Situata në territorin e bashkisë Gramsh vijon të jetë shqetësuese, pasi prej disa ditësh disa vatra zjarri janë ende aktive në masivet pyjore të zonës, duke shkaktuar dëme serioze në mjedis dhe rrezik potencial për zona të tëra.
Vatra më e fundit është regjistruar në zonën e Kullollasit një territor i mbuluar me sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe bimësi të dendur, që e bën ndërhyrjen më të vështirë.
Krahas zjarrit në Kullollas i shfaqur mesditën e sotme, dy vatra të tjera janë mjaft aktive në masive të ndryshme pyjore, ku përpjekjet për shuarjen e tyre janë duke vijuar me intensitet nga forcat zjarrfikëse, strukturat e emergjencës civile, banorët vullnetarë dhe helikopteret.
Terreni i thyer dhe temperaturat e larta kanë vështirësuar ndjeshëm operacionet në terren, ndërkohë që autoritetet janë në gadishmëri për të mbrojtur zonat e banuara dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik të bashkisë Gramsh, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, ku operuan forcat operacionale punuan të MZSH Gramsh të mbështetur nga 25 efektivë të FA Elbasan.
Bashkia Gramsh, në bashkëpunim me prefekturën dhe institucionet përkatëse, ka ngritur grupet e monitorimit dhe ka kërkuar mbështetje shtesë për ndërhyrje më efektive.
Kryetari i bashkisë ka apeluar disa herë për vigjilencë maksimale dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve duke theksuar rëndësinë e raportimit të hershëm të çdo rreziku zjarri.
Dëmet në natyrë janë të konsiderueshme, pasi përveç sipërfaqeve të djegura, rrezikohen edhe habitatet natyrore të shumë specieve, si dhe vetë biodiversiteti i zonës.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e mundshme të shpërthimit të këtyre vatrave, përfshirë faktorët natyrorë, por edhe veprimtarinë e pakujdesshme njerëzore, e cila mbetet një ndër burimet kryesore të zjarreve në këtë periudhë të vitit.
Situata mbetet e ndërlikuar dhe kërkon ndërhyrje të koordinuar dhe të menjëhershme, për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të saj dhe për të mbrojtur një nga pasuritë më të çmuara të zonës.
albaniaexpress.al