Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë u shënua nga një prej diskutimeve më të artikuluara dhe vizionare mbi të ardhmen ekonomike dhe europiane të vendit. Deputeti socialist i Qarkut Elbasan, Adi Qose, në një fjalim të gjatë dhe plot ritëm politik, theksoi se Buxheti 2026 është nyja kyçe që lidh progresin e Shqipërisë me synimin historik të vendit: mbylljen e negociatave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2027.
Duke e cilësuar buxhetin e votuar si “instrument transformues”, Qose nënvizoi se vendi ndodhet në momentin më të rëndësishëm të dekadës — sapo ka hapur të 33 grup-kapitujt e negociatave me BE, një arritje që ai e quajti “rekord absolut në historinë e integrimit”.

Në fjalimin e tij, ai solli një panoramë të qartë të rritjes ekonomike, të investimeve, rritjes së pagës minimale, rritjes historike të pensioneve, si dhe të projekteve madhore që prekin drejtpërdrejt qarkun që ai përfaqëson — Elbasanin. Qose theksoi se ky buxhet është ndërtuar për sot, për qytetarin, për nevojat reale dhe për ambicien europiane të vendit.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit të tij i ishte kushtuar Elbasanit, duke garantuar zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Bypass-it brenda vitit 2026, investimeve në shkolla, infrastrukturë, ujësjellës-kanalizime, si dhe projekteve strategjike që synojnë transformimin e bashkisë në një pol të rëndësishëm zhvillimi — nga Automotoparku, te rivitalizimi i Kalasë dhe shndërrimi i zonës së Metalurgjikut në një qendër moderne ekonomike.
Në mbyllje, deputeti socialist theksoi se qeveria ka një detyrim moral dhe politik për t’i çuar deri në fund reformat e nisura, duke e drejtuar vendin “gur pas guri” drejt familjes europiane.

FJALIMI I PLOTË I DEPUTETIT TË PS TË QARKUT ELBASAN, ADI QOSE
I nderuar Kryetar,
Të dashur kolegë deputetë,
Të nderuar qytetarë,
Buxheti që ne votuam javën e shkuar nuk është thjesht një dokument financiar. Është pasqyra më e mirë e një Shqipërie që po ndryshon me ritme të jashtëzakonshme — falë një qeverisjeje vizionare, reformuese dhe me sytë drejt të ardhmes.
Kjo javë ishte një copëz nga e ardhmja jonë e vitit 2030. Shqipëria sapo shënoi një arritje historike: HAPJEN E TË GJITHË GRUP-KAPITUJVE TË NEGOCIATAVE ME BASHKIMIN EUROPIAN. Siç e tha me shumë të drejtë Kryeministri, kjo është një “arritje rekord, absolute në procesin e integrimeve evropiane.” Brenda vetëm 12 muajsh, arritëm atë që për dekada është parë si e pamundur.
Ky është një mesazh i qartë: Shqipëria është serioze, e vendosur dhe plotësisht e aftë të mbyllë negociatat brenda vitit 2027 — dhe të realizojë objektivin tonë historik: anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në këtë kontekst, buxheti i cili votuam është instrumenti që e çon këtë dinamikë përpara. Është një buxhet që përkthehet përditë në rezultate konkrete:
• një ekonomi që rritet vit pas viti;
• pensione që rriten, si mirënjohje për ata që ndërtuan këtë vend;
• paga minimale që rriten, që të mos lëmë askënd pas;
• paga në sektorin privat që rriten, duke e bërë punën më të shpërblyer;
• investime të brendshme dhe të huaja që rriten, sepse besimi në Shqipëri është sot më i fortë se kurrë;
• mbështetje sociale që rritet, që të mos ketë asnjë familje pa dorën e shtetit;
• institucione që modernizohen dhe demokratizohen, për t’i shërbyer qytetarëve me më shumë dinjitet dhe efikasitet.
Prandaj, ky buxhet nuk është abstrakt. Nuk është “për nesër.” Nuk është “për një ditë tjetër.” Ky është një buxhet për sot — për nevojat reale të qytetarëve, për sfidat e procesit të integrimit, për objektivin e vitit 2027, për momentin kur vendi kërkon përgjigje të shpejta, të drejta dhe të pritshme.

Konkretisht:
1. Deri në fund të mandatit të katërt do të akordohen 1.7 miliardë euro, që do të shënojnë rritjen më të lartë të pensioneve.
2. Nga 1 janari, paga minimale do të rritet nga 400 në 500 euro.
3. 1.8 miliardë euro të parashikuara për investime publike.
4. Të gjitha këto, pa asnjë rritje taksash!

ELBASANI
Më lejoni të ndalem tani tek ata që kam privilegjin t’i përfaqësoj me krenari — qytetarët e Elbasanit.
Buxheti i vitit 2026 është një buxhet për ju.
Për një Elbasan që rritet, që modernizohet dhe që ecën me standardet e Europës; një qytet më funksional, më të pastër dhe më të zhvilluar, ashtu siç e meritojmë të gjithë.
Çështja e Bypass-it — një plagë e hapur prej vitesh — do të marrë zgjidhje brenda vitit 2026.
Ky është një zotim, një angazhim i qartë dhe një premtim që po e çojmë drejt finales.
Por nuk ndalemi vetëm këtu.
Investimet në shkollat kryesore të qytetit, ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe përmirësimet e infrastrukturës së brendshme do të jenë në qendër të punës sonë — projekte që prekin çdo familje, çdo lagje, çdo komunitet.

Dhe përtej investimeve utilitare, Elbasani përfiton nga projektet strategjike që e kthejnë bashkinë tonë në një pol të rëndësishëm zhvillimi kombëtar.
Vijon puna për ndërtimin e Automotoparkut të Elbasanit, një projekt inovativ që e vendos qytetin në hartën e aktiviteteve sportive dhe turistike bashkëkohore.
Nis projekti i rivitalizimit të Kalasë, një investim që e kthen këtë pasuri historike në një qendër të turizmit për gjithë Shqipërinë e Mesme.
Dhe po ashtu, po bëjmë realitet projektin transformues për zonën e Metalurgjikut, duke e shndërruar një hapësirë të harruar prej dekadash në një motor modern të ekonomisë së qytetit — një zonë që do të sjellë më shumë punësim, më shumë investime dhe më shumë mundësi për të rinjtë tanë.
Ky është Elbasani i vitit 2026: një qytet që jo vetëm përfiton nga investimet, por i kthen ato në zhvillim të qëndrueshëm dhe në mirëqenie për njerëzit e tij.

Të dashur kolegë, detyrat që kemi përpara janë serioze, nuk ka kohë për pushim, por duhet të vazhdojmë të punojmë fort, me mëngët e përveshura dhe me ritmin e një vendi që ka vendosur të bëjë histori.
Siç themi shpesh:
BUXHETI NUK ËSHTË NJË TUFË NUMRASH. BUXHETI ËSHTË VIZION, AMBICIE DHE DREJTIM.
Është reflektimi më i qartë i asaj se ku duam të shkojmë si shoqëri.
Dhe sot, me 83 mandate që qytetarët na besuan për t’i çuar përpara reformat e këtij vendi, ne kemi një detyrim moral dhe politik: të çojmë përpara vullnetin e tyre — dhe ta çojmë Shqipërinë, gur pas guri, hap pas hapi, drejt ëndrrës së madhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
FALEMINDERIT!




