Kampioni i peshëngritjes, Briken Calja, ka dalë me një deklaratë të fortë publike drejtuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ku kërkon transparencë maksimale dhe zbatim strikt të rregullave në Kupën e Republikës për kategorinë 79 kg. Ai thekson rëndësinë e matjes së peshës në prani të një komisioni të paanshëm, zhvillimin e garës në kushte profesionale, testimin antidoping për të gjithë sportistët dhe praninë e publikut e medias në një event që, sipas tij, mund të jetë më i bukuri që ky sport ka parë në dy dekadat e fundit.
REAGIMI
Deklaratë Publike
Drejtuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes
Si kampion dhe përfaqësues i peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, kërkoj zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes që, në Kupën e Republikës (79 kg), të garantohet:
● Matja e peshës trupore në prani të një komisioni transparent, me përfaqësues nga të tre palët e sportistëve.
● Përcaktimi i fituesit vetëm mbi bazën e rezultatit real në platformë,aty ku flasin forca, teknika dhe sakrifica.
● Kryerja e testit antidoping për të gjithë pjesëmarrësit, sipas standardeve ndërkombëtare.
● Zhvillimi i garës në ambientet e pallatit të sportit, për shkak të rëndësisë së këtij kampionati dhe nevojës për kushte profesionale.
● Ftesë për median dhe publikun që të jenë pjesë e kësaj gare, në datën 6 shtator, një ditë që premton të sjellë emocionin dhe rivalitetin më të bukur që peshëngritja shqiptare ka parë në 20 vitet e fundit.
Kjo nuk është thjesht një kërkesë formale.
Kjo është një ftesë e hapur: Federata të garantojë rregullat, sportistët të japin maksimumin dhe publiku të jetë dëshmitar i një gare të ndershme, ku fiton vetëm më i miri.
Le ta bëjmë këtë kompeticion shembullin e peshëngritjes shqiptare një ditë që do të kujtohet për forcën, pasionin dhe respektin për sportin.
Briken Calja