Helmimi i kafshëve endacake në rrugët e Tiranës po shndërrohet në një shqetësim serioz. Organizatat në mbrojtje të kafshëve kanë ndarë në rrjetet sociale video që tregojnë raste të helmimit të qenve dhe maceve endacake.
Në këtë kuadër, Animal Rescue Albania, së bashku me disa organizata të tjera, do të organizojnë të enjten, në orën 11:00, një protestë në Sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, kundër helmimit të kafshëve.
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, shfaqen persona të ndryshëm në disa lagje të kryeqytetit, të cilët dyshohet se kanë shpërndarë ushqim të helmuar për qentë dhe macet endacake, duke shkaktuar ngordhjen e tyre. Ushqimi i helmuar në rrugët e Tiranës, mund të shndërrohet në problem edhe armë vrasëse edhe për kafshët që e kanë një shtëpi.
Vullnetarë dhe organizata të mbrojtjes së kafshëve i bëjnë thirrje institucioneve për hetim dhe ndëshkim të autorëve, ndërsa ftojnë qytetarët dhe të gjithë dashamirësit e kafshëve t’i bashkohen protestës.
“Kafshët nuk kanë zë. Kafshët nuk protestojnë. Kafshët nuk mbrohen dot vetë. Ne jemi zëri i tyre!”, thuhet në një postim të organizatorëve.
Ndër të tjera, ata theksojnë se: “Dora e njeriut që duhet t’i mbrojë, po i dëmton, po i helmon, po i zhduk. Nuk mund të heshtim dhe as të kthejmë kokën anash. Mbrojtja e kafshëve nuk është opsion, është detyrë dhe humanizëm.”
Protesta do të zhvillohet më 20 nëntor 2025, në ora 11:00, në Sheshin “Skënderbej”, Tiranë.

