Nuk munguan rastet e diskutueshme as në këtë përballje mes Egnatias dhe Bylisit, por një gjë mbeti e qartë deri në minutën e fundit: ndërkombëtari Enea Jorgji e menaxhoi ndeshjen me autoritet, qetësi dhe saktësi, duke mos pasur nevojën të ndryshonte asnjë vendim pas verifikimeve të sistemit VAR. Gjyqtari elbasanas tregoi standard të lartë gjykimi, duke shuar çdo dilemë në fushë që në momentin e parë.
Tre episode të rëndësishme u vlerësuan me vendim të drejtë nga Jorgji, të cilat më pas u konfirmuan plotësisht edhe nga VAR, pa lënë hapësirë për interpretime të tjera.
Minuta e 16-të: Karton i kuq i drejtë për Kane
Në aksionin e minutës së 16-të, Kane ndalet nga Jorgji me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Ndrecës. Pamjet filmike treguan qartë se lojtari i Bylisit ishte i fundit në aksion dhe ndalimi i tij ishte i qëllimshëm, duke i mohuar një mundësi të pastër shënimi kundërshtarit. Vendim i drejtë, i menjëhershëm dhe pa pasur nevojën më të vogël për konfirmim nga VAR.

Minuta e 62-të: Penallti e saktë për ndërhyrjen ndaj Fernandes
Në minutën e 62-të, Fernando arrin të fitojë duelin me Përndrecën dhe hyn në zonë, por ndalet nga një kontakt i gabuar i lojtarit të Bylisit. Jorgji akordon menjëherë penallti, ndërsa rishikimet filmike e vërtetuan se ndërhyrja kishte qenë e qartë dhe penalizuese. Edhe në këtë rast, vendimi i gjyqtarit ishte i pacënueshëm.
Minuta e 76-të: Goli i Alijevit anulohet me të drejtë për pozicion jashtë loje
Në minutën e 76-të, Selmani godet drejt portës, topi devijohet nga Vashu dhe Alijev e dërgon në rrjetë. Gjyqtari anësor ngriti menjëherë flamurin për pozicion jashtë loje, ndërsa VAR e konfirmoi vendimin pa asnjë hezitim. Pamjet e qarta treguan se Alijev ishte përpara vijës së mbrojtjes në momentin e goditjes së parë.

