dhe përkushtimi janë ato që të formësojnë si njeri dhe të hapin rrugën për të ardhmen.
A ka pasur figura që kanë ndikuar herët në formimin tuaj si nxënëse dhe si njeri?
Siç e përmenda edhe më lart, lidhja e fortë me dy prindërit, por edhe ajo me gjyshërit dhe të afërmit e tjerë, kanë ndikuar ndjeshëm në formimin tim. Secili prej tyre ka lënë gjurmë në atë që unë jam sot. Por, natyrisht, dy figurat me ndikimin më të madh në vlerat që unë besoj dhe mbi të cilat kam ndërtuar rrugëtimin tim janë prindërit e mi.
Nëna ime ishte një grua shumë e bukur, e dashur dhe tepër e përkushtuar, si në familje ashtu edhe në profesion, por sidomos e përkushtuar ndaj meje dhe motrës sime. Ajo nuk u lodh asnjëherë së përpjekuri për të na krijuar një mjedis të qetë e të përshtatshëm, që ne t’i dedikoheshim shkollës, të zhvillonim kuriozitetin dhe të përvetësonim gjuhët e huaja.
Babai, nga ana tjetër, na edukoi vullnetin e këmbënguljen si dy armë të fuqishme për të ecur në jetë, por edhe dëshirën për të eksploruar dhe provuar gjëra të reja. Puna e tij disavjeçare për ndërtimin e dy fjalorëve dygjuhësh e trigjuhësh, edhe pse me formimin e një inxhinieri, ishte një shembull i qartë i pasionit dhe kurajos për të dalë përtej kufijve të profesionit. Ndjehem shumë krenare për respektin dhe vlerësimin që dy prindërit e mi gëzojnë tek të tjerët, një model të cilit jam munduar t’i përngjasoj dhe uroj t’i jem përafruar sadopak.
Çfarë nxënëse keni qenë dhe si e kujtoni marrëdhënien tuaj me shkollën?
Natyrisht kam qenë një nxënëse që ka punuar shumë për të arritur rezultatet e dëshiruara dhe, siç e thashë më lart, kam pasur vazhdimisht modelin dhe mbështetjen e prindërve të mi, që më kanë shtyrë drejt kësaj rruge. Marrëdhënien time me shkollën e kujtoj si një lidhje pozitive dhe formuese. Kam pasur fatin të ndjek si arsimin 8-vjeçar, ashtu edhe atë të mesëm, në dy nga shkollat më të mira të qytetit të Shkodrës: shkollën “Ismail Qemali” (dikur “7 Nëntori”) dhe gjimnazin “28 Nëntori”. Të njohura për traditën e tyre në arsim, me mësues të përgatitur dhe me një komunitet nxënësish të motivuar, këto institucione më kanë ofruar një mjedis serioz e mbështetës, ku u konsolidua formimi im dhe ku mora nxitjen e duhur për të synuar nivele më të larta studimi.

Kur e kuptuat se dija dhe arsimi do të ishin boshti i jetës suaj?
Kur nisa studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, të vazhdoja një karrierë akademike, nuk ishte ndër objektivat apo pritshmëritë e mia. Duke qenë se studimet e larta i kam zhvilluar pikërisht në periudhën pas ndryshimeve të sistemit politik e ekonomik në Shqipëri, të studiuarit e ekonomisë më dukej një fushë sfiduese, por edhe shumë tërheqëse. Më në fund do të kisha mundësinë të kuptoja si funksionon një sistem i ekonomisë së tregut dhe, pas studimeve, të integrohesha direkt aty përmes profesionit që kisha zgjedhur: drejtues biznesi.
Por, me kalimin e kohës, teksa zgjeroja njohuritë e mia, vura re se kurioziteti për biznesin dhe sfidat e tij po rritej vazhdimisht. Shumë nga teoritë dhe praktikat që diskutonim në auditor shkonin përtej realitetit që shihje në një mjedis biznesi ende të brishtë dhe në zhvillim në Shqipëri. Pikërisht aty e kuptova se mënyra më e natyrshme për t’i eksploruar më thellë këto çështje, për t’i studiuar, analizuar dhe diskutuar seriozisht, ishte të vazhdoja në rrugën akademike në fushën e administrim-biznesit.
Pse zgjodhët ekonominë dhe administrimin e biznesit si fushë studimi?
Siç e përmenda më sipër, të studiuarit e fushës së ekonomisë, e në mënyrë të veçantë i sfidave të menaxhimit të një biznesi, më është dukur gjithnjë shumë tërheqës dhe sfidues. Bëhej fjalë për një fushë që, për mjedisin shqiptar, ishte në eksplorim e sipër dhe ku kishte shumë hapësirë për të kontribuar në të ardhmen. Me natyrën time këmbëngulëse e shumë kurioze ndaj të rejave, me prirjen ndaj shkencave ekzakte dhe aftësitë komunikuese apo ato ndërpersonale, besoja që kjo fushë më përshtatej më së miri.
Sa ndikim pati përvoja juaj akademike në SHBA në formimin tuaj profesional dhe njerëzor?
Përvoja në SHBA ka qenë eksperienca ime më e bukur shkollore, që më ka rritur jo vetëm profesionalisht, por edhe si njeri. Studimet në SHBA ishin një oportunitet i jashtëzakonshëm për një asistent lektore të re, por edhe për një vajzë që gjithnjë kishte endërruar të kishte një eksperiencë shkollore në perëndim. Gjatë studimeve të Masterit në SHBA pata mundësinë të thelloja njohuritë në fushën e menaxhimit të biznesit pikërisht në vendin ku biznesi prezantohet në fomën e vet më të mirëfilltë. Por, eksperienca në SHBA ishte gjithashtu një sfidë shumë e madhe. Përballja me një vend të ri, larg Shqipërisë si gjeografikisht ashtu edhe kulturalisht, me një ritëm jetese më dinamik, me një sistem arsimor të ndryshëm dhe komunikimin e përditshëm në një gjuhë të huaj, kërkoi përshtatje dhe këmbëngulje. Pikërisht këto sfida më ndihmuan të forcoj vetëbesimin, pavarësinë dhe aftësinë për t’u përshtatur. Po ashtu, kontakti me studentë dhe pedagogë nga vende të ndryshme më hapi horizonte të reja, më pasuroi me perspektiva ndërkulturore dhe më mundësoi të krijoj lidhje e miqësi që i ruaj ende sot.
Çfarë mësimesh sollët nga universitetet amerikane në realitetin shqiptar?
Përvoja në një universitet amerikan më ndihmoi të përfitoja një qasje të re ndaj metodave të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, në një fazë të hershme të formimit tim akademik. Studimet në SHBA i nisa rreth dy vite mbasi isha angazhuar si asistent lektore, ndaj mësimet e marra atje kanë qenë vendimtare në ndërtimin e profilit tim akademik.
Ndryshe nga metoda tradicionale e mësimdhënies në vendin tonë, me qendër mësimdhënësin, në universitetet amerikane praktika e të mësuarit përqëndrohet tek studenti dhe puna e tij e pavarur, tek diskutimet e hapura dhe shkëmbimi i ideve, tek vëzhgimi i realitetit dhe vlerësimi i tij nën dritën e teorive. Pjesë e pandarë e këtij proçesi është edhe kërkimi shkencor, i zhvilluar në mënyrë rigoroze e me standarde nga lektorë e studentë, për t’i shërbyer zhvillimit të mëtejshëm të teorive, por në mënyrë të veçantë komunitetit të biznesit. Së bashku me kolegët e mi, që gjithashtu kanë patur mundësi të ndjekin studimet apo të zhvillojnë eksperienca në vendet perëndimore, jemi përpjekur t’i përcjellim ato në Fakultetin Ekonomik të USH-së, edhe pse jo gjithmonë ka qenë e lehtë për t’i vënë në zbatim. Megjithatë, pavarësisht vështirësive këto përpjekje kanë ndikuar ndjeshëm në ndërtimin e identitetit dhe imazhit të këtij fakulteti.

Sa i rëndësishëm është sot ndërkombëtarizimi për një pedagog shqiptar?
Ndërkombëtarizimi është shumë i rëndësishëm sot për një pedagog shqiptar dhe jo vetëm. Përmes pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare, projekte kërkimore-shkencore, publikimeve në revista të njohura, çdo pedagog ka mundësinë të lidhë kontributin e tij akademik me standardet, metodat dhe debatet bashkëkohore ndërkombëtare, duke e bërë atë më të besueshëm dhe të krahasueshëm në një mjedis akademik gjithnjë e më konkurrues.
Po kështu, përmes zgjerimit të rrjetit ndërkombëtar, me lektorë e kërkues nga vende të ndryshme, çdo pedagog sjell perspektiva të reja në institucionin ku punon, si dhe krijon hapësira për bashkëpunime konkrete në projekte, programe shkëmbimi, bashkëudhëheqje dhe leksione të hapura. Në rastin e Shqipërisë, ku burimet kërkimore shpesh janë të kufizuara, ndërkombëtarizimi shërben si një “urë” që forcon kapacitetet akademike, rrit reputacionin profesional dhe ndihmon që universiteti të mos mbetet i izoluar nga zhvillimet reale të fushës.
Çfarë ju lidhi dhe ju mban prej më shumë se 20 vitesh në Universitetin “Luigj Gurakuqi”?
Lidhja ime me Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës është rrjedhojë e një kombinimi të fortë rrethanash personale dhe bindjesh profesionale. Në pamundësi për të zhvilluar studimet jashtë vendit, siç kisha ëndërruar gjatë viteve të gjimnazit, për arsye financiare dhe mundësishë të kufizuara që ofroheshin asokohe, u mbështeta fort në informacionet që mora mbi Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Shkodrës. Duke qenë e orientuar drejt fushës së ekonomisë dhe duke dashur të përfitoj sa më shumë nga eksperienca perëndimore në këtë fushë, më ngacmoi informacioni që mora mbi projektin e bashkëpunimit mes këtij fakuleti dhe dy universiteteve amerikane, Universitetit të Ilinoisit të Jugut, në Carbondale (SIUC) dhe Universitetit të Nebraskës. Fakulteti ishtë ndërtuar mbi bazën e këtij bashkëpunimi dhe në këtë kuadër mundësohej ardhja e pedagogëve nga këta universitete për zhvillimin e leksioneve në Shkodër. Kjo përvojë e hershme ndërkombëtarizimi e bëri më të qartë vlerën e një formimi të hapur, të krahasueshëm dhe të përditësuar me standarde moderne, dhe më motivoi të ndërtoj këtu rrugën time akademike.
Ndërkohë, ajo që më mban prej më shumë se 20 vitesh në USH është ndjenja e përgjegjësisë ndaj studentëve dhe rolit që universiteti ka për qytetin dhe për zhvillimin e vendit, e në mënyrë të veçantë, kultura e punës e ndërtuar ndër vite në Fakultetin Ekonomik falë kontributit të shumë e shumë kolegëve. Është një mjedis që ka arritur të konsolidojë standarde serioze, të ruajë dinjitet institucional dhe të forcojë profilin e tij të ndërkombëtarizimit.
Po aq e rëndësishme është për mua edhe marrëdhënia shumë e mirë me kolegët ndër vite, një bashkëpunim i qëndrueshëm profesional, i shoqëruar nga një dimension njerëzor i rrallë, jo thjesht një komunitet kolegësh, por një grup miqsh. Këto elemente, së bashku, e kanë bërë Universitetin e Shkodrës një hapësirë ku kam mundur të jap kontribut, të rritem profesionalisht dhe të vazhdoj me motivim të plotë.
Çfarë do të thotë për ju të jesh pedagoge në Kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë?
Të jesh pedagoge në Kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë do të thotë të mbash një rol me përgjegjësi të dyfishtë, akademike dhe qytetare. Shkodra ka një traditë të konsoliduar kulturore e arsimore dhe kjo e ngarkon mësimdhënien me një standard më të lartë pritshmërishë, jo vetëm për të transmetuar dije, por për të formuar mendimin kritik, etikën e punës dhe sensin e shërbimit ndaj komunitetit. Për mua, kjo do të thotë të jem e pranishme dhe e kërkuese në auditor, të përditësoj vazhdimisht qasjen time profesionale dhe të punoj që studentët të kenë instrumentet e duhura për të konkurruar në mënyrë dinjitoze kudo.
Njëkohësisht, do të thotë të kontribuosh në zhvillimin e qytetit duke e lidhur universitetin me realitetin ekonomik e shoqëror të rajonit. Në një qytet që është nyje e rëndësishme e Veriut, çdo pedagog ka detyrimin të ndërtojë ura mes teorisë dhe praktikës, mes universitetit dhe institucioneve, sipërmarrjes e shoqërisë civile. Kjo është edhe arsyeja pse e shoh këtë rol si një angazhim afatgjatë në mbështetje të të rinjve, të cilët të mos kufizohen nga rrethanat, por të shohin mundësi edhe në vendin e tyre dhe të bëhen profesionistë që do kontribuojnë jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë.
Si ka ndryshuar profili i universitetit “Luigj Gurakuqi ” dhe i studentëve të tij ndër vite?
Profili i Universitetit “Luigj Gurakuqi” ka evoluar dukshëm ndër vite, duke reflektuar edhe ndryshimet e vetë shoqërisë dhe kërkesat e tregut të punës. Ai është zgjeruar si në terma të numrit të programeve e profileve të ofruara, ashtu edhe sa i përket pjesëmarrjes në projekte dhe nisma ndërkombëtare. Ky zhvillim ka rritur kapacitetin institucional dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjerimin e diapazonit të studentëve të cilëve ky universitet mund t’u shërbejë. Në të njëjtën kohë, një nga proceset më sfiduese, por edhe me impakt më të madh, ka qenë përfshirja e universitetit në proceset e akreditimit institucional dhe të programeve të studimit. Ky proces nuk ka qenë thjesht formal, por ka kërkuar rishikim të standardeve, të kurrikulave, të praktikave të mësimdhënies dhe të mënyrës si matet cilësia akademike, me synim përmirësimin e saj të vazhdueshëm dhe përafrimin me standardet bashkëkohore.
Natyrisht, edhe profili i studentëve të USH-së ka ndryshuar me kalimin e viteve, në përputhje kjo me zhvillimet e tregut të punës dhe të vetë universitetit, duke sjellë një orientim më të madh drejt kompetencave praktike dhe përvojave që rrisin konkurrueshmërinë. Megjithatë, me keqardhje duhet të them se Universiteti i Shkodrës, ashtu si shumë IAL në Shqipëri, vitet e fundit po përballet me rënie të numrit të studentëve, veçanërisht në degë dhe programe që i përkasin traditës së këtij institucioni, çka krijon sfida reale për qëndrueshmërinë dhe vijimësinë e tyre.

Si e keni përjetuar balancën mes jetës familjare dhe karrierës akademike?
Natyrisht nuk është e lehtë të arrish ekuilibrin e përsosur mes jetës familjare dhe karrierës akademike. Në momente të caktuara më është dashur të sakrifikoj njërën për tjetrën, por kjo ka qenë e mundur vetëm falë mbështetjes së vazhdueshme të familjarëve të mi, bashkëshortit, vajzave dhe prindërve tanë.
Sa e rëndësishme ka qenë mbështetja e familjes në rrugëtimin tuaj profesional?
Mbështetja e familjes ka qenë vendimtare në rrugëtimin tim që në fëmijëri dhe vazhdon të mbetet e tillë edhe sot, në një fazë ku rolet kanë ndryshuar dhe më takon, së bashku me bashkëshortin tim, të udhëzojmë dhe të investojmë te rrugëtimi i vajzave tona. Duke qenë se të dy jemi rritur nga prindër intelektualë, që kanë sakrifikuar shumë për arsimimin tonë, investimi dhe mbështetja në zhvillimin e vazhdueshëm të secilit është bërë pjesë organike e marrëdhënies sonë, ashtu edhe e raportit me fëmijët. Fatmirësisht, kemi ndërtuar me ta një kulturë komunikimi të hapur, ku ndajmë synimet, angazhimet dhe ngarkesat e secilit, çka na ka ndihmuar të gjejmë mënyra konkrete për t’u mbështetur reciprokisht.
A ka pasur momente kur jeni ndjerë e sfiduar si grua në pozicione drejtuese?
Në të vërtetë nuk mbaj mend ndonjë moment kur të jem ndjerë e sfiduar në pozicione drejtuese për faktin e të qenurit grua. Si në vitet kur kam shërbyer si Përgjegjëse e Departamentit të Administrim-Biznesit, ashtu edhe gjatë periudhës si Zëvendësdekane e Fakultetit Ekonomik, sfidat kanë ardhur kryesisht nga vetë natyra e roleve: ngarkesa e lartë e përgjegjësive, veçanërisht në vitet e para deri sa fitova përvojën e nevojshme, si edhe ndryshimet në legjislacion dhe kërkesat në rritje ndaj IAL-ve, që e bëjnë punën më komplekse. Këto i kam parë si pjesë normale të drejtimit dhe menaxhimit institucional. Në këtë rrugëtim, dua të theksoj se kam pasur fatin të punoj me kolegë dhe drejtues që më kanë mirëkuptuar dhe mbështetur vazhdimisht, duke krijuar një klimë bashkëpunimi dhe respekti profesional.
Çfarë mesazhi do t’u jepnit grave dhe vajzave që synojnë role akademike apo drejtuese?
Vajzave dhe grave që synojnë role akademike dhe drejtuese do u thoja që së pari të kenë besim në aftësitë e tyre dhe të mos i vendosin vehtes kufij të krijuar artificialisht nga shoqëria. Ndërmarrja e roleve të tilla kërkon punë e këmbëngulje, seriozitet e përgatitje, por njëkohësisht edhe shumë guxim për t’u përballur me sfidat dhe për të ngritur zërin aty ku duhet.
Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të kërkojnë të rrethojnë vehten me njerëz që i mbështesin dhe ndihmojnë për të ecur përpara, duke nisur me familjen e miqtë, e duke vazhduar me mentorët dhe kolegët me të cilët u kryqëzohen rrugët. Për më tepër, duhet të përgatiten për të vendosur prioritete, nëse duan të gjejnë ekuilibrin mes jetës personale dhe arritjeve profesionale. Por mbi të gjitha, është e rëndësishme të ruajnë integritetin dhe humanizmin, pasi këto dy cilësi janë garanci për një drejtim të mirë, përmes ndikimit tek njerëzit dhe institucionet të cilave do u shërbejnë.

Cili ka qenë sfidimi më i madh në drejtimin akademik si zëvendës dekane dhe shefe departamenti?
Siç e përmenda edhe më lart, të dy këto pozicione kanë pasur sfidat dhe ngarkesat e tyre, megjithatë, sfida më e madhe që kam përjetuar ka qenë përballja me procesin e parë të akreditimit institucional të Universitetit të Shkodrës. Në vitin 2017, në detyrën e Zëvendësdekanes së Fakultetit Ekonomik, një nga përgjegjësitë kryesore që më ishte ngarkuar ishte organizimi dhe drejtimi i procesit të sigurimit të cilësisë në fakultet, një detyrë që mori vlerë të veçantë pikërisht në kuadër të akreditimit institucional, të cilit universiteti iu nënshtrua gjatë atij viti.
Ishte një përvojë e re dhe kërkuese, që nënkuptonte njohjen me procedurat, standardet, dokumentacionin e domosdoshëm dhe një ngarkesë të konsiderueshme pune për ta realizuar procesin me sukses. Krahas volumit, sfida qëndronte edhe te mobilizimi dhe angazhimi i gjithë stafit të universitetit. Në nivel fakulteti, ky koordinim më takonte mua. Nuk ishte aspak e lehtë të harmonizohej puna brenda fakultetit dhe më tej me strukturat e tjera të universitetit, për të përfunduar brenda afateve me një seri dokumentesh të plota, të hartuara sipas standardeve të kërkuara, që pasqyronin gjendjen reale të institucionit, duke evidentuar qartë si pikat e forta, ashtu edhe nevojat për përmirësim.
Sa i rëndësishëm është kërkimi shkencor për zhvillimin e universiteteve shqiptare?
Kërkimi shkencor është thelbësor për zhvillimin e universiteteve shqiptare, sepse përmes tij ato shndërrohen nga institucione që vetëm transmetojnë dije, në institucione që e prodhojnë atë, që sjellin risi dhe sigurojnë zgjidhje për shoqërinë. Dija e re, e gjeneruar nga kërkimi shkencor, përcillet më pas në auditoret e universiteteve, duke mbajtur stafin akademik të përditësuar me zhvillimet e fundit e duke përmirësuar kështu cilësinë e mësimdhënies. Për më tepër, dija e re ngacmon kuriozitetin dhe kultivon kulturën e të menduarit kritik tek studentët, duke i stimuluar ata ta diskutojnë atë dhe të nxjerrin konluzionet e tyre se sa dhe si kjo dije mund t’i shërbejë më mirë zhvillimit të vendit.
Zgjerimi i kërkimit shkencor nënkupton gjithashtu më shumë bashkëpunim me institucionet publike dhe komunitetin e biznesit, më shumë akses në fonde dhe programe ndërkombëtare, si dhe një kontribut më të drejtpërdrejtë të IAL-ve në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Nuk duhet harruar gjithashtu, që niveli i zhvillimit të kërkimit shkencor, është një kriter kyç për reputacionin dhe konkurrueshmërinë e universiteteve, për akreditimin dhe ndërkombëtarizimin e tyre.
Cilat tema të kërkimit tuaj i konsideroni më të rëndësishme për Shqipërinë sot?
Fusha ime e specialitetit është biznesi ndërkombëtar, më konkretisht sfidat e menaxhimit te një aktiviteti qe shtrihet përtej kufijve të vendit të tij amë, në kushtet e një mjedis biznesi gjithnjë e më dinamik e konkurrues. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e punës sime kërkimore i është kushtuar menaxhimit ndërkombëtar të burimeve njerëzore, veçanërisht mënyrës së përzgjedhjes së drejtuesve të filialeve të kompanive të huaja në Shqipëri. Në këtë kuadër, pyetja kryesore ka qenë nëse këto kompani zgjedhin të vendosin në krye të filialeve një drejtues të dërguar nga kompania mëmë apo një drejtues shqiptar, dhe cilët faktorë e përcaktojnë një vendimmarrje të tillë. Objektivi i kësaj punë kërkimore, parë nga këndvështrimi i tregut të punës shqiptar, ka qenë të kuptohet se si mund të rriten gjasat që këto pozicione të mbulohen nga menaxherë shqiptarë, duke krijuar kështu mundësi reale për individë të kualifikuar dhe të talentuar në fushën e menaxhimit të biznesit për të ndërtuar karrierën e tyre në Shqipëri.
Një çështje tjetër shumë e rëndësishme, që ngre ende shumë pikëpyetje për një numër të madh biznesesh, përfshirë edhe ato shqiptare, lidhet me rritjen e nivelit të perceptuar të mirëqenies në punë nga punonjësit. Punonjësit që e përjetojnë mirëqenien në nivele të larta priren të jenë më të kënaqur dhe, si rrjedhojë, edhe më produktivë. Ata sjellin rezultate më të larta, kontribuojnë në performancën e kompanisë dhe në përmirësimin e përgjithshëm të aktivitetit të saj. Për këtë arsye, të kuptuarit e faktorëve që ndikojnë në mirëqenien në punë është thelbësor për krijimin e kushteve të duhura, në mënyrë që bizneset të funksionojnë me sukses dhe të kenë zhvillim të qëndrueshëm, duke kontribuar rrjedhimisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndërkohë, gjatë vitit të fundit, një tjetër fokus i rëndësishëm i punës sime ka qenë roli që zhvillimi dhe investimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Kërkimi im është përqendruar te ndikimi i këtyre investimeve në zgjerimin e tregtisë me vendet e tjera dhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, dy elementë kyç që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen dhe progresin ekonomik të Shqipërisë.
Si e shpjegoni rënien e numrit të studentëve në universitetet shqiptare?
Për mendimin tim, rënia e numrit të studentëve në universitetet shqiptare, është rrjedhojë e një serie faktorësh demografikë, socialë dhe ekonomikë. Në rradhë të parë, emigracioni i të rinjve dhe familjeve të tyre, njëkohësisht me rritjen e numrit të të rinjve shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin studimet jashtë vendit, kanë ulur ndjeshëm numrin e maturantëve që zgjedhin universitetet vendase. Së dyti, në këtë tendencë po ndikon edhe reduktimi i popullsisë në moshë universiteti. Për më tepër, për shumë prej të rinjve, perceptimi se një diplomë jashtë vendit ofron më shumë mundësi punësimi dhe zhvillimi profesional e ka rritur konkurrencën ndaj IAL-ve shqiptare. Nga ana tjetër, ndryshimet në tregun e punës, ku gjithnjë e më shumë kërkohen aftësi të aplikueshme, specializime më të shpejta dhe përvoja praktike, po bën që shumë të rinj të orientohen drejt formave alternative/profesionale të trajnimeve ose drejt punësimit të hershëm.
Situata është serioze veçanërisht për programet tradicionale të studimit, të cilat, nëse nuk përshtaten me nevojat e tregut të punës, do ta kenë më të vështirë të mbeten tërheqëse në vitet në vazhdim. Në këtë kontekst, sfida për universitetet shqiptare është të ruajnë standardet e cilësisë, por njëkohësisht të ripozicionohen përmes programeve më të orientuara drejt tregut, bashkëpunimit me biznesin, kërkimit dhe ndërkombëtarizimit.

Sa ndikon emigracioni i të rinjve në këtë realitet?
Emigracioni i të rinjve ndikon drejtpërdrejt në rënien e numrit të studentëve, pasi ul numrin e maturantëve që zgjedhin universitetet shqiptare, duke e zhvendosur preferencën e tyre për studime jashtë vendit, aty ku shumë prej tyre e shohin më të sigurt rrugën drejt punësimit dhe zhvillimit profesional. Për më tepër, emigracioni krijon edhe një efekt zinxhir, ai redukton edhe numrin aktual të nxënësve në ciklet e arsimit parauniversitar, çka do të reflektohet në përmasa më të mëdha në auditorët e universiteteve shqiptare në vitet e ardhshme. Si pasojë, universitetet shqiptare përballen me presion të shtuar për t’u bërë më konkurruese përmes programeve më të lidhura me praktikën, kërkimin dhe ndërkombëtarizimin, në mënyrë që të vazhdojnë të perceptohen si një zgjedhje me vlerë dhe perspektivë reale.
A po e humb universiteti shqiptar besimin e brezit të ri?
Nuk jam e sigurtë nëse duhet ta quaj “humbje besimi” qasjen e brezit të ri ndaj universitetit shqiptar, një “qëndrim kritik” ndaj tij apo një “prirje për të eksploruar” një terren të ri, që, në këndvështrimin e shumë të rinjve, të krijon më shumë mundësi lidhjesh, punësimi apo praktike. Fakti, që edhe vetë në rininë time kam patur shumë dëshirë te studioja jashtë, nuk lidhej domosdoshmërisht me mungesën e besimit ndaj cilësisë së universiteteve shqiptare. Ishte më tepër kurioziteti për të eksploruar perëndimin, sistemin arsimor atje dhe për të përfituar nga mundësitë e përmendura më lart, që universitetet perëndimore t’i ofronin, por nuk i gjeje dot tek ato shqiptare në vitet 90’. Mendoj, që në drejtim të këtyre oportuniteteve, pra sigurimit të lidhjeve, praktikave dhe mundësive për punësim të studentëve, universitetet shqiptare kanë ende vend për përmirësim. Sidoqoftë, rikthimi i vëmendjes së të rinjve drejt universiteteve tona është i mundur, përmes rezultateve, transparencës dhe standardeve, përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë, lidhjes me tregun e punës, thellimit të kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit të tyre.
Cilat janë problematikat më të mprehta që po përballet arsimi i lartë sot?
Janë një sërë problematikash me të cilat po përballet sot arsimi i lartë në Shqipëri, por unë do përmend tre prej tyre, që personalisht i gjykoj me më shumë impakt në të ardhmen e këtij sistemi. Së pari, rënia e ndjeshme e numrit të studentëve, si pasojë e emigracionit dhe rënies së popullsisë në moshë universitare, paraqet një rrezik real për qëndrueshmërinë e disa programeve, veçanërisht atyre tradicionale, si programet e mësuesisë. Së dyti, vëmendja në rritje ndaj sigurimit të cilësisë dhe procesit të akreditimit kërkon standardizim, dokumentim dhe kapacitete institucionale të konsoliduara, të cilat në shumë raste nuk mbështeten mjaftueshëm me burimet e duhura financiare dhe infrastrukturë. Ndërkaq, sfida më e rëndësishme, e cila ndikon drejtpërdrejt edhe në dy problematikat e mësipërme, mbetet hendeku mes universiteteve dhe një tregu pune që ndryshon me ritme të shpejta. Për ta ngushtuar këtë hendek, universitetet duhet të ristrukturojnë kurrikulat, të zgjerojnë hapësirat për praktika, të forcojnë bashkëpunimin me biznesin dhe institucione të tjera brenda e jashtë vendit, të thellojnë kërkimin shkencor në përputhje me nevojat e tregut dhe të rrisin pjesëmarrjen në rrjete ndërkombëtare. Vetëm kështu, diploma e studentëve do të përkthehet në kompetenca të matshme dhe në mundësi konkrete punësimi e zhvillimi profesional.

A po vlerësohet mjaftueshëm roli i pedagogut?
Mendoj që ka ende punë për të bërë sa i përket vlerësimit real të rolit të pedagogut. Pritshmritë ndaj tij janë të larta e shumëdimensionale. Një pedagog duhet të jetë një lektor cilësor, duhet të merret me kërkim shkencor, duhet të kontribuojë në sigurimin e cilësisë apo në detyra të tjera në institucionin ku punon, duhet të jetë i përditësuar me të rejat e teknologjisë, në një kohë që përballet me mangësi në kushtet e punës, mungesë fondesh për kërkim e mundësishë për zhvillim profesional. Besoj që, për t’i dhënë atij vlerën e duhur, është e nevojshme t’i krijohet një mjedis ku puna akademike vlerësohet e shbërblehet mbi baza meritokracie, ku ofrohen stimuj për kërkimin shkencor e investohet për trajnimin dhe specializimin e tij.
Veçanërisht të rëndësishme e shoh përfshirjen e stafeve akademike si ekspertë dhe konsulentë në hartimin e politikave të zhvillimit, pasi janë pikërisht ata që qëndrojnë në vijën e parë të kërkimit shkencor, të identifikimit të problematikave dhe të ofrimit të zgjidhjeve e risive në fusha të ndryshme. Kjo përfshirje jo vetëm e rrit ndikimin e universitetit në shoqëri, por edhe e bën punën akademike më të vlefshme e më të dukshme, sepse lidh dijen me vendimmarrjen dhe e kthen ekspertizën shkencore në politika më të informuara, më të zbatueshme dhe me rezultate konkrete.
Sa reale është sot cilësia dhe sigurimi i saj në universitetet shqiptare?
Vitet e fundit, vëmendja ndaj sigurimit të cilësisë në universitetet shqiptare është bërë më reale dhe më e strukturuar se më parë. Përfshirja në procesin e akreditimit dhe ndërtimi i strukturave të brendshme për garantimin e saj, kanë përforcuar formalizimin e proçeduarve në shumë universitete, kanë nxitur rishikimin e programeve të studimit dhe, ajo që është më e rëndësishme, kanë ndryshuar kulturën e punës, në themel të së cilës tashmë është cilësia.
Megjithatë, realiteti mbetet ende prapa krahasuar me standardin. Në mjaft raste procesi është më tepër formal dhe i mbështetur te dokumentacioni, se investim konkret. Formalizimi i proçedurave dhe raportimi duhet patjetër të shoqërohen me investime konkrete në burime financiare, infrastruktura, kërkim e zhvillim profesional, sikurse edhe në lidhje më të forta me tregun e punës, që procesi për garantimin e cilësisë në universitete të jetë rezultativ.
A janë programet studimore të lidhura realisht me tregun e punës?
Integrimi me ritme më të shpejta i Shqipërisë në tregun global, zhvillimet po aq dinamike të teknologjisë, dhe sidomos inteligjenca artificiale (IA), kanë ndyshuar kërkesat për aftësi në pothuajse çdo sektor, duke kërkuar kompetenca të reja digjitale, analitike dhe etike. Kjo e bën mëse të nevojshëm ristrukturimin e programeve të studimit nga ana e universiteteve, duke e shoqëruar me zgjerimin e lidhjeve të tyre me biznesin dhe institucionet publike dhe zhvillimin e aftësive në fushën e IA-së.

Çfarë duhet të ndryshojë urgjentisht në sistemin universitar shqiptar?
Duke vijuar në të njëjtën linjë si më lart, mendoj se, ajo që duhet të ndryshojë urgjentisht në sistemin tonë universitar, është ngushtimi i hendekut mes kurrikulave që ato ofrojnë dhe nevojave të tregut të punës, të cilat po ndryshojnë me ritme jashtëzakonisht të shpejta. Po kështu, procesi i sigurimit të cilësisë dhe akreditimi i IAL-ve duhet të shoqërohen me investime e burime konkrete, që të mos mbeten thjesht procese dokumentimi, por mekanizma realë përmirësimi. Përshtatja me ndryshimet e sjella nga zhvillimi i IA-së, është një tjetër element ku universitetet duhet patjetër të jenë të kujdesshme. Integrimi i saj në aktivitetet e përditshme të IAL-ve duhet të shoqërohet me rregulla të qarta mbi integritetin akademik dhe trajnimin e pedagogëve, për ta përdorur atë si një mjet që rrit produktivitetin dhe cilësinë, pa zëvendësuar mendimin kritik të individit.
Çfarë modeli universiteti duhet të synojë Shqipëria në dekadën e ardhshme?
Modeli modern i universitetit shqiptar duhet të jetë ai i një institucioni të hapur e konkurrues, ku gërshetohen mësimdhënia cilësore me kërkimin shkencor dhe inovacionin, këto të fundit në shërbim të komunitetit apo rajonit ku universiteti zhvillon aktivitetin e tij. Një universitet i tillë duhet ta matë suksesin pikërisht me kompetencat që fitojnë studentët aty dhe sa i përgjigjen ato nevojave të tregut dhe prirjeve të zhvillimit të rajonit ku është vendosur universiteti. Siç u theksua edhe më lart, kjo gjë është e mundur nëse rishikohen kurrikulat, investohet në infrastrukturë dhe kërkim-shkencor, përforcohen lidhjet me biznesin dhe institucionet publike, si dhe intregrohen në mënyrë etike dhe transparente teknologjitë e reja të komunikimit dhe inteligjenca artificiale.
A kanë universitetet rajonale një rol strategjik për zhvillimin e vendit?
Universitetet rajonale luajnë patjetër një rol strategjik në zhvillimin e vendit, duke i shërbyer në rradhë të parë zonës ku janë vendosur. Përmes tyre bëhet e mundur që të frenohet largimi i kapitalit njerëzor drejt kryeqytetit apo jashtë vendit dhe formimi i tij në përputhje me nevojat reale të zhvillimit të rajonit. Për më tepër, kërkimi shkencor i zhvilluar në këto universitete dhe ekspertiza e stafeve të tyre, është një burim i padiskutueshëm njohurishë e mbështetjeje për politikat publike në nivel lokal dhe komunitetin e biznesit aty.

Si do ta përkufizonit rolin e Fakultetit të Ekonomisë në zhvillimin e Shkodrës dhe Veriut të Shqipërisë?
Rolin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në zhvillimin e Shkodrës dhe Veriut do ta përkufizoja si një histori të konsoliduar suksesi dhe ndikimi konkret. I ngritur 32 vite më parë mbi modelin e shkollës amerikane të biznesit, si rezultat i një projekti të mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit në bashkëpunim me Universitetin e Illinois-it të Jugut (Carbondale) dhe Universitetin e Nebraskës, fakulteti është rritur nga një degë e një program i vetëm në Administrim-Biznes, në një strukturë me tre departamente (Administrim-Biznes, Financë-Kontabilitet dhe Turizëm) dhe 13 programe studimi (3 Bachelor, 5 Master Shkencor, 4 Master Profesional), përfshirë edhe doktoraturën në “Ekonomi dhe turizëm të qëndrueshëm”. Paralelisht, është rritur ndjeshëm edhe numri i studentëve: nga rreth 30 në vitet e para, sot ka rreth 538 studentë në Bachelor, 311 në Master dhe 30 në doktoraturë. Ky zhvillim është reflektuar drejtpërdrejt në rajon. Fakulteti ka furnizuar tregun lokal me profesionistë të kualifikuar në një moment kur nevoja për njohuri mbi ekonominë e tregut ishte emergjente, dhe sot mbetet një burim kryesor i kapitalit njerëzor për njësitë vendore lokale, bizneset vendase dhe ato të huaja, veçanërisht në sektorin bankar, ku një pjesë e madhe e stafit në degët e bankave në Veri janë të diplomuar të këtij fakulteti. Po aq i rëndësishëm është edhe roli i tij si partner zhvillimi, përmes bashkëpunimeve me institucionet publike lokale dhe me biznesin (praktika, projekte, ekspertizë), me bindjen se këto lidhje duhen thelluar më tej që fakulteti të kontribuojë edhe më fort në hartimin e politikave lokale dhe në ndërtimin e një modeli zhvillimi më të qëndrueshëm për Shkodrën dhe Veriun.
Sa ka ndikuar Fakulteti i Ekonomisë së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në formimin e elitave ekonomike dhe institucionale të Veriut?
Siç e përmenda më lart, Fakulteti Ekonomik ka qenë burimi kryesor i kapitalit njerëzor si për institucionet shtetërore ashtu edhe bizneset që operojnë në Rajonin e Veriut të Shqipërisë, shumë prej të cilëve ndër vite kanë mbuluar pozicione kyçe lidershipi. Shumë prej tyre drejtojnë sot degët lokale të bankave më të njohura në Shqipëri, janë sipërmarrës të suksesshëm apo shërbejnë në institucionet publike, deri në nivelet më të larta të lidershipit.
Por me keqardhje më duhet të them që një pjesë e mirë e të diplomuarve sot zhvillojnë karrierën dhe japin kontributin e tyre në institucione apo biznese të kryeqytetit apo edhe jashtë vendit. Ne jemi shumë krenarë për arritjet e tyre, por me keqardhje vlerësojmë që ato vlera dhe kontribute nëse do të investoheshin në qytetin e Shkodrës apo Rajonin e Veriut, impakti në zhvillimin e mëtejshëm të tyre do të ishte i konsiderueshëm. Diploma e lëshuar nga Fakulteti Ekonomik, nisur edhe nga historia e krijimit dhe zhvillimit të tij, u siguron mundësi studentëve që diplomohen në këtë fakultet të integrohen shpejt në tregun e punës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ky është një oportunitet shumë i mirë për ta por një sfidë për ne si fakultet dhe rajonin të cilit i përkasim. Prandaj fakultetit nga njëra anë dhe institucioneve vendore nga ana tjetë, na del si detyrë të gjejmë mekanizmat e duhur për t’i mbajtur këto burime njerëzore këtu, duke u ofruar mjedisin dhe sitmujt që i përgjigjen përgatitjes së tyre.
Dua gjithashtu të theksoj, se fatmirësisht, shumë nga ish-pedagogët apo studentët e këtij fakulteti, edhe pse prej vitesh zhvillojnë karrierën përtej qytetit të Shkodrës apo jashtë vendit, vazhdojnë t’i ruajnë lidhjet me këtë institucion dhe të kontrbuojnë në forma të ndryshme tek ai. Për arritjen e kësaj, një rol të veçantë ka patur lidershipi i fakultetit, që në krijimin e tij e deri më sot. Mund të them me plot gojë që ndjehem thellësisht e privilegjuar që kam qenë dhe jam pjesë Fakultetit Ekonomik, për vlerat, stimujt dhe kontributin që ai ka përcjellë në qytet e në rajon, përmes pedagogëve e studentëve të tij ndër vite. Këto janë vlerat e një universiteti dhe një qyteti me traditë si Shkodra.
A ka një ndikim konkret të diplomuarve në administratë dhe biznes?
Ndikimi i Fakultetit Ekonomik në administratën shtetëore dhe në biznes ka qenë i dukshëm. Shumë nga të diplomuarit në këtë fakultet janë bërë pjesë e administratës, duke zënë edhe pozicione të nivelit të lartë, si drejtues të institucioneve tatimore, drejtorive në Bashkinë e Shkodrës, duke mbërritur deri tek pozicioni i nënkryetarit të Bashkisë Shkodër. Sa i përket biznesit, edhe në këtë drejtim ndikimi ka qenë domethënës, e siç u theksua më lart, jo vetëm në bizneset lokale, por edhe ato të kryeqytetit e më gjerë, sikurse edhe në bizneset me emër në perëndim.

Çfarë roli ka luajtur fakulteti në nxitjen e sipërmarrjes dhe zhvillimit rajonal?
Përgjigjen e kësaj pyetje dua ta nis me një eksperiencë shumë të bukur që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të Fakultetit Ekonomik për shumë vite, konkursit SIFE (Students in Free Enterprise). Ky konkurs zhvillohej në nivel fakulteti, kombëtar dhe ndërkombëtar mes skuadrave të studentëve të fakulteteve ekonomike mbi gjenerimin e ideve të reja të biznesit. Të drejtuar nga anëtarë të stafit të fakultetit ndër vite, brenda fakultetit ndërtoheshin disa skuadra, të cilat krijonin ide biznesi dhe i prezantonin ato përpara një jurie profesionale. Juria përzgjidhte idenë më të mirë për të vijuar konkurrimin në fazat e mëtejshme. Me shumë krenari mund të them që për disa vite me rradhë skuadrat e fakultetit ekonomik kanë qenë fituese të vendeve të para në rang kombëtar, dhe pjesëmarrëse edhe në konkurrimet në rang ndërkombëtar, si përfaqësuese të Shqipërisë. Kultivimi i kulturës sipërmarrëse që në këtë fazë të hershme është kontributi i parë konkret i fakultetit në nxitjen e sipërmarrjes.
Gjithashtu, shumë studentë të Fakultetit Ekonomik, i gjejmë sot sipërmarrës në fusha të ndryshme, si në tregti, fasoneri, shërbime sigurimi e shërbime të tjera. Disa prej tyre e kishin nisur këtë aktivitet para se të bëheshin pjesë e fakultetit, por aty gjetën mjedisin e duhur që do t’i pajiste me njohuritë bashkëkohore të drejtimit të biznesit dhe do të përforconte stimujt për të vazhduar me këmbëngulje rrugën e nisur.
Sa e rëndësishme është lidhja e fakultetit me pushtetin vendor dhe biznesin?
E kam përmendur disa herë gjatë intervistës rëndësinë e lidhjes mes fakultetit dhe institucioneve vendore e komunitetit të biznesit. Ky trekëndësh dhe përforcimi i lidhjeve mes tre aktorëve të tij, është thelbësor për zhvillimin e rajonit. Fakulteti nga njëra anë ofron ekspertizën dhe kapitalin njerëzor, ndërsa institucionet vendore dhe biznesi sigurojnë mjedisin ku këto burime mund të shfrytëzohen për të krijuar vlerë shtesë për shoqërinë, në përputhje me politikat dhe objektivat për zhvillimin e Rajonit të Veriut.
A ndihmon Fakulteti i Ekonomisë në frenimin e emigracionit të të rinjve?
Fakulteti Ekonomik mund të ndikojë në frenimin e emigracionin, por nuk ma të bëjë i vetëm këtë. Ky proces kërkon patjetër ndërtimin e mekanizmave të përbashkët që lidhin fakultetin, me Bashkinë, institucionet e tjera vendore dhe biznesin. Në këtë mënyrë, fakulteti mund të përshtasë vazhdimisht programet e studimit sipas kërkesave të tregut, të rrisë mundësitë për zhvillimin e praktikave nga studentët, veçanërisht atyre të paguara, e mbi gjitha t’u sigurojë atyre lidhje që rrisin shanset për punësim në të ardhmen.

Si e shihni rolin e tij në dekadën e ardhshme për Kryeqendrën e Veriut?
Në dekadën e ardhshme, mendoj që roli i Fakultetit Ekonomik duhet të shndërrohet në atë të “katalizatorit të zhvillimit” për Rajonin e Shkodrës, një qendër që prodhon profesionistë, por edhe ide, politika dhe projekte që ndikojnë drejtpërdrejt ekonominë lokale. Duke u mbështetur te struktura tashmë e konsoliduar (departamentet dhe programet, përfshirë edhe programin e doktoraturës) si edhe traditën e bashkëpunimit me institucionet publike lokale dhe biznesin, ai mund të udhëheqë nisma për zhvillimin e sipërmarrjes dhe inovacionit, turizmit të qëndrueshëm e financave lokale, duke u mbështetur edhe tek kontributi i të diplomuarve që aktualisht punojnë jashtë qytetit apo vendit.
Duke qenë në prag të Vitit të Ri 2026, çfarë mesazhi do t’u dërgonit studentëve që ndihen të pasigurt për të ardhmen?
Mesazhin tim për studentët do ta nis me një bindje që e kam ndërtuar ndër vite, kur beson vërtet në diçka, vendos një objektiv të qartë dhe i përkushtohesh me këmbëngulje, rruga drejt arritjes është e mundur. Pasiguria është krejt normale, sidomos në një moshë kur pritshmëritë shpesh janë të larta, por askush nuk duhet t’i kërkojë vetes të arrijë “majat” menjëherë. E ardhmja ndërtohet hap pas hapi, me zgjedhje të vogla që, me kohën, kthehen në rezultate të mëdha. Po aq e rëndësishme është të mos e krahasojmë veten me të tjerët, secili prej nesh ka ritmin, rrugëtimin dhe sfidat e veta.
Një gjë që ua them shpesh studentëve të mi është se sot kanë më shumë hapësira dhe mundësi për të eksploruar e për të njohur botën, më shumë se çdo brez më parë. Mjafton t’ia japin vetes këtë shans, të angazhohen që në gjimnaz apo universitet, të aplikojnë për një bursë shkëmbimi, të bëhen pjesë e një projekti, pse jo edhe të provojnë një ide start-up-i, apo të kërkojnë mbështetjen e një mentori, brenda ose jashtë institucioneve arsimore, fizikisht apo online. Por që ky eksplorim të kthehet në sukses, duhet punë e përditshme, përkushtim, integritet dhe disiplinë, dhe mbi të gjitha, këmbëngulje për të mos u dorëzuar përballë pengesave. Mund të rrëzohemi, por suksesi më i madh është të gjejmë forcën të ngrihemi sërish.
A ka ende shpresë që universiteti shqiptar të jetë motor zhvillimi?
Patjetër që ka shpresë, unë e përmenda këtë më lart duke iu referuar Fakultetit Ekonomik dhe Universitetit të Shkodrës, por të njëjtët argumenta vlejnë edhe për IAL-të e tjera. Për sa kohë që ata i japin rëndësinë e duhur cilësisë, kërkimit shkencor dhe inovacionit, përmes investimeve konkrete në këtë drejtim, lidhjeve me institucionet publike, komunitetin e biznesit e IAL të tjera brenda e jashtë vendit, një gjë e tillë është mëse e mundur.

Si do të dëshironit të kujtoheni nga studentët tuaj?
Kjo është një pyetje vërtetë interesante, por jo e lehtë për t’i dhënë përgjigje. Ndoshta, do dëshiroja që studentët të më kujtonin si dikush që i ka nxitur të besojnë tek vetvetja dhe tek oportunitetet me të cilat janë të rrethuar, por njëkohësisht edhe si personi që ka theksuar vazhdimisht nevojën për të punuar shumë për arritjen e qëllimeve dhe pritshmërive për të ardhmen.
Si nënë, çfarë vlerash përpiqeni t’u transmetoni fëmijëve tuaj dhe si ndikon përvoja juaj akademike në edukimin e tyre të përditshëm?
Integriteti, vlerësimi për punën, kurioziteti për të eksploruar dhe këmbëngulja janë vlera të cilat më janë transmetuar nga prindërit që në fëmijëri dhe mbi të cilat kam ndërtuar gjithë rrugëtimin tim akademik e njerëzor. Pikërisht këto vlera po përpiqem t’ua përcjell edhe vajzave të mia. Fatmirësisht, marrëdhënia jonë është e hapur dhe e sinqertë. Përmes bisedave të përditshme ndajmë me njëra-tjetrën përjetimet, sfidat dhe arritjet e ditës, duke i reflektuar gjithmonë në dritën e këtyre parimeve. Nga përvoja ime akademike ato kanë kuptuar se suksesi kërkon punë e përpjekje të vazhdueshme, se rezultatet vijnë gradualisht, por edhe se ia vlen të guxosh e të provosh eksperienca të reja e të larmishme.
Si unë, ashtu edhe bashkëshorti, kemi punuar që t’u kultivojmë dëshirën për të mësuar gjuhë të huaja, për të lexuar e për t’u njohur me kultura të ndryshme, si edhe për të eksploruar fusha të ndryshme, si piktura, muzika dhe sportet. Me kalimin e kohës, ato kanë zgjedhur vetë ku ndihen më të afërta dhe ku duan të kontribuojnë. Ndërkohë, të ndihmuara edhe nga teknologjia e informacionit, kanë zgjeruar dukshëm njohuritë në fusha të caktuara. Vajza e madhe është prirur drejt aktivizmit dhe i përkushtohet me pasion kauzave të ndryshme, ndërsa e vogla ka interes të veçantë për psikologjinë dhe ka dëshirë të lexojë e inform vazhdimisht për këtë fushë.

Në një jetë të ngarkuar mes auditorëve, projekteve dhe angazhimeve institucionale, si e ruani lidhjen emocionale me familjen dhe çfarë do të thotë për ju familja si burim force dhe ekuilibri?
Është më se e kuptueshme tashmë lidhja ime e fortë me familjen, e kultivuar që në vogëli dhe e përcjellë deri më sot. Familja ka qenë pa diskutim përherë streha ime e qetësisë, e forcës dhe e ekuilibrit, arsyeja pse rrugëtimi akademik dhe angazhimet e ndryshme profesionale marrin kuptim, sepse në fund të fundit, arritjet vlejnë më shumë kur ndahen me njerëzit më të dashur.
Dhe me që jemi në prag të Vitit të Ri 2026, uroj që ky vit të sjellë për të gjithë më shumë dije, guxim për të ëndërruar dhe forcë për të realizuar qëllimet. Le të jetë një vit plot shëndet, suksese, vlera njerëzore dhe arritje të reja, si në jetën personale ashtu edhe profesionale për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.
Gëzuar Vitin e Ri 2026!


