Përfundojnë punimet në rrugën alternative Xhyrë–Qukës, rikonstruksioni i urës pritet brenda muajit

Ekipet e shërbimeve publike pranë Bashkisë Librazhd kanë finalizuar punimet në aksin rrugor Xhyrë–Qukës, duke e bërë atë plotësisht të aksesueshëm si rrugë alternative për banorët e zonës. Ky aks po shërben aktualisht si lidhja kryesore për qarkullimin, pas dëmtimit serioz që pësoi Ura e Xhyrës.

Sipas autoriteteve vendore, ndërhyrja është realizuar me intensitet të lartë për të siguruar lëvizshmëri të pandërprerë dhe për të shmangur izolimin e komuniteteve të zonës.

Paralelisht me hapjen e rrugës alternative, Bashkia Librazhd, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, po vijon procedurat teknike për rikonstruksionin e urës.

Objektivi është që punimet të përfundojnë brenda këtij muaji, duke garantuar rikthimin e qarkullimit normal.

Ura e Xhyrës u dëmtua rëndë pak ditë më parë, pasi këmba qëndrore u “rrëmbye” nga rrjedha e fuqishme e prurjeve të shumta të lumit Shkumbin, duke ndërprerë lidhjen e banorëve dhe duke krijuar vështirësi të mëdha në lëvizje.

Autoritetet sigurojnë se procesi i rindërtimit po ndiqet me prioritet dhe se zgjidhja përfundimtare do të rikthejë plotësisht funksionalitetin e urës dhe sigurinë e qarkullimit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME