Pazari i Ri, pikë referimi për blerjet e fundvitit

Me afrimin e festave të fundvitit, Pazari i Ri, një nga hapësirat më të gjalla tregtare të kryeqytetit, merr një tjetër ritëm. Fluksi i qytetarëve dhe vizitorëve rritet ndjeshëm, ndërsa tregu, i futur tashmë në vitin e tetë të funksionimit pas restaurimit, kthehet në një pikë të përditshme referimi për blerjet e fundvitit, prodhimet vendase dhe gastronominë urbane.

Aroma e agrumeve, ngjyrat e frutave sezonale, zhurma e shitësve që ftojnë klientët dhe lëvizja e turistëve të huaj krijojnë një atmosferë dinamike, që e bën tregun të duket si një mozaik i gjallë i traditës dhe modernitetit.

Që nga hapja, tregu ka ruajtur bërthamën e tregtarëve të parë, të cilët vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e tij, ndërsa përkrah tyre është shtuar një brez i ri sipërmarrësish, që kanë zgjeruar ofertën për konsumatorët.

Në sektorët tradicionalë të fruta-perimeve dhe produkteve të tjera bujqësore, vazhdojnë të tregtohen prodhime vendase të ardhura direkt nga fermat e zonave të ndryshme të Shqipërisë. Tregtarët e vjetër, të njohur tashmë për cilësinë dhe besueshmërinë e produkteve të tyre, thonë se ruajtja e freskisë dhe origjinës së kontrolluar ka qenë çelësi i suksesit që nga dita e parë.

Pëllumbi, me origjinë nga Kukësi dhe i shpërngulur prej vitesh në zonën e Saukut, është një nga tregtarët e njohur të zonës së Pazarit të Ri, ku ka nisur të shesë që në moshën 17-vjeçare.

Ai tregon se të gjitha produktet që ofron janë vendase dhe se çmimet e perimeve jashtë sezonit janë rritur kohët e fundit, ndërsa agrumet, si mandarinat dhe portokallet, vazhdojnë të jenë me çmime të qëndrueshme dhe të arsyeshme.

Në këtë periudhë festash, ndër produktet më të kërkuara janë arrat, të cilat Pëllumbi i siguron nga Dibra, shegët nga Elbasani dhe gështenjat nga Tropoja.

Ai shton se, përveç klientëve të tij të rregullt, nuk mungojnë as turistët e huaj, kryesisht hungarezë, francezë dhe serbë. Aktualisht, ai i shet domatet me 150 lekë/kg, gështenjat me 500 lekë/kg dhe mandarinat e portokallet me 80 lekë/kg.

Por në veçanti në tregun te Pazari i Ri spikasin edhe frutat ekzotike: mangot, avokadot, frutat e pasionit, papaja dhe lloje të ndryshme agrumesh të rralla, që tërheqin interesin e konsumatorëve.

Por ndryshe nga fillimet, sot tregu është i pasuruar dukshëm me produkte të reja. Tregtarë të rinj kanë zgjeruar gamën me artikuj artizanalë tradicionalë, një pjesë e të cilëve janë edhe suvenire importi, duke sjellë një përzierje të traditës me modernen.

Alma nga Lushnja, rreth të 40-ave, është një tjetër sipërmarrëse në Pazarin e Ri, që tregton suvenire të ndryshme, si filxhanë kafeje, varëse çelësash dhe zbukurime me motive shqiptare.

Ajo na tregon se shumë nga produktet, përfshirë qeleshet dhe qilimat të punuar me dorë, i merr nga Kruja, “ndërsa mjalti dhe rakia të ambalazhuara bukur janë nga zona e Korçës”, tha ajo.

Prej 6 muajsh, Alma është e pozicionuar në tregun e Pazarit të Ri, ku shitjet i realizon kryesisht tek vizitorët dhe turistët e huaj.

Sektorët e mishit dhe peshkut gjithashtu kanë marrë një rol të rëndësishëm në strukturën e tregut në Pazarin e Ri. Dyqanet e specializuara ofrojnë mish të freskët nga vendi, produkte të përpunuara artizanale dhe një shumëllojshmëri të peshkut, duke krijuar një zinxhir të plotë ushqimor që mbulon pothuajse çdo nevojë të konsumatorit.

Përkrah tyre, lokalet e shumta të vendosura brenda dhe përreth tregut kanë sjellë një atmosferë të gjallë turistike e kulinare. Ato shërbejnë si pika takimi për qytetarët dhe vizitorët, duke ofruar gatime tradicionale, ushqime të shpejta inovative dhe produkte tipike shqiptare.

Pazari i Ri sot shihet si një histori suksesi, ku përvoja e tregtarëve të parë ndërthuret me dinamizmin e sipërmarrësve të rinj, duke krijuar një qendër ushqimore të pasur, të larmishme dhe me standarde bashkëkohore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME