Fundviti gjallëron Elbasanin, sheshi “Hans Ditrih Gensher” në qendër të festimeve

Atmosfera e festave të fundvitit ka gjallëruar qytetin e Elbasanit, duke e kthyer sheshin “Hans Ditrih Gensher”, mes mureve të kalasë, në epiqendrën e aktiviteteve festive.

Dekoret dhe ndriçimi i fundvitit kanë tërhequr qytetarë të moshave të ndryshme, të cilët ndalen veçanërisht në orët e mbrëmjes për të fiksuar momente festive në fotografi.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha për ATSH-në se festimet kanë nisur që në fillim të dhjetorit me një kalendar aktivitetesh për të gjitha moshat, duke gjallëruar qytetin sidomos gjatë mbrëmjeve.

Artistë vendas dhe të huaj, DJ dhe grupe vallëzimi performojnë në shesh, duke krijuar një atmosferë festive për banorë dhe vizitorë.

Festat e fundvitit kanë nxitur edhe turizmin. Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Elbasan, Artur Guni, tha se Gjinarin e karakterizon këtë fundvit një fluks i shtuar prenotimesh, falë bujtinave dhe shërbimeve të përmirësuara.

Kërkesa të larta janë regjistruar edhe në Funar dhe brenda qytetit të Elbasanit. Sipas të dhënave nga strukturat turistike, nga muaji gusht deri tani janë regjistruar rreth 11 mijë vizitorë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME