Rusia nisi një valë të re sulmesh me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, në orët e para të së martës, duke vrarë të paktën gjashtë persona, sipas kryetarit të bashkisë. Sulmet ndodhën në ditën e 1371-të të luftës së nisur nga Vladimir Putini, ndërsa zyrtarë amerikanë dhe ukrainas raportuan përparim në bisedimet e Gjenevës mbi planin e paqes të Presidentit Trump. Moska, ndërkohë, hodhi poshtë amendamentet e propozuara nga vendet evropiane.
Po të martën, pritet të mblidhen sërish me videokonferencë shtetet e “Aleancës së Gatishmërisë”, që mbështesin Ukrainën. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se pa elementë të fortë garantues në një marrëveshje paqeje, Rusia rrezikon ta shkelë atë sapo t’i jepet mundësia.
Nga ana tjetër, Rusia raportoi humbje pas një sulmi masiv me dronë nga Ukraina në rajonin e Rostovit, pranë Detit Azov. Të paktën tre persona humbën jetën dhe 16 u plagosën në qytetet Taganrog dhe Neklynovsky, njoftoi guvernatori Yuri Slyusar.
Sulme të tjera u regjistruan edhe në rajonin e Krasnodarit, ku guvernatori Veniamin Kondratyev deklaroi se zona përjetoi një prej goditjeve më masive deri tani. Gjashtë persona u plagosën dhe rreth 20 banesa u dëmtuan në pesë komunitete.
Ministria Ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se gjatë natës u rrëzuan 249 dronë ukrainas – një nga shifrat më të larta që prej nisjes së konfliktit. Ndërkohë, në Kiev vazhdojnë problemet me furnizimin me ujë dhe energji elektrike pas sulmeve të fundit.

