Shtrëngimi i politikës monetare nga Banka e Shqipërisë, i nisur në mars 2022, që rriti gradualisht normën bazë nga 1% në 3.25% deri në nëntor 2023, ka rezultuar pozitiv për sektorin.
Bankat, me fitim rekord për të dytin vit radhazi, por pritet ulje.
Sistemi bankar është një ndër më të zhvilluarit në vend, i nxitur nga hyrja e bankave të mëdha perëndimore në dy dekadat e fundit. Ai mbetet dhe një ndër më fitimprurësit në ekonomi.
Në dy vitet e fundit (2023 – 2024) bankat kanë qenë në një cikël të shpejtë të rritjes së fitimeve, të ndikuara nga zgjerimi më i shpejtë i të ardhurave nga interesat e komisionet, në raport me shpenzimet përkatëse për to.
Shtrëngimi i politikës monetare nga Banka e Shqipërisë, i nisur në mars 2022, që rriti gradualisht normën bazë nga 1% në 3.25% deri në nëntor 2023, ka rezultuar pozitiv për sektorin.
Edhe lehtësimi i politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, i nisur në korrik 2024, që uli normën bazë në 2.75% deri në fund të vitit, ka treguar shpejtësi të ndryshme për reduktimin e interesave të kredive dhe atyre të depozitave, ashtu siç ndodhi dhe gjatë ciklit shtrëngues në 2022 – 2023, kur institucioni monetar qendror rriti normat bazë me synim luftimin e inflacionit.
Në vitin 2024, bankat, në pjesën më të madhe, përmirësuan fitimet dhe treguesit e kthyeshmërisë nga kapitali dhe aktivet.
Fitimi i sistemit për vitin 2024, i raportuar sipas standardeve lokale, ishte një rekord prej 37.4 miliardë lekësh, me rritje 15% me bazë vjetore, raporton Banka e Shqipërisë, pas një zgjerimi prej 50% në vitin 2023.
Rritja e lartë e fitimeve çoi në përmirësim të treguesve të rentabilitetit. Kthyeshmëria nga Aktivet (RoA) ishte mesatarisht 2.21% në vitin 2024, nga 1.85% në vitin 2023. Kthyeshmëria nga Kapitali (RoE) u rrit në 18.90% në vitin 2024, nga 15.92% në vitin 2023, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Edhe kreditë me probleme vijuan uljen, duke i lehtësuar bankat në barrën e shpenzimeve për provigjione. Huatë e pakthyera në afat e mbyllën vitin 2024 në nivelin e 4.17%, nga 4.74% në dhjetor 2023.
Ky është niveli më i ulët që nga viti 2007. Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë vijon të ketë një cilësi të mirë dhe një strukturë valutore të orientuar drejt Lekut.
Ndryshe nga Banka e Shqipërisë, ku raportojnë sipas standardeve lokale, në Tatime, bankat deklarojnë sipas standardeve ndërkombëtare.
Diferenca kryesore mes standardeve lokale dhe atyre ndërkombëtare qëndron në mënyrën se si raportohen shpenzimet për provigjionimet për huatë me probleme, teksa Banka e Shqipërisë, që kërkon raportim me ato lokale, ka standarde më të rrepta për shpenzimet që duhen lënë mënjanë për mbulimin e huave, të cilat nuk kthehen në afat.
Në vitin 2024, sipas raportimeve në Tatime, pjesa më e madhe e bankave kanë deklaruar rritje të larta të fitimeve, me ritme më të shpejta sesa krahasuar me standardet lokale.
Në vitin 2024, për të tretin vit radhazi, të gjitha bankat raportuan fitime, me përjashtim të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA), e cila ka më pak se 1% të tregut, sipas madhësisë së aktiveve.
Sipas të dhënave nga bilancet e bankave, që raportojnë bazuar në standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, fitimi i 11 bankave ishte rreth 42 miliardë lekë, me rritje 27%, shifër që është 12% më e lartë se rezultati i sistemit i raportuar nga Banka e Shqipërisë.
Bankat presin që ky cikël me fitime të larta të ngadalësohet. Z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i BKT, pohon se duke parë përpara, presin një rritje të moderuar, por të qëndrueshme.
“Parashikohet një ulje graduale e normave të interesit, gjë që mund të ushtrojë presion mbi marzhet, kështu që fokusi ynë do të orientohet gjithnjë e më shumë drejt gjenerimit të të ardhurave nga burime jo-interesi (tarifa, komisione dhe të ardhura nga transaksionet) duke zhvilluar zgjidhje të reja për klientët biznes dhe ata individë, ndonëse do të jetë sfiduese pjesa e komisioneve të transfertave”.
Në vlerë absolute, banka me fitimin më të lartë është BKT, për vetë madhësinë e saj, me 10.4 miliardë lekë, e ndjekur nga “Raiffeisen”, me 9.1 miliardë lekë, “OTP”, 6 miliardë lekë.
Renditjen e vijojnë “Intesa Sanpaolo Bank”, me 3.8 miliardë lekë, “Banka Amerikane e Investimeve” me 3.77 miliardë lekë, “Banka e Tiranës”, me 3.4 miliardë lekë. Për herë të parë në listën e 10 më të mëdhave ka gjashtë banka, nga tre që ishin në vitin 2023 (shiko renditjen në fillim).
“Credins” rezultoi me fitime 3.2 miliardë lekë, me rritje prej 44% me bazë vjetore, e ndikuar nga zgjerimi shumë më i shpejtë e të ardhurave, në raport me shpenzimet. Qarkullimi total i “Credins” arriti në 19.7 miliardë lekë, me zgjerim vjetor rreth 16.9%.
Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i “Credins Bank”, ka pohuar më herët për “Monitor”, se gjatë vitit 2024, banka zgjeroi bazën e klientëve të saj, duke shënuar një numër prej 400,000 klientësh, me rritje prej 2.35% krahasuar me një vit më parë.
“‘Credins’ vijon të qëndrojë sërish e para për portofolin e kredive, të cilën e zgjeroi me mbi 9% krahasuar me një vit më parë. Portofoli i kredidhënies u bazua në njohjen e potencialit të klientëve tanë besnikë, por edhe atyre të rinj, në varësi të veçorive të sektorëve ku ata operojnë.
Fokusi ynë ka qenë mbështetja e sektorëve të ndryshëm të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, si në rastin konkret, turizmi”.
“Union Bank” shënoi rritje të fitimeve me 62%, në 1.5 miliardë lekë. Banka deklaroi një qarkullim vjetor prej rreth 6.6 miliardë lekësh, me rritje 23%.
Flutura Veipi, CEO e “Union Bank”, thotë se në vitin 2024, “Union Bank” vijoi të konsolidojë pozicionin e saj në tregun bankar duke u rikonfirmuar si shoqëria më e rëndësishme brenda Grupit Union.
“Rezultatet financiare janë mjaft domethënëse: fitimi para taksave i ‘Union Bank’ në vitin 2024 përfaqëson rreth 75,9% të fitimit total të konsoliduar të Grupit, si dhe shënoi një rritje prej 61.9% krahasuar me vitin 2023 (952.7 milionë lekë) dhe 75.4% më të lartë krahasuar me periudhën para pandemisë (2019: 878.9 milionë lekë).
Në vitin 2024, ‘Union Bank’ zotëron 5.11% të aseteve të industrisë bankare nga 4.41% në vitin 2019.
Kjo rritje, megjithëse graduale, reflekton menaxhimin efikas financiar dhe tregon një orientim të qartë drejt zgjerimit të qëndrueshëm, duke u mbështetur te shtimi i shërbimeve dhe produkteve, investimet në sisteme kritike, përmirësimi i proceseve të brendshme, politikat e burimeve njerëzore dhe përfshirja në projekte madhore financimi”.
“Banka e Parë e Investimeve” deklaroi fitime që arritën në 1.15 miliardë lekë, me rënie të lehtë prej 6.5%. Banka rriti të ardhurat me 9.4%, në 3.8 miliardë lekë.
“Fitimi neto e kaloi sërish shifrën prej 10 milionë eurosh, çka reflekton menaxhimin tonë financiar të disiplinuar dhe zgjerimin e vazhdueshëm të bazës së klientëve.
Kthimi mbi kapitalin (ROE) arriti në rreth 16%, ndërsa kthimi mbi asetet (ROA) ishte 1.7%, duke ruajtur profilin tonë ndër bankat në Shqipëri si një institucion me rritje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme”, citohet Bozhidar Todorov, Drejtori i Përgjithshëm i Bankës, në raportin vjetor.
“ProCredit” deklaroi fitime 179 milionë lekë, me tkurrje prej 21%. Të ardhurat ishin 2.6 miliardë lekë, me rritje 18.6% me bazë vjetore.
“Një tjetër tregues i rëndësishëm është cilësia e lartë e portofolit të kredisë, e cila vazhdon të jetë më e mira në treg, me një nivel të kredive me probleme (NPL) prej rreth 1%, shumë më i ulët se mesatarja e sektorit bankar.
Kjo dëshmon një menaxhim të kujdesshëm të riskut dhe një përzgjedhje cilësore të kredimarrësve, duke forcuar qëndrueshmërinë e bankës” – ka pohuar më herët për “Monitor”, Mirsad Haliti, Anëtar i Drejtorisë Ekzekutive të “ProCredit Bank Shqipëri”.
E vetmja me humbje është “Banka e Bashkuar e Shqipërisë”, me një rezultat negativ prej 615 milionë lekësh në vitin 2024.
Normat e fitimit në sistem në vitin 2024 u luhatën nga 7% në 51%.
Fitimet e bankave karakterizohen nga luhatje të forta nga një vit në tjetrin, kryesisht për shkak të ndryshimeve në nivelin e provigjionimeve – fondeve që ato lënë mënjanë për të mbuluar rreziqet nga kreditë me probleme.
Këto shpenzime kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin financiar të sektorit bankar: në periudhat kur bankat rikuperojnë kredi të mëparshme të humbura, ato përfitojnë nga rimarrja e provigjioneve duke shënuar fitime të larta.
Në të kundërt, në vitet kur rritet niveli i kredive me probleme (NPL), bankat detyrohen të rrisin rezervat për humbje të mundshme, çka çon në ulje të profitabilitetit ose, në raste ekstreme, në daljen me humbje.
Në thelb, cikli i provigjionimeve është një nga faktorët më të rëndësishëm që përcakton ecurinë vjetore të fitimeve në sistemin bankar shqiptar.
MIKROFINANCA VIJON TË RUAJË NIVELE TË LARTA FITIMI
Sektori i mikrofinancës në Shqipëri ka përfituar nga rritja e kërkesës për kredi të vogla, por njëkohësisht ka qenë në fokus të kritikave për mungesë transparence, interesa të larta dhe shfrytëzim të huamarrësve vulnerabël.
Operatorët që ofrojnë hua të vogla, të disbursuara brenda një kohe të shkurtër dhe me kërkesa minimale dokumentacioni, janë shtuar ndjeshëm në vitet e fundit.
Këto institucione synojnë një pjesë të tregut që shpesh mbetet jashtë sistemit bankar tradicional, individë me të ardhura të ulëta, të vetëpunësuar, apo biznese të vogla që kanë nevojë për financime urgjente.
Interesat që aplikohen në këtë segment janë dukshëm më të larta krahasuar me kreditë bankare, për shkak të kostove administrative më të mëdha dhe rrezikut më të lartë të mospagimit.
Kjo u ka mundësuar institucioneve të mikrofinancës të ruajnë norma fitimi të larta, që vlerësohen mesatarisht në 20–25%, madje edhe në vitin 2024, kur ky sektor ishte nën presion për shkak të masave që u morën për të ulur interesat e për të rritur transparencën, shumë prej tyre raportuan fitime rekord.
Që nga fillimi i vitit 2022, Banka e Shqipërisë zbaton Normën Efektive Maksimale të Interesit (NEI Maksimal) për kreditë konsumatore, me qëllim mbrojtjen e klientëve nga çmime potencialisht abuzive.
Ky tregues përditësohet çdo gjashtë muaj dhe përcaktohet në bazë të mesatares së normave efektive të interesit të kredive të disbursuara më parë, të shtuar me një të tretën e vlerës.
Qëllimi ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit para hyrjes në fuqi të rregullores, arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi.
Në përgjigje të problematikave të tregut, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash rregullatore për të mbrojtur konsumatorin dhe për të vendosur rregulla më të qarta në treg.
Janë kufizuar penalitetet për vonesat në pagesa që të mos kalojnë 30% të shumës së mbetur, është propozuar një rregullore e re për subjektet jobankare, janë kontrolluar marrëveshjet për portofolat e kredive me probleme dhe është bërë i detyrueshëm raportimi i tyre në Regjistrin e Kredive.
Gjithashtu, janë kufizuar reklamat me përmbajtje joshëse për kreditë me interes të lartë, ndërsa në Kuvend është depozituar një nismë ligjore që synon të rrisë transparencën e kushteve të huasë dhe mbrojtjen e konsumatorit.
2024-a ka vijuar të jetë një vit i mbarë për sektorin e mikrofinancës, sa i përket përfitueshmërisë.
“ECFA” deklaroi fitime prej 1.3 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 23%. Norma e kthimit u rrit në 39%, nga rreth 36% në vitin 2023.
Të ardhurat ishin 3.4 miliardë lekë (+11%). Në raportin vjetor për vitin 2024 përmenden 80,000 aplikime të pranuara; 133,000 kredi të dhëna; 84% klientë të përsëritur; 57 milionë euro të akorduara.
“IuteCredit Albania” ka shënuar në vitin 2024 fitime 552 milionë lekë, me rënie 27% nga viti 2023. Norma e kthimit ishte 18.8%, nga 19.2% vitin e mëparshëm. Të ardhurat e kompanisë ishin 3 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm.
“NOA”, operatori tjetër që vepron në tregun e mikrofinancës, deklaroi fitime që arritën në 587 milionë lekë, me rritje 22% në raport me një vit më parë. Norma e fitimit u ul në 20.8%, nga 22.5% vitin e mëparshëm.
“NOA” deklaroi të ardhura prej 2.8 miliardë lekësh, me zgjerim prej 32% në krahasim me vitin e mëparshëm.
“Fondi Besa” kishte fitime rreth 243 milionë lekë në vitin 2024, me një rritje prej 13.6% në raport me vitin e mëparshëm, me normë rreth 7.3%. Fondi raportoi të ardhura në vitin 2024 prej 3.3 miliardë lekësh, ose 9.2% më shumë se në vitin 2023.
SIGURIMET PËRMIRËSOJNË LEHTË NORMAT E FITIMIT
Ndryshe nga sistemi bankar, sigurimet kanë norma më të ulëta fitimi, që luhaten në nivele njëshifrore, duke reflektuar zhvillimin më të ulët të këtij segmenti të tregut financiar.
Fitimet e tyre janë të lidhura dukshëm me ecurinë e pagimit të dëmeve, në varësi të aksidenteve të ndodhura dhe të provigjionimeve për dëmet e pagueshme. Nga viti në vit ka luhatje të fitimeve mes shoqërive të sigurimit.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë vitit 2024, tregu i sigurimeve ka pasur rritje prej 7.03%, në ngadalësim nga 8.86% një vit më parë. Vëllimi i primeve të shkruara bruto arriti në 24.5 miliardë lekë.
Sigurimi i jo-jetës vijon të ketë peshën dominuese në primet e sigurimit, me 91.5% të totalit në vitin 2024, sipas të dhënave të AMF-së, duke e lënë jetën me vetëm 8.5%. Në raport me një vit më parë, pesha e sigurimit të jo-jetës ka rënë lehtë me 0.3 pikë përqindjeje.
Brenda segmentit të sigurimit të jo-jetës dominon sigurimi i detyrueshëm i mjeteve motorike, me rreth 67.15% të totalit të primeve, rreth 0.65 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Sipas AMF-së, në vitin 2024 janë paguar gjithsej 8.6 miliardë lekë dëme, ose 24.38% më shumë se në vitin 2023.
Numri i dëmeve të paguara në vitin 2024 është rritur me 10,155 dhe arriti shifrën 73,482, nga të cilat 70,482 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të jo-jetës dhe 3,476 nga shoqëritë e sigurimit të jetës.
Në vitin 2024, pavarësisht rritjes së dëmeve, shoqëritë kanë arritur të mbajnë nën kontroll shpenzimet, duke bërë që të shohin një përmirësim të lehtë të normave të fitimit.
Gjithsesi, ato vijojnë të mbeten njëshifrore, shumë më të ulëta krahasuar me sistemin bankar.
“Sigal Uniqa Group Austria”, kompania më e madhe në tregun e sigurimeve, raportoi fitime prej 447 milionë lekësh në vitin 2024, me rritje 14% me bazë vjetore. Norma e fitimit u rrit në 7.7%, nga 7% vitin e mëparshëm. Shoqëria kishte 5.8 miliardë lekë të ardhura dhe rritje vjetore rreth 4%.
“Albsig” deklaroi në vitin 2024 fitime me vlerë 368 milionë lekë, me rritje prej 44% me bazë vjetore. Norma e fitimit u përmirësua në 8.44%, nga 7.1% vitin e mëparshëm. Shoqëria shënoi rritje të të ardhurave, me 5.4%, në 4.36 miliardë lekë.
“Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group” raportoi fitime prej 348 milionë lekësh, me rënie të lehtë në krahasim me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ishte 9.7%. Shoqëria raportoi 3.58 miliardë lekë të ardhura, me rritje 6.2%.
“Eurosig” rezultoi sërish me fitim të lartë prej 828 milionë lekësh, por që u ndikua kryesisht nga të ardhurat financiare. Shoqëria kishte të ardhura prej 3.7 miliardë lekësh, me rritje prej 17.6% me bazë vjetore.
“Intersig Vienna Insurance Group” arriti të përmirësojë lehtë rezultatin me 19%, me fitime prej rreth 191 milionë lekësh, me normë prej 7.4%, në përmirësim nga 6.9% vitin e mëparshëm. Operatori deklaroi një qarkullim vjetor prej 2.5 miliardë lekësh, me rritje vjetore 8.1%.
“Atlantik” raportoi të ardhura prej rreth 1.39 miliardë lekësh në vitin 2024, me rritje 7.4% me bazë vjetore. Edhe fitimet u zgjeruan me 35%, në rreth 190 milionë lekë, duke iu afruar listës së 200 më të mëdhave.
“INSIG” ka dalë nga lista, pas hyrjes në vitin 2023, si rrjedhojë e tkurrjes së fitimeve në 2024-n, në rreth 60 milionë lekë. Rënia e fitimeve erdhi si rrjedhojë e dyfishimit të dëmeve të paguara.
“Sigal Life Uniqa” është më e madhja në segmentin e sigurimeve të jetës. Kompania raportoi fitime prej 160 milionë lekësh, me tkurrje 23%. Norma e fitimit ishte rreth 18%. Kompania kishte të ardhura prej 924 milionë lekësh në 2024-n, thuajse njësoj me vitin e mëparshëm.
Një shoqëri që renditet çdo vit në listën e më të mëdhave sipas fitimeve është “Star Broker”, ndërmjetësi i sigurimeve. Kjo kompani deklaroi fitime prej gati 325 milionë lekësh, me një normë shumë më të lartë se sipërmarrjet e sigurimeve, që në vitin 2024 arriti në 62%.
Tregu i sigurimeve në Shqipëri mbetet ndër më të vegjlit në rajon në raport me madhësinë e ekonomisë. Në tre vitet e fundit, vlera e tij totale ka zbritur nën nivelin e 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke reflektuar një depërtim të kufizuar të produkteve të sigurimit.
Në vende të tjera të rajonit, raporti i tregut të sigurimeve ndaj PBB-së varion mes 1.3 dhe 2%, ndërsa në Bashkimin Europian, ky treg arrin një mesatare mbi 7% të PBB-së, duke treguar një diferencë të thellë strukturore mes Shqipërisë dhe vendeve më të zhvilluara.
Sipas operatorëve të tregut, arsyet e këtij zhvillimi të ngadaltë lidhen me mungesën e kulturës së sigurimit te qytetarët, interesin ende të ulët për të mbrojtur pasurinë, jetën apo biznesin përmes produkteve financiare, si dhe përhapjen e kufizuar të shërbimeve të sigurimit në zonat jashtë qendrave të mëdha urbane.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është mungesa e kolonës së dytë të pensioneve në Shqipëri, një sistem i kombinuar midis skemës shtetërore dhe asaj private, që në shumë vende të rajonit dhe të BE-së luan rol kyç në nxitjen e kërkesës për produkte sigurimi dhe investimi afatgjatë.
Në plan global, sektori i sigurimeve po përjeton një periudhë rritjeje të qëndrueshme, e nxitur nga digjitalizimi, automatizimi i proceseve dhe rritja e kërkesës për sigurime shëndetësore, jetësore dhe kibernetike.
Sipas të dhënave të OECD dhe Swiss Re Institute, primet globale të sigurimeve arrijnë mesatarisht në 7–8% të PBB-së botërore, me tregje si SHBA, Japonia dhe vendet e BE-së që dominojnë mbi 70% të vëllimit total.
Në këtë kontekst, Shqipëria mbetet ndër tregjet me depërtimin më të ulët në rajon, megjithëse me potencial të lartë rritjeje, nëse rritet ndërgjegjësimi publik dhe zhvillohet infrastruktura ligjore e produkteve të sigurimit dhe pensioneve private./ Monitor

